Meta Biseda e fundit me Berishen dhe pikat e marreveshjes me Ramen

Meta: Biseda e fundit me Berishen dhe pikat e marreveshjes me Ramen
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, garanton se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet dhe paralajmëron Berishën që të mos përpiqet të mbajë pushtetin me dhunë. Mohon zërat se kandidatë të LSI do të jenë në listat e PS dhe jep detaje për marrëveshjen që po përgatit me Ramën

Kryetari i LSI, Ilir Meta. paralajmëron Berishën që të heqë dorë nga plani për të prekur zgjedhjet. Në një intervistë në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Meta kërkon riformatim të KQZ-së, ndërsa rrëfeu edhe bisedën e fundit me Berishën, para se të shpallte daljen nga qeveria.

Zoti Meta, çfarë do të ndodhë tani me KQZ-në? Do të propozojë LSI emra të rinj?

LSI nuk mund të bëhet pjesë e legjitimimit të një farse. Nuk kemi më KQZ. Ai nuk është më siç e parashikon Kushtetuta dhe Kodi, një institucion i pavarur. Nuk është dhunuar thjesht një person. Është dhunuar institucioni dhe ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Përpjekja për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme KQZ-në nuk mund të legjitimohet jo nga LSI-ja por edhe nga e gjithë opozita.

Çfarë mund të bëjë opozita? Po shikojmë që po braktisni çdo gjë.

Opozita nuk braktis asgjë, veçanërisht betejën për zgjedhje të lira. Ajo do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve por afrimin e tyre nëse ka mundësi. 23 qershori u duket të gjithëve shumë larg. Opozita i ka të gjitha kapacitetet dhe instrumentet për të garantuar edhe një votë të vetme në të gjithë territorin. Ajo që po ndodh është që sot të gjithë projektorët brenda dhe jashtë vendit janë të përqendruar te Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolut mbi çdo institucion do të arrijë të imponojë shumica që nuk ekzistojnë. Të gjitha zgjedhjet historikisht kanë treguar qartë që PD është pakicë dhe e majta shumicë, pavarësisht nga historitë, problematikat e saj në vitin 2005 apo në vitin 2009. Pra nëse ai do ta mbajë KQZ-në kështu siç do, nuk ka asnjë problem.

Le të shtojë edhe tre të tjerë, ta bëjë 7 me 0. Meqenëse kishte nostalgji për këtë lloj KQZ-je, siç ka qenë deri në vitin ‘96-‘97, por kjo nuk është kjo kohë. Opozita sot është në një stad tjetër dhe është tepër e bindur që do të garantojë një rrotacion të pashmangshëm dhe të sigurt. Unë mendoj se jemi ende herët për të komunikuar më shumë detaje. Por për një gjë të jeni të bindur, opozita nuk ka asnjë qëllim që të bojkotojë zgjedhjet, apo të shesë zgjedhjet, përkundrazi. Opozita do të jetë në gjendje të mbrojë votat e të qytetarëve shqiptarë. Mjerë ai që do të prekë edhe një votë të vetme!

Kur thoni kështu, keni parasysh kryeministrin Berisha?

Unë kam parasysh cilindo që mendon se mund të vërë dorë mbi një fletë të vetme votimi. Kaq kam parasysh, asgjë tjetër.

Me çfarë do të përballet?

Do të përballet me ligjin dhe me të gjithë qytetarët. Unë mendoj se këto ata që kanë kurajë për t’i provuar, le të provojnë. Nuk ka asnjë problem. Ne kemi të drejtë të kërkojmë zbatimin e ligjit, kemi të drejtë të kërkojmë respektimin e standardeve të cilin e shohim me vend. Kemi qenë shumë konstruktivë, do vazhdojmë të jemi të tillë, por absolutisht ta heqë nga mendja Berisha, lidershipi ekstrem i Partisë Demokratike, nuk po flas për njerëz të arsyeshëm, por për ata të cilët votojnë, nuk e besojnë etj., duhet ta dinë shumë mirë se me dhunë nuk mbahet pushteti. Edhe një votë e vetme po të preket, përgjegjësinë do ta kenë të drejtpërdrejtë, kjo duhet të jetë e qartë. Shqipëria nuk mund të kthehet në vitin ‘96-‘97. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, dhe Shqiptarët e kanë vendosur që do të ecin përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e ndryshimit.

Po thoni që protesta popullore është  një opsion i opozitës për të mbrojtur  votën e lirë?

Kjo është histori që ka përfunduar. Tani Berisha duhet të gjejë mënyrën si të dalë nga kjo situatë,  do të dalë me dinjitet, me përgjegjshmëri, me reflektim. Ai rezultatin e humbjes së tij nuk e ndryshon dot, të jeni të sigurt. Le të paguajë qeveria aktuale miliona dollarë për “PODESTA Group”, që arriti sot të falsifikojë dhe të manipulojë këtë institucion ndërkombëtar, edhe media ndërkombëtare erdhën në deklaratën e drejtorit të Departamentit të Shtetit, dhe gjithë këto fonde merren nga taksapaguesit shqiptarë, jo thjesht  nga ata që kontribuojnë për Partinë Demokratike, dhe gjithçka tjetër. Ndryshimi do të ndodhë në mënyrën më absolute.

Jeni të hapur për negociata për një riformatim të KQZ-së?

Patjetër. Absolutisht. Në bazë të ligjit, në bazë të konsensusit, absolutisht që po, patjetër.

Ju e takuat z. Berisha, u duk sikur u ndatë në mënyrë paqësore?

Raportet tona gjatë këtyre katër viteve, nga momenti që u iu përgjigja pozitivisht ftesës për bashkëqeverisje. Kanë qenë konstruktive mendoj dhe kanë qenë bashkëpunuese. Kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, të cilat në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht, në raste të tjera nuk ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme, por janë shprehur ballë për ballë. Dhe në takimin e fundit që ne kemi zhvilluar më datën 1 prill, unë e kam falënderuar për bashkëpunimin që kemi pasur dhe njëherësh i kam bërë të qartë që kisha vendosur të bëja një zgjedhje tjetër, për ato arsye që pak a shumë janë bërë të njohura.

Ia thatë hapur që do të bëni koalicion me PS-në dhe si e priti këtë?

Po, po patjetër. Po të më kishte thënë në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar prish balancat, të jeni të sigurt që unë besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur,   me zotin Muho, pa qenë e nevojshme për të krijuar trauma të tilla.

Pra,  do ta kishit tërhequr zotin Muho në rast se do t’ua kishte kërkuar z. Berisha?

Unë besoj se po, sepse për mua nuk ka qenë e rëndësishme ishte 4 me 3 apo 3 me 4. Nuk ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshje me Ramën se do të kontrollohen KQZ-ja dhe  KQV-të. Për më tepër që numërimi është shumë qartazi që realizohet 2 me 2, pra dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Gjithçka tjetër mendoj se ka qenë një ekzagjerim për të justifikuar me propagandë bolshevike një veprim të dhunshëm bolshevik.

…Unë e kam pasur edhe në reklamën e këtij emisioni thënien e famshme të kryeministrit që “opozitës do t’i lëmë ngjalat e Nar Kokës, ndërkohë që ne do të ecim përpara dhe do të fitojmë”…

E kam dëgjuar edhe unë shpesh këtë thënie dhe këtë betejë të doktorit me Nar Kokën. Në kushtet kur ai po i shmanget një debati me z. Rama, shpresoj të ketë me dëshirë një debat me Nar Kokën.

Berisha është një burrë shteti apo një diktator?

Mendoj se është në një provë të madhe tani për t’iu afruar njërës apo tjetër dhe kjo do të duket në raport me zgjedhjet. Ai është i pafuqishëm për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. E theksoj këtë, edhe ai vetë e di shumë mirë. Edhe ai vetë e di shumë mirë këtë gjë. Por ka shumë rëndësi që qëndrimi i tij në rast se ai do të donte të mbetej apo t’i afrohej vlerësimit të parë dhe jo të dytit. Të shikojë interesat e vendi, interesat afatgjata. Nuk është e rëndësishme nëse PD merr 58 apo 62 mandate. Nuk është kjo që do të mbahet mend pas 23 qershorit. Ajo që do të mbahet mend është nëse zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme apo zgjedhjet në Shqipëri edhe pse fitoi opozita nuk i kishin standardet e duhura për shkak të sjelljes të pakontrolluar dhe të papërmbajtur të mazhorancës, e cila natyrisht ka një emër.

Edi Rama ka deklaruar në këtë studio një javë më parë se LSI nuk i ka prishur kurrë marrëveshjet. Cili është thelbi strategjisë së ribashkimit tuaj me kreun e PS-së dhe respektivisht të partive që drejtoni?

Një nga ndarjet themelore midis PS-së dhe LSI-së është ajo që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, të cilat reflektuan edhe në ndryshimet në kodin zgjedhor dhe praktikisht u përqendruan shumë pushtete tek kryeministri dhe u dobësuan shumë balanca të cilat ishin të fiksuara në Kushtetutë. PS ka reflektuar për këtë dështim dhe mendoj se tashmë ne pajtohemi në një angazhim të përbashkët për të realizuar jo thjesht një marrëveshje 4-vjeçare për marrjen e pushtetit dhe për ndarjen e tij, sepse nuk mendoj se kjo është më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, por për të realizuar një marrëveshje afatgjatë strategjike e cila duhet të ketë si qëllim final anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes stabilizimit të institucioneve, pavarësisë dhe modernizimit të tyre e njëkohësisht përmes politikave ekonomike dhe sociale që sjellin standardet konkrete në mirëqenien e çdo qytetari shqiptar…

Z. Meta, nëse fitoni zgjedhjet ju vetë do të merrni pjesë personalisht në një kabinet qeveritar?

Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë dhe absolutisht që nuk është gjëja më e rëndësishme për mua as për LSI-në….

Cili do të jetë roli i LSI-së në një kabinet të nesërm? Pasi ndokush mund të thotë se, se LSI-ja  mund të drejtojë të njëjtit sektorë që ka drejtuar edhe gjatë këtyre 3-4 viteve me Partinë Demokratike.

LSI-ja nuk e ka këtë problem dhe këtë shqetësim. Roli i LSI-së do të përcaktohet nga vota që do të marrë LSI-ja, pra nga kontributi që ajo do të japë për sukses të përbashkët. Lidhur me çdo paragjykim,  është normale që të ketë edhe paragjykime, që të ketë edhe keqdashje. Këto nuk na shqetësojnë aspak pasi LSI-ja është angazhuar për të ardhmen, për të bërë një transparencë totale të qeverisjes deri tani, përfshirë edhe sektorët ku kanë drejtuar titullarët e LSI-së.

Në një shkrim z. Panariti sugjeronte shkruante për lista të përbashkëta PS-LSI, jo në të gjithë vendin, mund të maksimizojnë votat e së majtës. Mendoni që ky është një sugjerim që mund të konkretizohet ?

Nuk e kam lexuar intervistën e plotë të profesor Panaritit, kam dëgjuar  shumë lajme që LSI-ja do të marrë 3 apo 4 deputetë tek listat e PS e gjëra të tilla. Ka pasur disa shkrime. Janë normale. Nuk ka asnjë problem. Ajo që mund t’ju them juve, lidhur me këtë rast është që bindja ime që LSI është një forcë politike e cila nuk kërkon më shumë sesa miraton. Gjithçka e kërkon e bazon tek puna e saj, tek vota, tek mbështetja që ajo gëzon dhe konfirmon, që do të thotë se LSI do të ketë listën e saj dhe absolutisht nuk shikon që listat e përbashkëta do të sjellin maksimizimin e fitores. Çdo forcë politike do të maksimizojë kontributin e saj, vota e saj, mandatet e saj dhe në këtë mënyrë maksimizohen votat dhe mandatet e të gjithë koalicionit.

Ju përjashtoni mundësinë e elementëve të LSI-së në listat e PS-së apo anasjellas?

Është jo normale dhe nuk ka arsye pse. LSI është një forcë politike e cila në bazë të këtij Kodi dhe kësaj zgjedhjeje që ka bërë dhe maksimizon në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e mandateve të saj.

Po lista të “zeza” i keni imponuar njëri-tjetrit? P.sh i jeni imponuar z. Rama për mospërfshirjen e Dritan Priftit në listat e PS?

Është për të ardhur keq për shumë reagime të ndryshme, të cilat nuk meritojnë asnjë lloj vëmendje. Unë nuk ndërhyj në çështjet e brendshme të PS-së. As nuk kam të drejtë të vë kushte dhe as nuk pranoj kushte për çështje të brendshme të LSI-së. Janë forumet e LSI-së ato që vendosin. Ne jemi duke realizuar një marrëveshje historike që i jep fund një periudhe të gjatë të ndarjes dhe të konfliktit brenda të majtës. Jam i bindur që do të gjejmë një perspektivë të re afatgjatë edhe strategjike. Kjo që e majta, jo thjesht PS-LSI, të mundet të japë më të mirën e saj për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri shumë më të denjë. Ky qytetarët ndihen të sigurt dhe nuk janë kaq të ndikuar nga politika siç janë sot. Kjo është e papranueshme ndërkohë që qytetarët kanë probleme të tjera dhe kanë nevojë të jenë sa më të qetë në jetën e tyre dhe kjo do të ishte një standard i lartë për vetë jetën dhe mirëqenien e tyre.

A do të tentohet edhe një ribashkim i LSI-së me PS-në?

Nuk mendoj se kjo është një çështje që është në rendin e ditës apo mund të jetë në rendin e ditës. Kryesorja është t’i qëndrojmë fort atyre parimeve dhe atyre objektivave strategjike dhe PS-LSI mendoj se janë mjaft komplementare për njëra-tjetrën.

Për Berishën

Po të më kishte thënë në këtë takim Berisha që anëtari që ju keni propozuar prish balancat, të jeni të sigurt që unë besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur, me zotin Muho, pa qenë e nevojshme për të krijuar trauma të tilla.

KQZ

Pra, nëse ai do ta mbajë KQZ-në kështu siç do, nuk ka asnjë problem. Le të shtojë edhe tre të tjerë, ta bëjë 7 me 0. Meqenëse kishte nostalgji për këtë lloj KQZ-je, siç ka qenë deri në vitin ‘96-‘97, por kjo nuk është kjo kohë.

 

Për Ramën

Një nga ndarjet themelore midis PS-së dhe LSI-së është ajo që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, të cilat reflektuan edhe në ndryshimet në kodin zgjedhor dhe praktikisht u përqendruan shumë pushtete tek kryeministri. PS ka reflektuar për këtë dështim

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama