Kadare fsheh në subkoshiencë një logjikë krejtësisht subversive për të na thelluar më pas në analogjitë e botës së ftohtë të perëndimit si shembull fatal i të shfaqur të “tjetrit” në tragjedinë e famshme, daneze, “Hamleti”, apo katastrofën e doktrinës komuniste të lindur nga Karl Marksi, që erdhi nga Perëndimi, me pasojë krimesh e luftërash në Ballkan.
“Na ngjan e rrezikshme në të gjitha rastet, edhe kur duket se vjen për të na dhënë ndihmë, edhe kur vjen gjithë pezm e kërcënim. Fantazma e Hamletit mbret, në ledhet e kështjellës së Elsinorit, duket se vjen për të ndrequr një padrejtësi, për të sjellë një drejtpeshim. Por, në një bilanc të fundit, ajo nuk sjell në skenë veç një seri vrasjesh e një varg kufomash”.
Është një lojë perceptimi që bën Kadare për të shtënë në kurth mendimin, nëse Ballkani është vërtet rajoni me etni të frikshme, apo është në marramendje të vazhdueshme qysh na koha e shpellës për t’ju shfaqur “fantazma”, shkaku që i trazon për luftë dhe vrasje, e krime. Kjo është njëkohësisht dhe përgjigja e pyetjeve të drejtpërdrejta që ua ka drejtuar shkrimtarëve të Ballkanit, publicisti suedez, dhe njohës i çështjeve të rajonit, Richard Swartz kur mendoi të përgatiste një antologji me rrëfimet se ç’është fqinji në sytë e ballkanasve.
Kadare hedh idenë e gjetjes së rrënjëve në fatkeqësitë e vazhdueshme që ndodhin në Ballkan, duke mos e parë këtë si çështje fqinjësh, por si një histori politike shumë më e herët, pasoja ku ndodhet sot ky rajon.
Mesazhi i fantazmës së perëndimit që sjell krimet dhe luftën në Ballkan del e nënvetëdijshme sa na duhet të hedhim teza të guximshme duke u mbështetur në aludimet e Kadaresë; se teoritë e krimeve të shpikura nga Perëndimi, janë aplikuar në Ballkan duke sjellë radhë krimesh, e luftërash.
Antologjia e shkrimtarëve të Evropës Juglindore, me prognozën “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë”, i përkthyer në nëntë gjuhë të rajonit, dhe i përcjellë në Suedi me një debat të madh politik, ka angazhuar pjesën më aktive të intelektualëve të rajonit. Janë 22 autorë që rrëfejnë fqinjin, që i shmangen një pyetësori të drejtpërdrejtë, përmes tregimit dhe esesë, duke iu nënshtruar sërish një kurioziteti politik të perëndimit se nga vjen gjithë ky mosbesim ndaj fqinjëve? Nga buron kjo prirje për të parë tek ata më fort armikun sesa mikun? Ç’e shkakton kthimin e spastrimit etnik në një ëndërr, në një program? Në takim e bërë dje, duke prezantuar këtë botim, ish presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani do ta vërente gjithë këtë konfiguracion intelektual si histori politike që mbartin koherencën e tre përmbysjeve të mëdha që ndodhën shekullin e kaluar, që la gjurmë në Ballkan.
Ndërsa botuesi i “Toenës”, Fatmir Toçi ka shkëputur në veçanti tre shkrimtarët shqiptarë Kadarenë, Kongolin dhe Luan Starovën. të cilët janë më të vlerësuarit për tregimet e tyre, në këndvështrimin se intelektualët shqiptarë janë më të hapur, më tolerantë, në zgjidhjen e problemeve të rajonit.
Në antologji përfshihen autorët:
David Albahari (Serbi) Pse?
Vladimir Arsenijevic (Kroaci) Mosrrënjosja
Bora Cosic (Kroaci) Të tjerët
Beqë Cufaj (Kosovë) E shtuna e përjetshme
Dimitre Dinev (Bullgari) Shiu
Slavenka Drakulic (Kroaci) Tre monologë për të tjerët
Aleksandar Hemon (Bosnjë-Hercegovinë) Pyetjet ndryshe
Drago Jancar (Slloveni) Kinema Volta
Miljenko Jergovic (Bosnjë-Hercegovinë) Atje, ku jetojnë njerëz të tjerë
Ismail Kadare (Shqipëri) Historia e “tjetrit”
Fatos Kongoli (Shqipëri) Një e vërtetë e thjeshtë
Marusa Krese (Slloveni) Shëtitja pranë lumit
Charls Simic (Serbi) Odrod Perandoritë
Biljana Srbljanovic (Serbi) Një histori e vërtetë
Sasa Stanisic (Bosnjë-Hercegovinë) Mos ardhtë pranvera!
Luan Starova (Shqipëri-Maqedoni) Kufiri shekullor i një familjeje.
Laslo Vegel (Serbi) I huaji i njohur
Nenad Velickovic (Bosnjë-Hercegovinë) Bedel
Dragan Velikic (Bosnjë-Hercegovinë) Ta lejosh tjetrin
Irena Vrkljan (Serbi) Planeti Milla
Vladimir Zarev (Bullgari) Fati i njeriut
Richard Swartz (Suedi) Pasthënie
V.MURATI : Gazeta Standard