TIRANË, 19 Tetor / ATSH / - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik në Detin e Zi (PABSEC) Asaf Hajiyev.
Kryetari i Kuvendit i uroi mirëseardhjen Hajiyev në Tiranë me rastin e takimit të 45-të të Komisionit të Kulturës dhe Çështjeve Sociale të PABSEC dhe i vlerësoi përpjekjet e vendeve anëtare të organizatës për forcimin e rolit të Asamblesë Parlamentare si një instrument që duhet fuqizuar më tej në interes të bashkëpunimit rajonal.
Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik në Detin e Zi (PABSEC) Hajiyev, shprehu gjatë takimit mirënjohjen për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të rritjes së efikasitetit të Asamblesë Parlamentare dhe në mbështetje të objektivave të përbashkëta të vendeve anëtare të PABSEC.
Kryetari i Kuvendit, Meta, nga ana tjetër shprehu vullnetin e Shqipërisë për të rritur prezencën e saj në organet teknike të PABSEC dhe në këtë kuadër theksoi se "vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj forcimit të rolit dhe efikasitetit të kësaj asambleje të rëndësishme parlamentare rajonale veçanërisht në mbështetje të rritjes së ndërlidhjes rajonale dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes vendeve anëtare".
/k.m/ /a.ke/