Meta-BartoloneTe forcojme me tej marredheniet France-Shqiperi

- Gjatë pjesëmarrjes në konferencën për ndryshimet klimatike në Mesdhe -

TIRANË, 16 Tetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta që ndodhet në Paris në kuadër të pjesëmarrjes në
konferencën ndërkombëtare për ndryshimet klimatike në Mesdhe, u takua me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Francës, Claude Bartolone.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, dy homologët vlerësuan intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare mes Francës dhe Shqipërisë, ndërsa ndanë bindjen se duhen më tepër përpjekje për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Kryeparlamentari Meta vuri në dukje se Franca përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në BE dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme franceze ndaj procesit të integrimit evropian. Kreu i Kuvendit u takua gjithashtu dhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Marokut, Rachid Talbi el Alami, zv/presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, kryeparlamentarin e Qipros, Yiannakis Omirou, etj.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencën e Parisit, që po organizohet në kuadër të Presidencës franceze të Konferencës se ardhshme botërore COP21, kreu i Kuvendit tha se Kontributi Kombëtar i Synuar (INDC) i Shqipërisë përcakton një reduktim të dioksidit të karbonit (CO2) me 11.5% deri në vitin 2030, duke e konsideruar këtë një synim kombëtar.
"Paketa e masave që synon reduktimin e gazrave me efekt serrë lidhet me investimet në fushën e ndërtimit, atë të industrisë dhe transportit, me një kosto të përafërt totale prej rreth 700 milionë eurosh deri në vitin 2030", tha Meta.
Përfaqësuesit parlamentarë të vendeve të zonës euro-mesdhetare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme diskutuan mbi sfidat mjedisore të rajonit, të cilat po sjellin pasoja ekonomike, demografike, sociale dhe çrregullime klimaterike.
Pjesëmarrësit ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, në mbështetje të përpjekjeve të qeverive respektive për hartimin e një plani konkret masash të rrepta dhe me qëllim implementimin e angazhimeve të secilit vend në këtë drejtim. /a.s/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama