Meta Te rivleresohet historia; Milo Edhe Enver Hoxha

Meta: 'Te rivleresohet historia'; Milo: 'Edhe Enver Hoxha'

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, propozon rishikimin e historisë së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë periudhën e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.  Në aktivitetin e organizuar me rastin e 70-vjetorit të masakrës së 4 Shkurtit, Meta deklaroi se duhet të bëhet rivlerësim për shumë figura e ngjarje që lidhen me këtë periudhë historike. Mendimi është mbështetur dhe nga historiani dhe politikani Paskal Milo. Por Milo theksoi se, në këtë kuadër duhet të rishikohet dhe figura e Enver Hoxhës e cila, sipas tij, duhet të marrë atë që i takon.

Rivlerësimi i historisë

“Sot kujtojmë 84 martirët e atij mëngjesi të përgjakshëm dhe njëkohësisht të atyre që u internuan. Por, ne sot jemi këtu dhe për të dhënë mesazhin e qartë për rivlerësimin e historisë dhe për ato që janë bërë gjatë këtyre viteve.

Çdo lëkundje në qëndrimin ndaj antifashizmit nuk është gjë tjetër përveçse një përpjekje për te cenuar një nga faqet më të ndritura të popullit tonë dhe të kombit tonë. Një nga themelet më të forta të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë të rifituar  më 29 nëntor të vitit 1944”, - deklaroi kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij. Sipas Metës, sot ka vende të zhvilluara që nuk shkrepën një armë ndaj pushtuesve dhe përpiqen të shtojnë numrin e viktimave. “Vendi ynë u rreshtua kundër makinerisë më të madhe të përbindshme ushtarake, në një moment kur nuk dihej se si do të shkonte lufta”, - tha ai.

Kryeparlamentari shtoi se, pa luftën antifashiste pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj do të kishte qenë në pikëpyetje shumë të madhe e kjo është një arsye më shumë për të bërë homazhe para atyre që luftuan për  Shqipërinë.  Ndërsa për politikanin dhe historianin, Paskal Milo, nëse nuk do të ishin dëshmorët e 4 Shkurtit, do të ishin vënë në jetë planet e copëtimit të Shqipërisë dhe sot nuk do të kishim Jugun e Shqipërisë. Prandaj, sipas  Milos, vlera e kësaj lufte është e pazëvendësueshme se ka mbrojtur integritetin e Pavarësinë e Shqipërisë dhe në këtë kuadër duhet bërë vlerësimi i çdo figure, dhe e Enver Hoxhës. “Nuk e mbrojmë thjesht se,

mund të na akuzojnë nesër, se po mbrojmë Enverin. Por, edhe Enverit do t’i jepet ajo që është për t’i dhënë, për ato që ka bërë e do të dënohet për çfarë ka bërë më vonë, e populli ia ka dhënë dënimin”, - tha Milo.

Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”

Sa i përket debateve për ndryshimin e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, kryeparlamentari tha se: “Ne sot shprehim keqardhjen për akte të pafalshme që kanë ndodhur, si heqja e emrit të rrugës

“Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe është momenti për të bërë një rivlerësim”. Duke iu drejtuar prefektit të

Tiranës, Sadi Vorpsi dhe kreut të këshillit bashkiak, Aldrin Dalipi, të pranishëm në aktivitetin përkujtimor, Meta kërkoi që “të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit”.

Gjithashtu Meta ka kërkuar edhe rikthimin e monumentit të “5 heronjtë e Vigut”, në vendin ku e meriton. “Të rivlerësojmë monumentin e “5 heronjve të  Vigut”, që në mënyrën më cinike u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës, një qytet me tradita të mëdha patriotike. Ka ardhur koha për rivlerësimin e shumë figurave të luftës çlirimtare”, - theksoi kreu i LSIsë. Edhe Milo theksoi se 4 Shkurti duhet të respektohet. Por, sipas tij,  nëse u hoq emri i rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”, sot duhet të rivihet ai emër. “Ka rrugë qendrore të tjera Tirana që të meritojnë emrin e 4 Shkurtit”, - tha ai.

Ashtu si dhe Ilir Meta, ai foli për ngritjen e një monumenti që do të mund të përkujtojë 84 dëshmorët e  LANÇ-it. “Edhe një obelisk, simbol tjetër i gjallë dhe i prekshëm për dëshmorët e 4 Shkurtit. Ishin 84 njerëz që ishin martirë, dëshmorë, jo viktima. Të gjithë bashkë si ekip që duam të mbrojmë historinë tonë kombëtare, të qëndrojmë kështu për tërë vitin,  të mbrojmë një thesar të madh të traditës sonë kombëtare, që për jetë të jetëve do të mbetet i tillë”,- përfundoi Milo.  Rikthimi i emrit të rrugës është kërkuar dhe nga familjarët e viktimave të masakrës së 1944-ës. “Asaj rruge që është paralel me rrugën “Dëshmorët e Kombit” duhet t’i rikthehet emri i mëparshëm.

“Dëshmorët e Kombit është për gjithë Shqipërinë, por Dëshmorët e 4 Shkurtit është rruga paralele me të dhe ishte ngjarja më e madhe që ka ndodhur në Tiranë”, - ka pohuar Ilir Shkëmbi një nga familjarët e dëshmorëve.  Emri i rrugës,

Poni: “LSI ishte pro”, reagon Vasili

Të djathtët e këshillit bashkiak reagojnë pas debateve për të ndryshuar emrin e rrugës “Ibrahim Rugova” në “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, emër që ajo e ka mbajtur më parë. Sipas këshilltarit të Partisë Demokratike, Ferdinand Poni edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbështetur vendimin për ndryshimin e emrit.

“Deklarimi i sotshëm i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me heqjen e mundshme të emrit “Ibrahim Rugova” nga një rrugë kryesore e Tiranës dhe për rivendosjen e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, më duket një hipokrizi e pastër, një demagogji dhe papërgjegjshmëri.

Për histori, kur është vendosur emri “Ibrahim Rugova”, edhe këshilltarët e LSI-së, ndoshta të gjithë këshilltarët kanë votuar pro këtij veprimi dhe kësaj iniciative të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për t’i vendosur një prej rrugëve kryesore të Tiranës, emrin e personalitetit të shqiptarëve të kohëve moderne, Ibrahim Rugova”, - deklaroi dje Poni. Sipas tij, me mirëkuptimin e të gjitha palëve është vendosur qe emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit” t’i vihej një rruge tjetër. “Besoj se e kanë thënë edhe të tjerët.  Të pretendosh sot që të heqësh emrin e Ibrahim Rugovës, do të thotë që të bësh një tentativë të pastër për përçarje të shqiptarëve, për bipolarizim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Mua më duket një gabim i pafalshëm, një demagogji   dhe papërgjegjshmëri e pastër”, - është shprehur Poni.

Në përgjigje të tij ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, sipas të cilit, vendimi për heqjen e këtij emri ka qenë miratim i njëanshëm. “Grupi i LSI-së në Këshillin Bashkiak ka propozuar që një rruge në Tiranë t’i vihet emri “Dëshmorët e 4 shkurtit”.

Pra, nuk kemi kërkuar heqjen e emrit të rrugës që sot quhet “Ibrahim Rugova”, por kemi kërkuar që të nderohet dhe të respektohet simboli i Ibrahim Rugovës, por të nderohet dhe të respektohet në maksimum edhe simboli që 4 Shkurti ngërthen”, - tha ai. Vasili theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje që një rruge dinjitoze në Tiranë t’i vihet edhe emri “Dëshmorët e 4 shkurtit”.

“Bashkë me këtë ne kemi propozuar edhe ngritjen e një memoriali në një vend ku Këshilli Bashkiak me dakordësi të përgjithshme, ku ne jemi të bindur, sepse nuk gjejmë arsye që kundër kësaj simbolike të jenë edhe anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak, dhe të gjithë së bashku të gjejmë një zgjidhje tjetër. Është koha që simbolet të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe jo të përjashtojnë njëra-tjetrën.

 Pra të kemi dhe të respektojmë emrin, kujtimin, veprën e Ibrahim Rugovës dhe ndërkohë të gjejmë zgjidhjen ashtu sikurse ka mundësi pa fund Tirana për të vënë në vendin e duhur edhe Dëshmorët e 4 shkurtit”, - ka përfunduar ai.

Kristiandemokratët: Lavdërimet për Hoxhën, tregues negativ

Partia Kristian Demokrate, pjesëtare e koalicionit qeverisës, kundërshton propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rikthyer emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit” në rrugën që sot quhet “Ibrahim Rugova”. Dhimitër

Muslia, anëtar i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i PKD-së, u shpreh kundër çdo akti politik e administrativ, siç e cilësoi ai, që cenon figurën historike të Presidentit të Kosovës dhe vetë imazhin e Kosovës.

 “Asnjë arsye, asnjë motiv politik dhe interes afatshkurtër për vota, nuk mund të vlejë në lojën denigruese ndaj personalitetit të shquar të Rugovës. Kërkesa kundër tij dhe fjalimet lavdëruese për diktatorin Hoxha janë tregues negativ për Tiranën, për politikën, për qytetarët, për kujtesën tonë historike”, - deklaroi Muslia. Ai theksoi se vota e tij do të jetë kundër çdo nisme të tillë.

“Si këshilltar i kërkoj këshillit bashkiak të marrë nisma të tjera pozitive për të bërë nderime të tjera të denja për figurat e shquara të Kosovës dhe botës shqiptare. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i shtetit shqiptar por kryeqendra e të gjithë shqiptarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë jashtë këtij funksioni”, - përfundon ai.          


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama