Mesymja e doktoraturave

Mesymja e doktoraturave
Megjithëse papunësia mes të diplomuarve me doktoraturë rritet, universitetet nëpër botë vazhdojnë ta rrisin numrin e të diplomuarve me PhD. Kjo ka bërë që qeveritë të pyesin nëse është koha për ta ngadalësuar prodhimin.

Një studim i ri vëren se Kina është lideri botëror për prodhimin e doktoraturave, duke lënë pas ShBA-në që prej 2008-ës. Që nga ai vit, gjigandi aziatik ka dhënë rreth 240 mijë doktoratura më shumë sesa në 30 vitet e shkuara, pasi programet e doktoraturave u bllokuan gjatë revolucionit kulturor. Doktoraturat do të rinisin më 1978-ën, kur vetëm një shifër krejt modeste me 18 studentë kishin nisur doktoraturën. Që  atëherë regjistrimi në doktoratura është përhapur me 24 për qind në vit.

Sipas autorit të këtij studimi, Dr Les Rymer, numri i profesorëve të kualifikuar që duhej të mbikëqyrnin programet doktorale të Kinës, ka rritur frikën se sasia nuk përputhet me cilësinë.

Rymer thotë se çdo profesor i kualifikuar kinez duhet të supervizojë 5.77 doktorantë, shumë më shumë sesa mesatarja ndërkombëtare. Gjithashtu, papunësia në Kinë mes të pasdiplomuarve është rritur shumë shtatë vitet e fundit, një shifër më e madhe se ajo e të padiplomuarve.

Kjo është arsyeja pse Kina po vë theksin në rritjen e numrit të Doktoraturave profesionale dhe vënien në lëvizje të industrisë së kërkimit.

Tabloja globale

Sipas  Rymer-it, një çështje që nxit debatin rreth arsimit të doktoraturave është tabloja se të paktën në disa disiplina, universitetet po prodhojnë shumë doktorantë.

Ai thotë se kjo buron pjesërisht nga pranimi se shumë të diplomuar me doktoraturë nuk janë në gjendje të gjejnë pozicione akademike. Megjithatë, universitetet nëpër botë vazhdojnë të rrisin numrin e doktoratave. Në SHBA, rreth 400 institucione kanë programe PhD dhe për  periudhën 1920-1999 janë doktoruar më shumë se 1.35 milionë persona. Nga këta, 62% kanë qenë në shkencë dhe inxhinieri “edhe kjo një pasqyrim i mënyrës në të cilën ekonomitë moderne po bëhen më të varura nga zhvillimet teknologjike”,- thotë Rymer. Ndërsa në Brazil, gjatë dekadës së 2000-ës është dyfishuar numri i doktorantëve në universitet. Gjatë kësaj periudhe, në vendet e OECD-së numri i doktoratave në shkenca është rritur me afro 40%, duke kapur shifrën e 34 mijë personave. Në Egjipt, nga 1998 në vitin 2009 regjistrimi në Doktoraturë është dyfishuar, duke kapur shifrën e 35 mijë studentëve. Madje edhe Zimbabveja e varfër kërkon që deri në vitin 2015, çdo lektor universitet të ketë Doktoraturë. Malajzia ka vënë objektivin e 60 mijë të diplomuarve me PhD deri në vitin 2023, ndërsa Bashkimi Europian po planifikon të krijojë punë të reja kërkimore deri në vitin 2020, kurse India shpreson të nxjerrë rreth 20 mijë PhD në vit.

Studimi

Në studimin 60 faqesh të botuar nga grupi i tetë universiteteve kërkimore australiane, Rymer përshkruan rritjen e doktoraturave nëpër botë, arsyet pse shtetet duan më shumë e më shumë doktoratura, diversiteti në rritje mes studentëve doktoralë, problemet financiare me të cilat përballen universitetet dhe përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e trajnimit kërkimor.

Studimi ngre pyetjen nëse qëllimi për të rritur numrin e të diplomuarve me PhD do të jetë në kurriz të cilësisë së tyre dhe nëse shpërblimet për të pasur një  PhD do të kompensojnë kostot për ta përftuar një të tillë. Rymer është këshillues politikash në arsim në selinë e Grupit të të Tetëve në Canberra-s, de ka qenë këshilluesi kryesor i qeverisë së Zelandës së Re në kërkim dhe inovacion.

Ai thotë se rritja e madhe e doktorantëve do të thotë se tani është një popullatë më e ndryshme me të diplomuar PhD se në të kaluarën. Gjithashtu me numrin e rritur të popullsisë me këtë kualifikim natyra e tij elitare priret të zhduket, po ashtu edhe shpërblimi i pritur.

“Brena Europës, procesi i Bolonjës konvergon me programet e doktoraturave nëpër vende të ndryshme; një PhD që përmblidhet në një program 3-4 vjeçar pas një diplome Masteri”.

Doktoraturat dhe vendet e punës

Sipas Rymer, si qeveritë ashtu edhe opinioni publik e kuptojnë rëndësinë e doktoraturave.

Por, ndërsa numri i të diplomuarve nëpër botë është duke u rritur shumë, fatkeqësisht mundësitë e punës për këta të diplomuar me doktoraturë jo gjithmonë shfaqen të barabarta me kostot oportune të përfshira në kohën e studimit të doktoraturës, të paktën jo për vetë të diplomuarit.  Punët e ofruara mund të mos kenë siguri apo status, mund të paguhen keq, nuk përdorin drejtpërdrejt aftësitë e veçanta apo njohuritë e disiplinës që ka marrë i diplomuari, ose mund të mos kërkojnë fare kualifikim doktorature. Ai tregon se nga një raport i statistikave të Byrosë së Punës në ShBA, ka rreth 317mijë kamerierë dhe kameriere me diploma kolegji dhe më shumë se 8 mijë kanë doktoraturë apo diploma të tjera profesionale. Në Britani, thuajse 80 % e atyre që marrin doktoraturë në shkencë do të gjejnë punë jashtë shkencës. Situata është e ngjashme edhe  sa u përket shkencave sociale, humanitare apo arteve kreative.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama