Gjykata e Barcelonës pritet të vendosë javën e ardhshme për shpalljen fajtor ose jo të Lionel Mesit dhe babait të tij. Ata akuzohen për evazion fiskal me vlerën e 4.1 milionë eurove në vitet 2007-2009.
Avokati i shtetit ishte shumë i ashpër ndaj Mesit kur tha se ai ishte në dijeni të kontratave që firmoste. "Mesi di më shumë se çfarë nuk do të thotë",-tha avokati Mario Maza, ndërsa shtoi se sulmuesi i Barcelonës "është 'bosi' i një strukture kriminale".
Në procesin gjyqësor të ngritur ndaj tij disa dëshmitarë kanë thënë se futbollisti nuk ishte në dijeni të dokumenteve që firmoste dhe me këtë detyre kishte ngarkuar babanë e tij.
Një ditë më parë vetë Mesi tha se i kishte besuar të atit për çdo shkresë të firmosur dhe se gjatë viteve për të cilat ai akuzohet se ka shkelur ligjin, ka thënë se ka menduar vetëm të luajë futboll.
Nëse shpallen fajtorë, Mesi dhe babai i tij rrezikojnë nga 22 muaj burg.