Meta LSI platforme per rritjen e transparences dhe financimin e partise

Lëvizja Socialiste për Integrim, platformë për rritjen e transparencës dhe financimin e partisëTIRANË 16 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh sot në drejtimin e Kryetarit,

Ilir Meta për të diskutuar projektbuxhetin e partisë për vitin 2016 dhe për të miratuar një platformë për rritjen e transparencës së plotë për financimin e partisë.

Gjatë mbledhjes, z. Meta i prezantoi kryesisë disa masa lidhur me financimin e partisë dhe përfaqësimit politik, çështje mjaft të ndjeshme për opinionin publik dhe në respekt të plotë me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe organizmave të tjerë monitoruese.

Lëvizja Socialiste për Integrim, platformë për rritjen e transparencës dhe financimin e partisë (1)"Duke qenë se financimi i partisë dhe aktiviteteve të saj publike është një element themelor i transparencës dhe ndër më të debatuarit për të gjithë mjedisin politik, duhet të japim një përgjigje të qartë dhe të drejtpërdrejtë duke vendosur nga sot e në vazhdim, që çdo e dhënë për financimin e partisë do të jetë transparente dhe publike nga cilido që ka interes të njihet me këtë proces. Për këtë arsye në faqen zyrtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të ketë një dritare me titull "Financat dhe Buxhetin i Lëvizjes Socialiste për Integrim" ku do të shfaqen qartë të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë, të ardhurat nga buxheti i shtetit apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, donacionet dhe çdo formë tjetër e të ardhurave", - shpjegoi Kryetari i LSI-së .

Lëvizja Socialiste për Integrim, platformë për rritjen e transparencës dhe financimin e partisë (2)Gjithashtu, z. Meta thekoi se, LSI-ja e përkrah fuqimisht platformën e dekriminalizimit duke shprehur distancim nga çdo individ me rekorde kriminale.

"Duke qenë se jemi në një situatë ku një ndër fjalët më të përmendura dhe më të klikuara është dekriminalizimi, dua të bëj të qartë se lidhur me shqetësimet e opinionit publik për nivelin e papërshtatshëm të përfaqësimit publik të partive politik dhe në respekt të plotë të nevojës të publikut për përfaqësimit dinjitoz të tij në vendimmarrje, LSI përkrah fuqimisht platformën e dekriminalizimit dhe distancohet nga çdo individ me rekorde kriminale që mund të jetë në radhë e saj apo që mund të synojë të aderojë në Lëvizjen Socialiste për Integrim", - theksoi Lideri i LSI-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim, platformë për rritjen e transparencës dhe financimin e partisë (3)Gjithashtu, z. Ilir Meta deklaroi gjatë mbledhjes se, pavarësisht nga ndryshimet që do të pësojë apo jo Kodi Zgjedhor, LSI do të respektojë dhe garantojë në çdo rast parimin e barazisë gjinore dhe përfaqësimin e grave në vendimmarrjen me të paktën 50 për qind. Sakaq, është vendosur që të kufizohet dhe përfshirja e biznesmenëve në përfaqsimin publik.

"Lëvizja Socialiste për Integrim, nisur nga shqetësimet e opinionit publik për një përfshirje në shkallë të gjerë të biznesmenëve, do të kufizojë përfshirjen e biznesmenëve në përfaqësimin publik me qëllim minimizimin dhe shmangien e konfliktit të interesit në maksimum", - u shpreh ndër të tjera z. Ilir Meta.

Vasili: Kryesia e LSI miratoi platformën politike të saj në lidhje me transparencën dhe përfaqësimin politik të LSI-së

Ndërsa Zv.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili theksoi në konferencën për shtyp e pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, se "Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim miratoi platformën politike të saj në lidhej me transparencën dhe përfaqësimin politik të LSI-së, në mënyrë të veçantë lidhur me atë që ka qenë një ndër problemet më të debatuara të politikës shqiptare, por edhe të medias shqiptare në tërësi, asaj që ka të bëj me financimin publik të partive".

Lidhur me kë të çështje dhe me këtë problem tha Vasili, "Kryesia e LSI-së miratoi në mënyrë unanime propozimet për këtë platformë, të cilat konsistojnë në radhë të parë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në dhënien e një përgjigjeje për këtë çështje dhe për të dhënë një shembull pozitiv në këtë drejtim, sepse nga sot e në vazhdim çdo e dhënë për financimin e partisë do të jetë transparente dhe publike, për cilindo që do të ketë interes, qoftë individ, shoqatë apo kushdo të jetë i interesuar".

Platforma e LSI për Transparencën dhe Përfaqësimin Politik

Nisur nga nevoja për të rritur transparencën e sistemit politik dhe partive ne veçanti para publikut si dhe në respekt të plotë të rekomandimeve të vazhdueshme të OSBE/ODIHR dhe të organizmave të tjerë monitorues, kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim prezantoi sot një plan masash

Në këtë plan thuhet se, financimi i partisë dhe aktiviteteve të saj publike është elementi themelor i transparencës. Ky element nder me te debatuarit për të gjithë mjedisin politik kërkon nje përgjigje te qarte dhe te drejtpërdrejt-ë.

Nisur nga kjo domosdoshmëri, LSI vendos, nga sot e në vazhdim, çdo e dhënë për financimin e partisë do të jetë transparente dhe publike nga cilido që ka interes të njihet me këtë proces. Në faqen zyrtare të LSI, do të ketë një dritare me titull "Financat dhe Buxheti i LSI-së", ku do të paraqiten qartë: Të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë; Të ardhurat nga buxheti i shtetit; Donacionet;

Gjithashtu LSI do të bëjë publike projekt-buxhetin e partisë, duke nisur nga kjo mbledhje me projekt-buxhetin e vitit 2016.

LSI do të bëjë publike shpenzimet dhe burimet e financimit të çdo aktiviteti publik jo me vone se dy dite pas organizimit te tij.

Po ashtu në platformë u vendos edhe për përzgjedhjen e Kandidatëve për deputetë, kryetar bashkie dhe detyra të tjera publike.

Në platformë thuhet se nisur nga shqetësimet publike për nivelin e papërshtatshëm të përfaqësimit publik të partive politike dhe në respekt të plotë të nevojës së publikut për përfaqësim dinjitoz të tij në vendimmarrje, LSI vendos që të përkrah fuqimisht platformën e dekriminalizimit dhe te distancohet qartësisht nga çdo individ me rekorde kriminale, apo nga cilido me rekorde të tilla që synon të përfaqësojë LSI-në.

Të respektojë dhe zbatojë në çdo rast parimin e barazisë gjinore dhe përfaqësimin e grave në vendimmarrje me të paktën 50%. Të nxisë dhe garantojë pjesëmarrje sa më të gjerë të të rinjve me kualifikim sa më të plotë dhe të lartë në vendimmarrje. Të kufizojë përfshirjen e biznesmenëve në përfaqësimin publik, me qëllim minimizimin dhe shmangien e konfliktit të interesit.

LSI, nëpërmjet të zgjedhurve apo të emëruarve të saj në pushtetin qendror dhe vendor, synon të përçojë qartësisht frymën e parimeve të qeverisjes së mirë. Transparenca, ligjshmëria, përgjegjshmëria, bashkëpunimi, modestia dhe respekti për qytetarin janë parime të panegociueshme.

Në këtë kontekst, LSI kërkon nga të gjithë përfaqësuesit e saj të zbatojnë me përpikmëri ligjet e shtetit. Asnjë sugjerim apo ndërhyrje nga cilido ne kundërshtim me ligjin jo vetëm që nuk do te zbatohet,por është i dënueshëm dhe në rast se ndodh do të merren masa ndëshkuese, për cilindo. Të distancohen nga çdo praktikë korrupsioni dhe abuzimi me detyrën. Të shërbejnë me korrektese dhe modesti ndaj publikut të gjerë, sepse shoqëria ka nevojë për shërbëtorë të përkushtuar publik dhe çdo shfaqje arrogance dënohet nga LSI. Të nxitet dhe thellohet transparenca ndaj publikut, sepse vetëm përmes transparencës realizohet dhe forcohet besimi i qytetarit dhe i shoqërisë ndaj institucioneve.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama