Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e 7-të të Kryetarëve të Parlamenteve te vendeve te Ballkanit Perëndimor që u mblodh në Budapest
TIRANË, 17 Tetor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e 7-të të Kryetarëve të Parlamenteve te vendeve te Ballkanit Perëndimor që u mblodh në Budapest, nën kujdesin e Parlamentit të Hungarisë.
Gjatë fjalës së tij si i ftuar nderi në hapje të Konferencës, Kryetari i Kuvendit Meta evidentoi progresin substancial të bërë nga vendet e rajonit gjatë dy viteve të fundit, duke veçuar anëtarësimin e Kroacisë në BE, marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, avancimin e dialogut Serbi-Kosovë, hapjen e negociatave të anëtarësimit për Serbinë dhe progresin e bërë nga Mali i Zi në kuadër të procesit të negociatave.
"Nuk duhet të harrojmë se ku ishte rajoni para 15 viteve, dhe ku jemi sot. Të gjithë vendet janë të lidhura ngushtë përmes një marrëdhënieje kontraktuale me Bashkimin Evropian në një rrugëtim solid integrimi", u shpreh Meta.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se sfidat e rajonit tonë sot janë të ndara në dy dimensione, në sfida të brendshme ku sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë kyçe për konsolidimin e demokracisë, dhe nga ana tjetër në sfida të jashtme, ku kriza ekonomike evropiane, zhvillimet në Ukrainë dhe rritja e populizmit e euroskepticizmit cenojnë vlerat e solidaritetit në kontinentin tonë.
"Ngjarjet e fundit në Krime, duhet të na e forcojnë bindjen se integrimi euro atlantik i vendeve tona, është më i rëndësishëm sot se 20 vjet më parë. Ndaj vlerësojmë se Procesi i Berlinit dhe Deklarata e Vjenës ne gusht ka një rëndësi te veçantë për të gjithë rajonin, duke hapur rrugën për projekte konkrete e të prekshme zhvillimore për qytetaret tanë", - u shpreh Meta.
Shqipëria i qëndron opinionit se bashkëpunimi rajonal duhet të marrë kuptim vetëm përmes një plani të qartë masash bashkërisht me Bashkimin Evropian duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në konkretizimin e iniciativave rajonale, veçanërisht në fushat ekonomike dhe atë të sigurisë, në ndërlidhjen infrastrukturore që është kyçe për thithjen e investimeve të huaja, dhe patjetër duke rritur mobilitetin rajonal dhe arsimin profesional të të rinjve tanë të cilët preken më shumë nga papunësia.
Duke u ndalur në sigurinë rajonale, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nënvizoi se rritja e populizmit që lulëzon në momente të vështira ekonomike, sfidat e terrorizmit ndërkombëtar dhe zhvillimet shqetësuese në kufijtë lindorë të Evropës, e rrisin nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal për të mbyllur të gjitha vatrat e mundshme të pasigurisë që cenojnë paqen dhe stabilitetin.
"Nëse duam t'i japim fund njëherë e përgjithmonë çdo tendence populizmi, nacionalizmi kulturor dhe tensionesh etnike, duhet të rrisim ndërlidhjen në drejtim të transportit, energjisë, tregtisë, mobilitetit njerëzor, kulturor dhe arsimor, dhe njëkohësisht të forcojmë parametrat e qeverisjes, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat themeltare", - theksoi Meta.
Në këtë kontekst, Meta i ftoi kolegët e tij parlamentarë që të mbështesin edhe më fort përshpejtimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe kërkoi që të përfundojë procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së dhe nga ato vende në rajonin tonë që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për sigurinë rajonale.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se parlamentet e vendeve të rajonit duhet të shumëfishojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta në rritjen e shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare, në drejtim të rritjes së ndërlidhjeve infrastrukturore dhe në interes të forcimit të parametrave të demokracisë dhe qeverisjes në secilin prej vendeve të rajonit të Evropës Juglindore.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta takon Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, z. Laszlo Kover
Në kuadër të punimeve të Konferencës së 7-të të Kryetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Budapest, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta takoi Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, z. Laszlo Kover, të cilin e falënderoi për ftesën dhe për organizimin e kësaj konference sërish në Budapest.
Meta vlerësoi mbështetjen e Hungarisë ndaj procesit të integrimit e evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, dhe vuri në dukje se Konferenca e Budapestit evidentoi qartazi se perspektiva evropiane e rajonit tonë duhet përshpejtuar në interes të stabilitetit e prosperitetit.
Kover e falënderoi z. Meta për pranimin e ftesës në këtë konferencë rajonale dhe bëri një vlerësim të veçantë për marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy parlamenteve janë kyçe për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Meta dhe Kover ndanë bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në marrëdhëniet e ngrohta njerëzore dhe në një lidhje të fortë historike mes dy popujve tanë. Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve parlamentare në interes të bashkëpunimit në fushat e tregtisë, investimeve dhe shkëmbimeve arsimore.
.f.n/