Pas vizitës 4-orëshe në Tiranë, Kacelarja gjermane, Angela Merkel udhëtoi për në Beograd. Ajo u prit në aeroportin e Beogradit nga Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ishte shprehur më herët se me Kancelaren do të bisedonin "tema të nxehta". Krahas formalitetit të takimit dhe deklaratve politike, mediet serbe janë interesuar në mënyrë të veçantë për ngjyrën e xhaketës që kishte veshur kancelarja.
Duke cituar mediet ndërkombëtare, agjencitë serbe kanë shkruar se, Merkel e ndërron ngjyrën e xhaketës në varësi të vendit që viziton, njerëzve që takon dhe karakterit të bisedave që bën. Kështu, ajo zgjedh ngjyrëm rozë dhe vjollcë pë takime më pak formale, ku nuk trajtohen çështje serioze. Ngjyra bezhë dhe e bardhë janë për ato raste kur dëshiron të përcjellë mesazhin e paqes, ngjyra blu kur duhet të veprojë me seriozitet, ngjyra e zezë tregon seriozitet strikt, ndërsa ngjyra e gjelbër, optimizëm, qetësi dhe ekuilibër. Mediet serbe, duke u bazuar te simbolika e ngjyrave të rrobave të Kancelares, kanë shkuar se qytetarët duhet të ndihen të çliruar, pasi Merkeli nuk mund të flasë për kushte të reja.
Kancelarja gjermane deklaroi në Beograd se Serbia është treguar e gatshme për kompromis me Kosovën, ndërsa ka theksuar se Bashkimi Evropian do të dijë ta vlerësojë këtë gjë dhe se hapja e kapitujve të negociimit për afrimin e Serbisë në BE është vetëm çështje kohe. A do t'i kërkojë Merkel Serbisë të lejojë pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara? Mbetet të shihet, në ditën e dytë të vizitës në Beograd sa do t'i përmbahet mesazhi i saj ngjyrës së xhaketës.