Mesuesi pedofil Pse u tregove prinderve abortin e paguaja une

Mesuesi pedofil: Pse u tregove prinderve, abortin e paguaja une

“Pse ke pasur frikë që ke mbetur shtatzënë? Të kam thënë se nëse do të mbeteshe, do të çoja në Lushnjë dhe do të paguaja unë për abortin. Nuk duhej t’u kishe treguar prindërve. Çdo shqetësim duhej ta kishe diskutuar me mua.”

 

Këto janë fjalët tronditëse që grupi hetimor ka regjistruar gjatë përgjimit të mësuesit kujdestar Demir Hoxha me nxënësen 11-vjeçare gjatë ballafaqimit që u është bërë, pasi ajo, bashkë me prindërit, kishte denoncuar se ai e kishte përdhunuar sistematikisht për pesë muaj radhazi. Historia tronditëse e abuzimit seksual të përsëritur të 62-vjeçarit Demir Hoxha nga Zharneci i Divjakës ndaj një nxënëseje të klasës së pestë, është zbuluar vetëm tri ditë më parë, kur e mitura 11-vjeçare ka refuzuar të shkonte në shkollë. Ndërkohë, pas kryerjes së hetimeve paraprake, policia ka siguruar prova që kanë çuar në ndalimin e mësuesit pedofil.

Mësuesi pedofil

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier thuhet se mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:00 është kryer ndalimi i 62-vjeçarit Demir Hoxha, banues në fshatin Zharnec të Divjakës, me profesion mësues, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, në mënyrë të përsëritur me të miturën A. K., duke shfrytëzuar detyrën si mësues kujdestar i saj në shkollën 9-vjeçare të fshatit Kryekuq të Divjakës në Lushnjë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e kësaj shkolle. I arrestuari akuzohet nga policia për veprat penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” dhe “shpërdorim i detyrës”. Ndërkohë, nga burime të gazetës është mësuar se mesditën e së martës, prindërit e vogëlushes 11-vjeçare kanë denoncuar në polici mësuesin e saj kujdestar, Demir Hoxha, duke pretenduar se ky i fundit kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën.

 

Pas kryerjes së ekspertimit mjekoligjor, është konstatuar se e mitura ishte e defloruar e vjetër dhe hetuesit kanë marrë deklarimet e saj, ku mësohet të ketë shpjeguar se mësuesi e kishte përdhunuar në fund të muajit janar e më pas disa herë të tjera, deri herën e fundit të premten e javës së kaluar, më 29 maj. Pas sigurimit të këtyre provave, disa oficerë të policisë kriminale kanë shkuar në shtëpinë e Demir Hoxhës në fshatin Zharnec të Divjakës dhe kanë kërkuar fillimisht që të ushtrojnë kontroll për armë. Më pas i kanë kërkuar mësuesit 62-vjeçar që të shkonte me ta në Komisariatin e Lushnjës për të sqaruar një ngjarje. Pasi e kanë marrë në pyetje lidhur me denoncimin e prindërve të vogëlushes, mësuesi Demir Hoxha nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke këmbëngulur se ishte e pavërtetë.

Dëshmia e tij

Por, më pas, ai është lënë në një dhomë së bashku me vajzën e mitur, ku ka tradhtuar veten. Duke mos e ditur se ishte nën vëzhgim, ai i ka thënë nxënëses së tij se përse u kishte treguar prindërve. Nga burime të gazetës mësohet se ai i ka thënë 11-vjeçares se çdo shqetësim duhej ta kishte ndarë me të dhe jo me prindërit. Madje, i është shprehur se, nëse do të kishte pasur dyshime për mbetjen shtatzënë, atëherë mund të kishte folur me të dhe se ai do t’i jepte paratë që nevojiteshin për abortin. Kaq ka mjaftuar dhe rreth orës 20:00, pasi është përfunduar ballafaqimi mes 62-vjeçarit Demir Hoxha dhe nxënëses së tij, ku i dyshuari nuk ka arritur dot të mbrohet, policia ka vendosur ta ndalojë atë. Madje, burimet policore thanë se gjatë marrjes së deklaratës, ai e ka pranuar abuzimin e kryer me të miturën.

Dëshmia e vajzës

Nga hetimet paraprake të policisë janë ngritur dyshimet se Demir Hoxha kishte abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me nxënësen e tij. Sipas dëshmisë së dhënë nga e mitura, ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të që në fund të muajit janar. Mësohet se ajo është shprehur se akti është kryer në ambientet e klasës së pestë që kishte në kujdestari mësuesi Demir Hoxha. Ai shkonte çdo mëngjes më herët se mësuesit e tjerë në shkollë, duke u justifikuar me faktin se atë kohë e shfrytëzonte për të punuar ditarin. Po kështu, edhe nxënësja e tij e preferuar mësohet se shkonte po ashtu rreth orës 07:00 në shkollë, në një kohë kur nuk kishin mbërritur ende nxënësit e tjerë. Kjo, pasi ajo banonte larg shkollës dhe shkonte aty çdo mëngjes me autobusin e një të afërmi që kalonte rreth orës 07:00 para shkollës 9-vjeçare të fshatit Kryekuq. Gjithashtu, nisur nga hetimet paraprake dyshohet se Demir Hoxha shfrytëzonte edhe kohën e pushimit të gjatë apo orët e tjera, si ato të fizkulturës për të qëndruar në klasë i vetëm me nxënësen 11-vjeçare. Sipas burimeve të gazetës, nga deklarimet që i janë marrë të dëmtuarës, ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj në fund të muajit janar e më pas në mënyrë të përsëritur, sa herë që krijonte mundësinë për të qëndruar të vetëm në klasë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama