Meta Sesioni i fundit parlamentar ishte pozitiv

Meta: Sesioni i fundit parlamentar ishte pozitiv

- Intervista e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhënë për "Albanian Daily News" -

Kryetari-i-Kuvendit-Ilir-Meta-11-525x350TIRANË, 5 Gusht /ATSH/- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ne nje interviste dhene kryeredaktorit Genc Mlloja për "Albanian Daily News", u ndal tek problematikat më të nxehta ne vend si, reformat e mëdha, integrimi i Shqipërisë në BE, konsolidimi i shtetit të së drejtës etj.

- Zoti Kryetar, po ju marrim këtë intervistë pas fillimit të pushimeve verore të Kuvendit, që do të rinisë diskutimet e tij në fillim të muajit shtator. Lexuesit e "Albanian Daily News" do të donin të mësonin disa detaje rreth balancës së punës së Kuvendit nga muaji janar deri më tani dhe së dyti, cilat janë sfidat e pritshme në shtator dhe më pas?

Mendoj se sesioni i fundit parlamentar ishte pozitiv. Ai nisi me kthimin e opozitës në parlament, në aktivitetet dhe diskutimet e tij pas një bojkoti të kotë. Kjo është një shenjë e qartë e maturimit të ngadaltë, por të qëndrueshëm të jetës dhe kulturës tonë politike, sepse unë gjithmonë kam besuar në rolin e domosdoshëm të një opozite të fortë dhe të përkushtuar. Kjo është arsyeja pse jam përpjekur të jem shumë fleksibël, në cilësinë time si Kryetar i Kuvendit dhe t'u jap atyre kohën dhe hapësirën e nevojshme për të shprehur mendimin e tyre dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në interesin e gjerë publik. Roli ynë si politikanë dhe deputetë është t'i shërbejmë vendit dhe njerëzve dhe ata presin jo më pak nga ne. Profesionalizmi dhe përgjegjshmëria e Kuvendit dhe anëtarëve të tij janë shumë vendimtare për mirë-funksionimin e institucioneve tona. Nuk mund të them se ai ka punuar gjithmonë siç duhet, por unë i përkas asaj kategorie njerëzish që mendojnë se askush nuk është i pagabueshëm, por ne të gjithë mund të mësojmë nga gabimet tona dhe ndërkohë ne të gjithë mund të përmirësojmë veten tonë. Ky është një proces që duhet të përmirësohet dhe përsoset dhe ne jemi të angazhuar për ta bërë këtë.

Dua të theksoj faktin se sesioni i shkuar ishte shumë aktiv dhe i ndezur. Kemi pasur diskutime të gjata mbi çështje të rëndësishme dhe opozitës, në mënyrë të dukshme, i është dhënë fjala më shumë se mazhorancës, gjë që unë besoj është demonstrim respekti dhe një dorë e shtrirë për bashkëpunim.

Nga ana tjetër, duhet të them se Kuvendi, me gjithë vështirësitë dhe sherret politike që ndonjëherë janë të kuptueshme, ka miratuar 93 projektligje me rreth 200 nene, si dhe disa rezoluta dhe vendime shumë të rëndësishme.

Në gjykimin tim, disa nga këto projektligje ishin shumë të rëndësishme, pasi pritet që ato të sjellin efekte pozitive për zhvillimin e ardhshëm të vendit dhe fushat kyçe, si ato të turizmit, zonat ekonomike, arsimin e lartë, forcat e armatosura dhe modernizimin e standardeve dhe detyrimeve të vendit në lidhje me NATO-n. Unë besoj se këto do të sjellin ndikime pozitive afatgjata për vendin dhe mirëqenien e njerëzve tanë.

Gjatë sesionit të fundit Kuvendi krijoi me konsensus Këshillin Kombëtar për Integrim dhe kryesimi i tij iu dha opozitës si shenjë e vullnetit të mirë dhe një mundësi për të kontribuar në mënyrë konstruktive për arritjen e qëllimit tonë madhor kombëtar, integrimin e Shqipërisë në BE.

Së fundi, do thosha se sesioni i fundit u ndikua nga retorika rreth zgjedhjeve lokale dhe nuk mund t'i shpëtonte debateve të ashpra e ndonjëherë jo etike. Por, tashmë kjo ka përfunduar dhe jam i kënaqur që procesi zgjedhor, megjithë disa mangësi të vogla, në përgjithësi shkoi mirë dhe kryetarët e rinj të bashkive po marrin detyrën dhe organet e reja të administratës lokale, përfshirë këshillat, janë duke filluar punën me ritëm të plotë për të përmbushur kërkesat e publikut dhe për të ofruar shërbime me një standard shumë më të lartë.

- Zakonisht seancat plenare mblidhen të enjteve. Dhe në fakt atë ditë sytë e të gjithëve janë drejtuar tek salla e seancave ku deputetë të opozitës dhe mazhorancës nuk e kursejnë fjalorin e pistë në konflikte të padobishme që kthehen në sulme personale, edhe fizike. Si ndjeheni ju në një situatë të tillë, edhe pse ju vazhdimisht jeni përpjekur të qetësoni situatat kritike që ndodhin herë pas here, sidomos kur ish kryeministri Sali Berisha zihet me kreun aktual të qeverisë Edi Rama? Çfarë do i sugjeronit deputetëve gjaknxehtë që të sillen mirë dhe të merren më shumë me shqetësimet dhe hallet e popullit?

Siç e përmenda dhe më parë, sesioni i fundit u shënua nga kthimi i opozitës në Parlament, aty ku i takon. Kemi pasur disa debate shumë të dobishme dhe konstruktive rreth një sërë çështjesh të rëndësishme, por kur ngrihen tonet dhe arsyeja zhduket, cilësia e debatit degradon dhe mbizotërojnë akuzat, atëherë publiku humbet besimin tek përfaqësuesit e tij të zgjedhur dhe shpresa zëvendësohet nga dëshpërimi dhe këtyre njerëzve as nuk iu duhet dhe as e meritojnë një gjë të tillë. Kuvendi nuk është arenë gladiatorësh, por e diskutimeve intelektuale dhe debateve profesionale. Është përgjegjësia e të gjithëve ne që njerëzve të mos i ofrojmë të enjtet e përleshjeve, por të enjtet e zgjidhjeve, shpresës dhe perspektivës. E thënë kjo, askush nuk ka të drejtë të prishë jetën parlamentare e as besimin e njerëzve tek institucionet. Historitë personale dhe emocionet e pakontrolluara nuk duhet ta justifikojnë arrogancën, fjalorin e rëndomtë apo përleshjet fizike. Të gjithë në atë sallë të nderuar kanë detyrimin të sillen siç duhet dhe të mos e keq përdorin mandatin që u ka dhënë populli. Ky nuk është një shembull i mirë. Në vend të këtyre shfaqjeve të papërshtatshme unë gjithmonë bëj thirrje për arsye, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim që ofron zgjidhje, drejtësi sociale dhe zhvillim të qëndrueshëm, shpresë për të ardhmen, perspektivë në vend dhe mirëqenie për çdo shqiptar, veçanërisht të rinjtë tanë që kanë më shumë nevojë për këto.

- Zoti Kryetar, sipas opozitës, procesi i dekriminalizimit të parlamentit ka ngecur. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe misioni i tij diplomatik në Tiranë kanë qenë të hapur kur thonë se një ligjvënës ka qenë i përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. A mendoni se reagimi i Kuvendit për këtë çështje ka qenë i ngadaltë?

E kam lexuar raportin dhe më duket shumë balancues. Ai thekson shumë arritje, ashtu siç thekson të metat. Për këtë arsye, unë e kam konsideruar atë si një platformë solide për të gjitha institucionet dhe agjencitë e specializuara që merren me këto çështje, që të punojnë më fort dhe në bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë për të garantuar shtetin e së drejtës, aplikimin e programeve sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të këtyre aktiviteteve të paligjshme. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha llojeve të trafikimit është një fushë ku jemi shumë të interesuar dhe përfaqëson një përpjekje të vazhdueshme të agjencive të zbatimit të ligjit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit.

Nuk duhet të harrojmë faktin që ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Të gjitha vendet e rajonit po përballen me to gjithashtu. Pozicioni ynë gjeografik dhe situata e vështirë ekonomike është një burim që krijon terren për këto aktivitete. Ky nuk është justifikim, por një pjesë e provave. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të modernizojmë strukturat tona shtetërore, të përmirësojmë dhe të rrisim nivelin e profesionalizmit të agjencive tona të zbatimit të ligjit, të konsolidojmë shtetin e së drejtës dhe të çojmë para drejtësisë çdo shkelës të ligjit dhe drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa u ndikuar nga asnjë faktor ndërhyrës.

Parlamenti ka kaluar disa ligje dhe akte në këtë drejtim, por duhet të jetë më aktiv në mbikëqyrjen e performancës së qeverisë dhe organeve të saj. Duke filluar nga sesioni tjetër parlamentar, ne, mazhoranca dhe opozita, do punojmë së bashku, për një kuadër ligjor që konsolidon standardet më të larta etike dhe morale për zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar në të gjitha nivelet. Por, duhet të them që ky debat nuk duhet të shërbejë si një tjetër argument për grindje politike, por si një proces i sinqertë që sjell rezultate të prekshme, që shërben dhe kontribuon në përmirësimin e jetës sonë politike dhe të zyrave publike.

- Tani, pasi gjërat kanë marrë formë në organet e gjyqësorit dhe është hedhur dritë plotësisht mbi të ashtuquajturën çështjen Doshi, si e përballuat këtë situatë aq dramatike si një politikan i akuzuar direkt për vrasjen e pretenduar të dy deputetëve, por edhe si bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve?

Kjo histori nuk vlen as për histori telenovelash. Unë e refuzoj atë dhe kam dhënë të gjithë përgjigjet dhe informacionin e duhur pranë instancave përkatëse. Tashmë çështja është në duart e drejtësisë dhe le të flasë drejtësia.

- Zgjedhjet vendore përfunduan dhe është e dukshme që Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë më e fortë nga këto zgjedhje, më e mbështetur në vend, e veçanërisht nga të rinjtë. Pikat tuaja të forta sa i përket problemeve sociale të njerëzve siç duket janë një vlerë e çmuar. Por ndonjëherë platforma juaj me karakter social nuk është në linjë me atë të Kryeministrit Socialist, Edi Rama. Si ia keni dalë të pajtoni këto qëndrime dhe a mendoni se mund të tejkaloni ndryshimet, jo vetëm ata të karakterit social por dhe ndryshime të tjera në të ardhmen? A ka ndonjë të vërtetë në thashethemet se ka shenja ftohjeje ne marrëdhëniet mes jush dhe z. Rama?

Nuk ka dyshim se zgjedhjet e fundit lokale kanë arritur standardet më të mira dhe ishte një demonstrim i kulturës demokratike të popullit tonë dhe të votuesve në të gjithë vendin. Zgjedhjet janë një proces që palët duhet të përdorin për paraqitjen e kandidatëve të tyre më të mirë dhe platformat për drejtimin e qeverive qendrore ose vendore. Zgjedhjet e fundit kanë bërë histori në këtë drejtim, sepse shënuan finalizimin e një procesi historik për qeverisjen lokale. Ne nuk kemi më rreth 400 njësi administrative që nuk ishin efikase dhe kishte një keqpërdorim të panevojshëm të parasë publike.

61 bashkitë e reja dhe administratat e tyre kanë mundësinë historike dhe detyrimin për të sjellë ndryshim të vërtetë për të siguruar qeverisje dhe shërbime më të mira për popullin, një përdorim të zgjuar dhe efikas të parasë publike dhe implementim më të mirë të politikave të zhvillimit.

Unë jam me të vërtetë i kënaqur që LSI kishte një rezultat madhështor si votë popullore, por unë duhet të theksoj faktin që kemi pasur zgjedhje lokale dhe jo politike. Strukturat e partisë tonë janë investuar në një debat gjithëpërfshirës mbi çështje të ndjeshme për popullin, të tilla si shërbime më të mira dhe punësim. Ne kemi punuar ngushtë me çdo person në çdo cep të vendit, por më konkretisht me të rinjtë, sepse ne besojmë fuqishëm se të rinjtë tanë të shkëlqyer kanë nevojë për një perspektivë dhe një të ardhme më të mirë.

Ashtu si për marrëdhëniet tona me partnerët tanë të koalicionit, unë do të thosha se LSI gjithnjë ka provuar se është një forcë konstruktive, dhe ne gjithmonë i respektojmë detyrimet tona. Koalicioni ka punuar mirë dhe kandidatët tanë fituan 45 nga 61 bashki. Nuk është sekret fakti që çdo parti e ka identitetin dhe prioritetet e veta, por unë besoj se çdo partner në koalicionin tonë është një vlerë e shtuar që sjell kontribut për këtë koalicion.

Së fundi, nga përvoja e verës kemi parë se kur vjen gushti dhe Kuvendi nis pushimet, media fillon eksplorimin "e problemeve dhe konflikteve" si të ishin hit-e verore. Mund të them se marrëdhëniet me partnerët tanë nuk janë as në ftohje, as në ngrohje. Ata janë konstruktive dhe të bazuara në respektin reciprok e përgjegjësi të përbashkët.

- Z. Meta, si e shihni situatën ekonomike në Shqipëri kur ka një rritje të njerëzve që përpiqen të largohen nga vendi për t'u vendosur në disa vende anëtare të BE-së, kryesisht në Gjermani? Kushtet ekonomike për njerëzit, sidomos për njerëzit në nevojë, nuk janë përmirësuar siç është premtuar nga zoti Rama para se të vinte në pushtet.

Unë nuk mund të pretendoj se situata ekonomike në vend është e përsosur. Kjo është si rezultat i një kompleksiteti faktorësh. Ne jemi përballur me vështirësi si pasojë e krizës së gjatë në ekonominë botërore, Eurozonës dhe veçanërisht fqinjëve tanë. Kriza ekonomike që goditi rajonin tonë, veçanërisht dy partnerët tanë kryesorë ekonomik dhe tregtar si Greqia dhe Italia, ka rezultuar në një mungesë të deficitit tregtar. Remitancat janë reduktuar dhe borxhi publik i trashëguar nga qeveria e mëparshme është rritur. Qeveria është duke punuar ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare për të stabilizuar situatën, por kjo nuk është e lehtë dhe kërkon kohë. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të shlyrë borxhin e brendshëm dhe për të paguar shuma të mëdha parash për kompanitë që nuk janë paguar për punën e bërë. Kjo ka vënë financat e vendit nën presion, por edhe për shkak të tregjeve të paqëndrueshme ndërkombëtare dhe çmimeve e naftës. Besoj se kjo është një nga fushat ku qeveria duhet të negociojë me një ritëm më të gjerë me institucionet ndërkombëtare dhe donatorët. Edhe pse Shqipëria nuk është një anëtarë e BE-së dhe Eurozonës është ndikuar dhe prekur nga problemet e BE-së. FMN-ja dhe Banka Botërore po bëjnë një punë të mirë, por në këtë rast flas si ekonomist - kemi nevojë për një sistem fiskal dhe politika më të zgjuara dhe efikase. Taksat e vendosura nuk po nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ne duhet të bëjmë më shumë. Duhet të eksplorojmë çdo mundësi dhe të jemi më strategjikë në përcaktimin e zonave dhe fushave të investimeve.

Është bërë punë e mirë në disa aspekte. Stabilizimi i sistemit të energjisë dhe shpëtimi nga kolapsi i kompanisë së shpërndarjes, gjendja e favorshme me gjenerator dhe konsolidimi i kompanive transmetuese, si dhe kapacitetet e zgjeruara të disa prodhuesve vendorë dhe ndërtimin i disa të tjerëve të rëndësishëm, janë një shenjë e mirë për zhvillime pozitive në këtë fushë. Interesi në rritje për eksplorimin në tokë dhe në det të naftës është gjithashtu një zhvillim pozitiv. Inaugurimi i ndërtimit të TAP në segmentin e saj shqiptar dhe perspektiva e zhvillimit të industrisë së gazit është gjithashtu një lajm shumë i mirë, sepse ajo do të sjellë të ardhura dhe do të krijojë vende të reja pune. Bujqësia ka njohur një rritje mbresëlënëse në prodhim, por qeveria duhet të bëjë më shumë për të garantuar sigurinë dhe tregjet. Industritë e lehta, prodhimi dhe përpunimi i ushqimit janë fusha ku mungon zhvillimi i duhur. Janë të nevojshme politika më fleksibël për të tërhequr investimet e huaja. Turizmi është një potencial i madh, por ende i papjekur dhe mungon cilësia. Sezoni është i shkurtër dhe investitorët ndërkombëtarë nuk vijnë nëse nuk i garantohen stimuj dhe mbrojtje ligjore.

Ne jetojmë në një botë globale dhe ka ardhur koha tani të mendojnë globalisht. Të jesh tërheqës do të thotë që duhet të djersitësh dhe të mundohesh. Ligjet që përmenda më parë dhe që ne kemi kaluar e kanë hapur këtë perspektivë, por ajo i përket së ardhmes. Ne duhet të bëjmë më shumë për të tashmen dhe unë besoj se ne duhet të përshtatemi dhe të përsosim sistemin tonë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se sundimi i ligjit është kritik për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Është gjithashtu fakt që shqiptarët ende largohen nga vendi. Por nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Shtetasit nga vendet fqinje dhe të rajonit po largohen drejt Perëndimit, kryesisht për të njëjtat arsye, mungesa e mundësive dhe vështirësitë ekonomike. Ky është një argument tjetër që të fillojmë të mendojmë përtej kufijve, në rajon dhe më tej, për shkak se ekonomitë e vogla e kanë të vështirë të konkurrojnë në ekonomitë dhe tregjet globale. Vendimet e zgjuara në politikën e brendshme duhet të shkojnë paralelisht me politikën e jashtme të zgjuar.

- Politika e jashtme ka qenë një nga fushat e juaja të preferuara. Kur ju në të kaluarën keni qenë ministër i Jashtëm diplomacia shqiptare ka qenë shumë aktive, duke mos e kufizuar veten vetëm në çështjet e lidhura me BE-në, sipas vlerësimeve të disa diplomatëve të huaj. Ajo kishte përmasa mbarë botërore. Si jeni duke e aplikuar këtë përvojë në diplomacinë parlamentare, dhe çfarë mund të bëjë më shumë Ministria së Jashtme për të zgjeruar aktivitetin e saj diplomatik duke tejkaluar klishetë e vjetra?

Unë e kam konsideruar gjithmonë diplomacinë e huaj si një mekanizëm jo vetëm për njohje më të gjerë të vendit, siguri kombëtare, të rajonit dhe zonës Euro-Atlantike tani që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe i është dhënë statusi si vend kandidat në BE, por si një shtysë e rëndësishme që tërheq investimet e huaja, hap tregje të reja dhe zhvillon lidhje më të ngushta me partnerët tradicionalë dhe partnerë të ri ekonomik. Besoj se këto dy binarë kur drejtohen siç duhet dhe me një vizion strategjik afatgjatë, në mirëbesim dhe përpjekje të përbashkëta me aleatët dhe partnerët tanë, patjetër do të sjellin më shumë stabilitet dhe prosperitet për popullin tonë. Kuvendi, së bashku me qeverinë dhe të gjitha dimensionet sociale dhe ekonomike si dhe aktorët e tjerë në vend, mund të bëjnë më shumë dhe do të bëjnë më shumë për të lehtësuar këtë proces. I konsideroj si dy anët e së njëjtës medalje që duhet të përdoren si duhet dhe me mençuri për të blerë një të ardhme më të mirë dhe të ndritshme për popullin tonë dhe brezat e ri. Është përgjegjësia jonë për t'a garantuar këtë. Gjithashtu duhet të jetë obligimi ynë si lidershipi politik dhe social i vendit tonë.

- Ju keni qenë një prej promovuesve të nxitjes për njohjen e Kosovës dhe disa shtete e kanë njohur atë falë përpjekjeve tuaja . Nisur nga lidhja juaj me çfarë ndodh në këtë vend fqinj, cili është mendimi juaj për zvarritjen e krijimit të Gjykatës Speciale, çka po e vë Prishtinën zyrtare në pozitë të vështirë me ndërkombëtarët, përfshirë dhe aleatin strategjik, SHBA?

Jam shumë i kënaqur të përfitoj nga kjo intervistë për të uruar Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës për vendimin e guximshëm dhe shumë të përgjegjshëm për të miratuar ndryshimet e duhura kushtetuese që hapin rrugën për krijimin e kësaj Gjykate. Thënë kjo, si një person që ka mbajtur pozicione të rëndësishme gjatë momenteve më historike për Kosovën dhe popullin e saj, unë do kem gjithnjë emocione dhe kujtime të paharrueshme, dhe theksoj përsëri se lufta e lavdishme dhe sakrificat e atyre që derdhën gjakun për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe atyre që luftuan për to, nuk do të harrohen dhe nuk do keqpërdoren kurrë. Me këtë vendim Kosova pozicionon veten e saj në krah të aleatëve të saj strategjik SHBA, NATO dhe BE dhe unë besoj fort që nuk do jetë e largët koha kur Kosova do marrë vendin e saj të merituar në OKB.

- Si një diplomat me eksperiencë sa i përket vendeve të Ballkanit, cili është mendimi juaj për situatën e përgjithshme në rajon kur shumë vende kanë probleme të brendshme, ekonomike dhe sociale si Maqedonia, Greqia e goditur nga kriza ekonomike me e thellë e saj, ose probleme dypalëshe si Serbia me Kosovën, Kroacia me Bosnjë-Hercegovinën, Kroacia me Slloveninë, etj?

Mendoj se rajoni po jeton momentet e tij më të mira. Rajoni po kalon një proces konstruktiv ndër-shtetëror pajtimi dhe armiqtë e së shkuarës janë tashmë partnerë të sinqertë. Axhenda e Berlinit, nën drejtimin e Kancelares gjermane, Angela Merkel, është një platformë e shkëlqyer për projekte rajonale të përbashkëta që do i afrojë vendet e rajonit në aspektin ekonomik, social dhe politik. Por, insistoj që mungesa e zhvillimit ekonomik në shtetet individuale dhe ne rajon në përgjithësi, mund të krijojë kushtet për rritjen e forcave të pakontrolluara që tentojnë destabilizimin përmes ekstremizmit, korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar. Vitet e fundit kemi qenë dëshmitar të zhvillimeve shumë pozitive. Veçanërisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë thelbësor për qetësimin e tensioneve. Bashkëpunimi rajonal është më gjithëpërfshirës dhe po shfaq pjekuri dhe vizion. Ka akoma pika te nxehta tensioni, por perspektiva është e mirë. Unë besoj se edhe pse BE është shprehur shumë qartë për integrimin evropian të rajonit, duhet të bëjë më tepër në dhënien e burimeve financiare shumë të domosdoshme për rimëkëmbjen ekonomike dhe ndërtimin e infrastrukturës strategjike dhe ndërlidhjen mes vendeve tona si dhe të rajonit me BE.

- Zoti Kryetar, për të ndërruar temë, në fund të këtij bashkëbisedimi të gjatë, a do i tregonit lexuesve tanë diçka më tepër për jetën tuaj private? Si e kaloni kohën e lirë, vendet që vizitoni, gjërat që ju pëlqejnë, por që nganjëherë nuk mund t'i bëni?

Tani që sesioni parlamentar është mbyllur, do përpiqem të pushoj për pak ditë, por vetëm pak, sepse angazhime të rëndësishme kemi përpara, duke filluar nga shtatori. Përpiqem të kaloj më shumë kohë më familjen time, me tre fëmijët e mi që po rriten dhe shpesh i mungoj; të lexoj dhe të ec. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, angazhimet më kanë "dënuar" të punoj edhe gjatë pushimeve./i.v/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama