Tirana kërkon një "bomber" nga Turqia për sulmin. Ashtu sikundër pati paralajmëruar "Panorama Sport", bardheblutë ishin përqendruar për ofensivën, në Afrikë. Në fokus ishte një senegalez dhe një nigerian, emrat e të cilëve janë zbardhur vetëm dje.
I pari quhet Papa Alioune Ndiaje, ose sikundër njihet ndryshe me nofkën "Uaigo", mund të jetë goditja më e madhe e 24 herë kampionëve të vendit. Ai luan në superligën turke me Osmanlisporin. Sezonin e fundit është aktivizuar në 33 ndeshje, duke e gjetur 11 herë rrugën e rrjetës. Gjithashtu, ka luajtur edhe në Ligën e Europës, në takimin kundër Zimbru të Kishinievit, sfidë që përfundoi në shifrat 2-2.
E vetmja formë që ai të transferohet në Shqipëri është huazimi, duke qenë se është në kontratë me turqit, të cilët edicionin e fundit e mbyllën kampionatin në vendin e 5-të. Ai mbetet i lirë vetëm në 30 qershor 2018, ndaj nëse do të kalojë te Tirana, duhet që fillimisht klubi të arrijë akordin me Osmnalisporin. Kartoni i tij shkon 4 milionë euro, ndaj nëse arrihet një akord, transferimi i tij do të ishte më i rëndësishmi për këtë merkato vere në kampionatin shqiptar.
Nigeriani
Peter Ebimobouei prej kohësh po ndiqet nga Tirana. Sulmuesi është vënë në shënjestrën e bardhebluve dhe, nga sa mësohet, negociatat po shkojnë në rrugë të mbarë. Nigeriani ka një karrierë të pasur, madje aktivizimi i tij në Egjipt tek Al Ahly ka bindur drejtuesit për vlerat e tij. Ai aktualisht luan në Kategorinë e Dytë egjiptiane me skuadrën e El Antag, ndërsa më parë ka qenë dhe pjesë e Bajelsa United. Gjasat janë që shumë shpejt të ketë një akord final me këtë futbollist dhe, nëse gjithçka shkon mbas planit, do t'i bashkohet ekipit në Zllatibor, atje ku skuadra është zhvendosur dje.
Gjino
Risia e vetme e listës së të grumbulluarve nga Tirana për në Serbi ishte emri i ish-kapitenit të Shpresave. Bashkë me ekipin dje ka udhëtuar edhe Klodian Gjino, 22-vjeçari i cili është formuar te grekët e Olimpiakosit. Në vitin 2013, ai u huazua në radhët e Fostiras, ndërsa ka luajtur edhe me Arisit të Selanikut, Panargiakosin dhe Kalamatan. Beratasi 22- vjeçar nuk ka firmosur ende, pasi gjatë qëndrimit në Zllatibor do të jetë në vëzhgimin e stafit teknik. Ish-lojtari i U-19 së Shqipërisë dhe 21- vjeçarëve po ashtu mund të luajë në rolin e mesfushorit me tipare sulmuese, por edhe në krahun e djathtë.
ADELA MERKO