Meshar fort i vjeter

Meshar fort i vjeter
I vetmi ekzemplar deri më sot i njohur i librit të Gjon Buzukut ekspozohet për dhjetë ditë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ora 08.00-20.00. Syri i vizitorit sheh brenda një eksponati xhami një libër në gjendje të zakonshme për moshën që ka, ndërsa për specialistët kemi një libër me problemet e veta. Sidoqoftë nuk i përgjigjet përshkrimit që Gjon Kazazi kishte bërë në kohën e zbulimit më 1740: “meshar fort i vjetër (e) krejt i shqyer nga vjetërsia”. Organizatorët e ekspozitës “Meshari” emërmadh dhe sivëllezërit e tij kanë shënuar se ekzemplari unik me 110 fletë është mjaft i dëmtuar. Dje në mesditë, në ditën e parë të hapjes së ekspozitës për publikun, njerëzit prisnin radhën për ta parë nga afër librin e parë shqip. Ata përpiqeshin, mbështetur mjekrën mbi eksponat, që të kapnin shqip në radhët e dendura të tekstit në faqen e fundit.

Po aq vëmendje gëzojnë vitrinat ku në rend kronologjik pas 1555-ës vijnë librat më të hershëm në një shqipe të shkruar me autorë Lekë Matrëngën, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, me disa botime të “Çetës së profetëve”, Gjon Nikollë Kazazin dhe mbyllet me “Gjellën e Shën Mërisë së Virgjër” 1762 të Jul Varibobës. Të gjithë këta janë nxjerrë nga fondi i librave antikuarë i Bibliotekës Kombëtare. I gjen në fondet e instituteve vetëm si botime të fotografuara. Punonjëses së pastërtisë i duhet herë pas herë të pastrojë gjurmët e duarve që vizitorët lënë mbi xham. Në sfond ka muzikë nga Çesk Zadeja.

Kjo sallë në Bibliotekën Kombëtare është e veshur rreth e qark mureve me kadife të rënda vishnje, duke krijuar mjedis të veçantë ekspozimi. Pranë ekzemplarit unik ndodhet riprodhimi fotografik i “Mesharit” realizuar dhe sjellë në Shqipëri nga At Justin Rrota më 1932. Kjo është një kopje me mbulesë gjë që versionit origjinal i mungon. “Meshari” i rrallë është hapur në faqen e mbasthënies ku gjen “U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut” që njihen në tekstet e shkollave. Ky është rast i rrallë edhe për filologët që kanë pasur objekt të punës së tyre librin e parë shqip, por që kanë punuar vetëm me kopjen. Merita Bruci filologe e teksteve të vjetra arbëreshe e sheh për herë të parë librin që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit ku jo të gjithë kanë mundësi të hyjnë. “Për filologun, të bjerë në gjurmët e dokumentit autentik është kënaqësia më e madhe.

Kur ke prekur origjinalin ke mundësinë që të bësh edhe përshkrimin autentik të dokumentit. Do kisha preferuar të ishte ekspozuar një faqe më e plotë me të dyja anët. E megjithatë fakti që organizuesit e ekspozitës kanë lënë edhe një pjesë të grisur, kjo është për të thënë që e vetmja kopje që ne kemi është e ruajtur me problemet e veta.” Bruci thekson se një studiues i madh si Çabej ka arritur ta kthejë në alfabetin e sotëm duke ruajtur formën arkaike gjuhësore dhe “ua ka servirur në një pjatë të argjendtë të gjithë studiuesve. Por Buzuku vazhdon të çudisë dhe studimet mbi vazhdojnë.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama