Meta Rruga drejt integrimit e pakthyeshme. Berisha i gatshem te shpallet me holandez sesa Basha

Meta: Rruga drejt integrimit, e pakthyeshme. Berisha i gatshem te shpallet me holandez sesa Basha

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar se reformat për integrimin janë të pakthyeshme pavarësisht refuzimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Në një prononcim për mediat, një ditë pas refuzimit të dhënies së statusit nga BE, kreu i Kuvendit deklaroi se: “Shqiptarët janë të integruar në Evropë dhe do të integrohen në mënyrë të pakthyeshme. Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj europiane. Evropa është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Por edhe Shqipëria është dhe do të jetë më e rëndësishme për Evropën. Ky është një binom i pandarë.

Ndërsa për sa i takon çështjes në fjalë, mendoj që të gjithë politikanët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre, sepse mesazhet kanë qenë të qarta. Shqipëria ka bërë një progres domethënës. Kjo është shprehur në mënyrën më të qartë. Shqipëria ka marrë për herë të pare, në muajin tetor, një rekomandim mbështetës, mjaft të argumentuar mirë për status e vendit kandidat nga Komisioni Europian për shkak të këtij progresi. Parlamenti Europian e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë. Por nuk është Shqipëria ajo që përcakton procedurat e marrjes së  vendimeve në BE. Kjo është një çështje që besoj edhe Evropa e bashkuar do ta zgjidhë në të ardhmen.

Ne do të vazhdojmë në rrugën e integrimin sepse ne reformat i bëjmë në radhë të parë për qytetarët tanë dhe do të vazhdojmë të përqendrohemi në forcimin e ligjit dhe në reformat ekonomike. Edhe marrëveshja e fundit me fondin monetar ndërkombëtar por edhe partnerët e tjerë për sa i takon reformave ekonomike, tregon seriozitetin dhe vullnetin për të ristrukturuar ekonominë e vendit, në mënyrë që të heqim dorë nga politikat spontane, populiste të cilat sjellin shqetësime të mëdha për stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe që frenojnë rritjen ekonomike në të ardhmen. Rruga e reformave është e pakthyeshme dhe do të japë rezultatet e saj”.

Meta nuk ka lënë pa ironizuar ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” ka akuzuar mazhorancën e majtë për paaftësi qeverisëse dhe përgjegjëse për shtyrjen e statusit të vendit kandidat.

“Do ta ftoja për shkak të eksperiencës së gjatë që ka dhe të përgjegjësive që ka në politikë që ta përmbajë kënaqësinë edhe pse ajo mund të jetë jo shumë e menduar dhe e arsyetuar, sepse duket se është gati të shpallet më holandez se kryetari i partisë së tij. Ndërkohë që për mua ju e dini, që përkrahja për Holandën në futboll nuk do të mungojë siç ka qenë edhe në të kaluarën kur ajo ka qenë në ditët më të mira edhe sot që ajo nuk është në ditët më të mira, sepse jam i bindur se e mira do të vijë edhe për Holandën në futboll”, tha Meta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama