Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha dje se është partizan i dialogut politik dhe po punon në krye të këtij institucioni të nxisë bashkëpunimin dhe vendimmarrjen gjithëpërfshirëse. Meta, gjatë vizitës së tij në Bruksel, ishte i ftuar i veçantë në seancën dëgjimore të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe ecurisë së procesit të integrimit europian. “Unë jam partizan i dialogut dhe besoj se të gjithë biem dakord me faktin që Shqipëria ka nevojë për një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik që të përparojë me axhendën e saj europiane të reformave dhe, në pikëpamjen time, kjo kërkon një mënyrë dialogu gjithëpërfshirëse, që nënkupton hapësira shtesë për opozitën që të shprehet dhe të jetë kontribuese konkrete në funksionimin demokratik të Kuvendit”, tha Meta. Duke folur për rolin e opozitës në Parlament, Meta tha se ka arritur si drejtues i këtij institucioni t’i japë asaj vendin që duhet të ketë. “Bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës është i prekshëm dhe i dukshëm.
Si kryetar i Kuvendit, unë kam kënaqësinë t’ju informoj se që prej marrjes së detyrës në muajin shtator, puna e Kuvendit është fokusuar kryesisht në sigurimin e një bashkëpunimi më të madh politik se në të kaluarën, dhe unë jam i kënaqur që në tre muajt e fundit ne kemi vënë re një cilësi më të mirë debati midis maxhorancës dhe opozitës”, tha Meta. Duke folur për një çështje të ndjeshme për BE-në, siç është përkujdesja për popullsinë rome, Meta tha se maxhoranca e re i ka kushtuar kujdes të veçantë. “Qeveria, përmes Ministrisë për Mirëqenie Sociale dhe Rininë, është përgjigjur shpejt duke iu drejtuar rekomandimeve të Avokatit të Popullit për të gjetur një zgjidhje për problemin e strehimit të popullsisë rome, duke kërkuar kornizën e nevojshme për t’i legalizuar ato në mënyrë që t’u jepet ndihmë ekonomike ose më shumë mundësi përfitimi në shëndetësi dhe në arsim”, tha Meta. Për kreun e Kuvendit, marrja e statusit të vendit kandidat nuk është fundi i integrimit për Shqipërinë.
“Ne nuk e shohim dhënien e statusit të kandidatit si fundi i integrimit europian për Shqipërinë. Pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ne jemi të vendosur të vijojmë me ritmin e reformave të rëndësishme që Shqipëria ka ndërmarrë”, tha Meta. Kreu i Kuvendit, në vijim të lobimit për statusin e vendit kandidat, takoi në Bruksel Presidentin e Parlamentit të Belgjikës, Andre Flahaut, ku çmoi mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe integrimit europian.
KiE: Angazhim konstruktiv qeveri-opozitë
Delegacioni i monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i kryesuar nga raportuesi i Komitetit për Shqipërinë, Xhonatan Evans, në përfundim të vizitës së tij në Tiranë kërkoi dje nga maxhoranca dhe opozita bashkëpunim konstruktiv. “Nga përshtypja jonë për mjedisin e ri politik, ne besojmë se ekzistojnë shumë mundësi madhore që vendi të adresojë sfidat për respektimin e angazhimeve që Shqipëria vazhdon të ketë ndaj Këshillit të Europës”, u shpreh Evans, duke shtuar se është vërejtur mirëkuptim që ka shoqëria ndaj qeverisë së re. Evans nënvizoi se shpreson që shumica në pushtet ta shfrytëzojë këtë mundësi të veçantë për të siguruar një angazhim konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për respektimin e angazhimeve të pranimit dhe detyrimeve të anëtarësimit, të marra vullnetarisht nga Shqipëria në kohën kur ajo u bë anëtare e Këshillit të Europës në vitin 1995.