Mesuese Valentina Femijet ne Greqi po e harrojne shqipen

Mesuese Valentina: Femijet ne Greqi po e harrojne shqipen
Valentina Jovani është mësuesja që u mëson shqipen nxënësve në një rajon të Athinës. “Shkolla shqipe, ku fëmijët e emigrantëve mësojnë të flasin dhe të shkruajnë gjuhën shqipe, është hapur në 10-Janar 2012 në mjediset e shkollës greke të Vironas, në Athinë. E quajtëm “Shkolla shqipe “Ismail Qemali”,- tregon për gazetën “Shekulli” Valentina. “Fillimisht,-tregon ajo,- iu drejtuam Kryetarit të Bashkisë së Vironas, Nikos Hardhalias, i cili bashkëbisedoi me drejtorin grek të shkollës, Joanis Kaçenios, duke i thënë qëllimin tonë dhe na dhanë 2 klasa. Japim çdo të shtunë mësimin e gjuhës shqipe. Ai na u tregua dashamirës, sepse e quajti të domosdoshme që fëmijët të mësojnë, paralelisht, edhe gjuhën e Atdheut të tyre”.

Sa nxënës erdhën ditën e parë dhe sa janë sot?

- Në fillim e nisëm me 18 nxënës, brenda 1 muaji u bënë 38 e më vonë 60 nxënës, por tani për shkak të krizës nxënësit janë kthyer në atdhe dhe numri sot është 43 nxënës.

Nxënësit në çfarë moshe janë, që vijnë të mësojnë gjuhën shqipe?

- Nxënësit i kam në moshën 6 deri13 vjeç, dhe i kam ndarë në dy grupe. Grupi i parë nga mosha 6-9 dhe grupi i dytë 9 -13 vjeçe.

A janë të gjithë nxënësit të interesuar të vijnë e të mësojnë gjuhën shqipe?

- Po, me ndihmën tonë, unë shikoj fëmijët të kenë një zell të madh për të mësuar gjuhen shqipe. Vetëm të shikoni në orën 9 pa një çerek, ditën e shtunë, ndodhen në shkollë, se një herë në javë japim mësim.

A flasin të gjithë nxënësit shqip?

- Nxënësit nuk e flasin mirë shqipen se kanë lindur këtu dhe me shumë përpjekje, si nga ana ime edhe të prindërve, arritëm diçka me sukses që recitojnë, të shkruajnë dhe të komunikojnë.

Përse morët iniciativë që të mësonit gjuhën shqipe fëmijëve, vullnetarisht, pa u shpërblyer?

- M’u dha mundësia edhe mua t’i jepja diçka atdheut tim këtu në emigracion. Duke dëgjuar fëmijët shqiptarë që flasin greqisht mes tyre, nuk më vinte mirë. Me ndihmën e shoqatës dhe degës së Partisë së Emigracionit, por dhe të vetë emigrantëve shqiptarë hapëm shkollën shqipe në mënyrë vullnetare. Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tanë këtu në emigracion ishte një ëndërr që sot po e realizojmë.

A kanë mësuar gjuhën shqipe fëmijët tuaj, në të folur dhe në të shkruar?

- Po fëmijët e mi nuk e kanë harruar gjuhën shqipe se unë ju flas dhe njëkohësisht venë 2 muaj e gjysmë në verë në vendin tim. Djali i vogël nuk e shkruan mirë, por bën ca gabime, gjithsesi komunikon lirshëm.

Emigrantët në familje, a e flasin gjuhën shqipe dhe a bëjnë përpjekje që t’ua mësojnë edhe fëmijëve gjuhën shqipe?

- Unë në familjen time e flas gjuhën, ndërsa  ka shumë emigrantë, që e flasin dhe ka shumë që nuk e flasin dhe për këta më vjen shumë keq. Kurse për prindërit e nxënësve të mi, doja të thoja se edhe ata janë fëmijët e mi, tregojnë që e duan gjuhën shqipe, detyrat që u japim në shtëpi i zhvillojnë dhe kur vijnë herën tjetër shikojmë që i kanë bërë me shumë zell.

Ju nuk jeni diplomuar për gjuhë letërsi dhe as për mësuesi, çfarë ju shtyu që të ndërmerrnit këtë iniciativë për të dhënë mësim vullnetarisht?

- Unë kam mbaruar Fakultetin Ekonomik, por u përkushtova kur morëm vendimin tu mësojmë fëmijëve gjuhën. Bëra shumë përpjekje me z Lulëzim Sali, që gjetëm fëmijët këtu në Virona dhe morëm lejen të hapnim shkollën. Hapja e shkollave shqipe në mënyrë vullnetare është një mesazh për fëmijët tanë. Por, është edhe një mësim për shtetin shqiptar, atë që nuk bëjnë institucionet, e bëjmë ne emigrantët për të mos harruar gjuhën fëmijët tonë.

Kur erdhët për herë të parë në emigrim?

- Një vit pas hapjes së kufijve.

Ku keni punuar në vitet e emigrimit?

-  Kishim një biznes familjar, kemi jetuar me punën e djersën tonë.

Vetë mësuesit grekë, në shkollën që jeni ju, si reagojnë, që në ambientet e shkollës së tyre, të ketë shkollë ku nxënësit e tyre, të mësojnë edhe gjuhën shqipe?

- Nuk kemi patur fare probleme me ata, përkundrazi habiten e na thonë “Ju lumtë!”.

Cili është emocioni më i prekshëm, nga mësimdhënia juaj me nxënësit?

-Emocioni im i prekshëm është kur ikin nga duart e prindërve e vijnë me vrap të më përqafojnë e të më tregojnë që i kemi bërë detyrat dhe i kemi bërë bukur. Prindërit më thonë, ngrihen me dëshirë të vijnë në mësim . “Ju faleminderit, më thonë për interesimin që u jep, e dashurinë që u tregon”. Dhe shumë u emocionova, kur u thashë “A jemi gati tu dërgojmë një letër gjyshit e gjyshes. Të gjithë nxënësit me një zë thanë: “Po, po mësuese”. S’ka gjë më të mirë dhe ndihesh kaq shumë krenare që kam nxënës të mirë. Shumë u emocionova edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë. Nxënësit më lumturuan, në mbrëmjen festive që organizuam për 100-vjetorin e Pavarësisë, në Athinë, sepse  kënduan dhe recituan në gjuhën shqipe dhe  kërcyen edhe vallet nga vendet e tyre.

Çfarë ndihmese konkrete keni patur nga shoqatat e ndryshme shqiptare? Po nga shteti ynë?

- Ndihmesë kam patur vetëm nga shoqata e Punëtorëve dhe partia e Emigracionit që kontribuuan me hapjen shkollës e lejen nga kryetari i Bashkisë. Për sa i përket shtetit shqiptar, e kemi thënë sa herë, na ka lënë si jetim, duke mos u interesuar fare. Mund të përmend edhe Ardian Gjokën, i cili përkujdeset që në klasën tonë të mos e shqetësojë askush.

Me sa di unë, sikur ka një shoqatë të mësuesve shqiptarë në Athinë. Cili është kontributi i kësaj shoqate?

- Lidhja e mësuesve ka hapur shkollat e saj dhe s’kam shumë lidhje sepse në seminaret që bëjnë, ftojnë vetëm ata mësues që janë anëtarë të tyre, të tjerët nuk i ftojnë. Ajo lidhje është si “Klubi i Selanikut”, përpiqen për egon e tyre,  të përçmojnë nëse nuk futesh në ombrellën e tyre. Dua tu them atyre se të tërë duhet të japim diçka për vendin tonë. Shkollën e gjuhës shqipe në Virona nuk e hapi Lidhja e Mësuesve, por ne vetë, unë dhe të tjerë emigrantë, që tu mësojmë alfabetin fëmijëve të tyre. Dhe, për këtë, zotërinjtë e Lidhjes së mësuesve m’u kundërvunë me pretekstin që nuk kam mbaruar pedagogjiken. Dhe ata, meqë kanë diplomën e pedagogjikes, rrinë kafeneve të Omonia-s, pretendojnë se japin mësim të gjuhës shqipe, që në fakt nuk hapin asnjë shkollë dhe nuk japim fare mësim të gjuhës shqipe.

Pra, paskeni përplasje me Lidhjen e Mësuesve të Athinës. A ju pengon ky problem në aktivitetin tuaj? 

Shoqatës nuk i pëlqen që unë të jap mësim vullnetarisht, sepse ata duan që mësimdhënien e gjuhës shqipe në Athinë ta bëjnë me pagesë nga shteti. Nuk kërkoj para, e mora vullnetarisht e ashtu do ta vazhdoj këtë mision. Po qe se atyre u vlen më shumë diploma e pedagogjikes, sesa dëshira për të kontribuar në mësimdhënien e gjuhës shqipe, kjo është gjë tjetër.

A keni përjetuar ju ndonjë çast që jeni vënë në pozita të vështira si mësuese?

- Po, një herë, donim të më hiqnin edhe mua, sepse nuk pranova të isha edhe aktiviste partie, por doja të isha vetëm mësuese. Sepse, ne japim mësim, e të tjerë, duan të mburren me kontributin tonë. Një mësuese, Juliana Peshën, e hoqën, nuk e lanë të jepte më mësim, edhe pse vullnetarisht, sepse nuk pranoi që të ishte anëtare partie.

Një herë tjetër, nuk u ndjeva mirë, kur Aleksia një nxënësja ime qau se nuk dinte të shkruante fjalën që i thashë... u prek dhe nuk u ndjeva mirë. E mësova sa arriti t’i shkruante vetë me dorën e saj. Ta shikoje gëzimin në sytë e saj, kur më tregonte fjalinë në shqip, ku shkruante, cila ishte, nga ishte dhe kë kishte njerëzit e familjes së saj.

Sikur të kishit mundësinë e të takonit ministrin e arsimit shqiptar, çfarë do t’i kërkonit?

Duhet të bëjnë gjithçka që mësimdhënia e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve të mos jetë spontane. Atdhedashuria vlerësohet me kontribute dhe jo me fjalime mburravece. Gjuha shqipe duhet të futet në shkollën publike greke ashtu siç janë edhe gjuhët e tjera.

Çfarë është Atdheu për një fëmijë në emigrim

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të ndihen si....arvanitas, sepse nuk do të dinë gjuhën, historinë e Atdheut.

Sipas jush, si mund të organizohet më mirë mësimdhënia e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve?

Fëmijet kanë shumë vështirësi dhe gjuha shqipe nuk mësohet me një herë në jave, por duhet të bëhet si programi në Shqipëri. Për ca vite të tjera, fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të paktën në Greqi, do të ndihen se janë....arvanitas, sepse nuk do të dinë gjuhën, historinë e Atdheut të tyre. Ky është krimi i politikës së braktisjes nga shteti shqiptar sot. Të ndërgjegjësohemi të tërë, sepse shuajmë ndërgjegjen kombëtare të fëmijëve tanë emigrantë.

A duhet të shpërndahen edhe dëftesa ose certifikata për nxënësit, që kanë bërë klasën e gjuhës shqipe?

Po, nga shteti shqiptar duhet t’u njihet, këtyre fëmijëve tu jepet një certifikatë sepse japin e mësojnë diçka. Por, do ta kenë edhe dokument, nëse duan të rikthehen në Atdhe, që zotërojnë gjuhën shqipe. Por, mbi të gjitha, do të jetë shpërblim moral për ata vetë, që jua shpërblen Atdheu, do të jetë kontribut i tyre për Atdheun e tyre. Do të ndihen krenarë, që jo vetëm të ndihen shqiptarë, por që i japin diçka Shqipërisë, duke mësuar gjuhën, historinë e Shqipërisë. Ju nuk mund ta vlerësoni peshën emocionuese të këtyre fjalëve, por për fëmijën emigrant që rritet larg Atdheut, gjithë Shqipëria për atë është gjuha që flet, historia që mëson. 

Sa vite duhet të bëjnë shkollën shqipe për të mësuar gjuhën këta fëmijë?

Fëmijët kanë shumë vështirësi dhe gjuha shqipe nuk mësohet me një herë në javë, as për një vit kurs.

Sa e njohin nxënësit emigrantë Shqipërinë dhe historinë e popullit tonë?

Për nxënësit që kam unë këtu e dy vjet po mundohemi tu njohim historinë e popullit, por prapë aq sa kemi mundësinë se orët që vinë duam tu mësojmë shkronjat, të dinë të shkruajnë emrat e tyre e të flasin shqip

Kë quajnë vendin e tyre nxënësit, Shqipërinë apo Greqinë?

Nxënësit e mi kur i pyes nga jeni... bërtasin të tërë: nga Shqipëria. Por, ka edhe nga ata fëmijë që e quajnë veten grekë.

Shkolla shqipe sulmohet nga “Agimi i Artë”

Janë hapur shumë shkolla ku fëmijët e emigrantëve mund të mësojnë gjuhën shqipe. Por, shkollat shqipe në Greqi janë sulmuar nga politikanët e ektremit të djathtë grek. Pas hapjes së shkollës shqipe në Kavala të Greqisë, Agimi i Artë organizoi një protestë duke kërkuar mbylljen e shkollës së mësimit të gjuhës shqipe. “Jashtë të huajt nga Greqia”, ishte një nga parullat kryesore të ekstremistëve të Agimit të Artë, të cilët protestuan pranë mjediseve ku zhvillohet mësimi. Ky projekt është aprovuar edhe nga ministria greke e arsimit dhe mësimi do të zhvillohet në ambientet e siguruara nga drejtoria arsimore. Në fakt nuk kemi të bëjmë me shkolla, por me kurse që zhvillohen çdo fundjavë ose në komplekset shkollore greke ose nëpër zyra shoqatash. Ekzistojnë mbi 18 shkolla të tilla. Mësimi i gjuhës shqipe bëhet falas për fëmijët e emigrantëve dhe mësuesit japin vullnetarisht mësim. Me urtësi, dashuri për fëmijët dhe të shtyrë vetëm nga ndjenja patriotike, mësuesit po bëjnë një punë të jashtëzakonshme

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama