Meta-Pagano BB projekte ne Shqiperi per burimet hidrike bujqesine dhe mjedisin

TIRANË, 31 Tetor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës disaditore që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Rajonin, Patrizio Pagano.

Gjatë takimit, Meta dhe Pagano diskutuan mbi ecurinë e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri sa i përket burimeve hidrike, bujqësisë dhe mjedisit. Dy bashkëbiseduesit u ndalën ndër të tjera dhe tek gjendja e kredive të këqija në Shqipëri dhe me masat që po ndërmerren nga Qeveria dhe Parlamenti për të minimizuar efektet e tyre në ekonominë e vendit.

Meta me Muller2Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se është njohur me raportin e fundit "Doing business" të botuar nga Banka Botërore dhe se Qeveria e Shqipërisë po merr të gjitha masat për të adresuar problemet e evidentuara në të. Palët diskutuan gjithashtu dhe mbi çështje si energjia dhe interkonektiviteti dhe mbi mundësinë e bashkëpunimit për të vënë në jetë projekte që lidhen me këto dy fusha e që do të kishin ndikim pozitiv në ekonominë jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një takim edhe me Zv/presidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, Cyril Müller. Müller vlerësoi Shqipërinë si një partner të rëndësishëm të institucionit që ai përfaqëson, partner i cili ka shënuar progres të qenësishëm gjatë viteve të fundit. Ai u shpreh se është besimplotë që marrëdhënia e konsoliduar tashmë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore do të vazhdojë të thellohet në vitet në vijim.

Më tej, Meta dhe Müller diskutuan mbi ecurinë e projekteve ekzistuese në fusha si ujësjellës-kanalizime, transporti, energjia, etj, duke u ndalur tek nevoja për disbursimin sa më të shpejtë të fondeve, me qëllim finalizimin e tyre. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama