Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot ambasadorin e ri të Italisë, Alberto Cutillo
TIRANË, 23 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot ambasadorin e ri të Italisë, Alberto Cutillo, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e tij të re.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pasi i cilësoi marrëdhëniet e ngushta me Italinë si të shkëlqyera shprehu vullnetin për ta ngritur cilësinë e bashkëpunimit dypalësh në një nivel më të lartë, veçanërisht për sa i përket investimeve italiane në Shqipëri.
Në këtë drejtim Meta vuri në dukje bashkëpunimin e afërt ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Italisë dhe theksoi se mbështetja në funksion të intensifikimit të axhendës së bashkëpunimit dypalësh do të jetë maksimale.
Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, shprehu kënaqësinë për misionin e tij të ri në Shqipëri dhe e falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Meta për mbështetjen e tij dhe të Kuvendit në mbarëvajtjen e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve fqinje.
Në këtë kuadër ambasadori Cutillo nënvizoi se axhenda e tij diplomatike do të fokusohet në thithjen e grupeve më të mëdha investuese italiane në Shqipëri veçanërisht në sektorët e energjisë, turizmit, etj.
Në përfundim, Meta, duke shprehur mirënjohjen për rolin e Italisë si një partner gjithnjë në avantgardë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, theksoi se përpjekjet e gjithë klasës politike shqiptare duhen përqendruar në avancimin e reformave kyçe si ajo e sistemit të drejtësisë, e cila do të hapë rrugën për hapjen e procesit të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësim. /a.ke/