Kreu i LSI-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke e quajtur një gjysmë të vërtetë deklaratën e ish kryeministrit Berisha, se ishte Rama që në 2007 propozoi Halim Kosovën për President, theksoi se konsensusi nuk u arrit pikërisht për shkak të Berishës.
Gjatë një konference për mediat, Meta sqaroi të vërtetën sipas tij të atij propozimi në vitin 2007, kur tentohej të mbërrihej në një emër të përbashkët e konsensual mes palëve për të parin e shtetit.
“Për sa i takon faktit që ka përmendur Berisha, ai është i vërtetë deri diku, kam qenë pjesë e bisedimeve në 2007, për zgjedhjen e një kandidati për President konsensual, në atë kohë ne në opozitë, edhe unë vetë personalisht kemi propozuar Kosovën. Por, ajo që nuk tha Berisha ishte se e vetmja pengesë për konsensusin për këtë kandidat ishte vetë Berisha”- tha Meta.
Ai theksoi më tej se nuk e sheh ish kryeministrin dhe ish kreun e PD-së, aktiv në mbështetje të kandidatit të djathtë për bashkinë e Tiranës.
“Nuk e shoh aktiv për një mbështetje thelbësore për kandidatin aktual të opozitës në kryeqytet, pasi doktori kur mbështet nuk rri pas FB, por del në fushën e betejës”- tha ai.