TIRANË 9 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar sot aktin e dorëheqjes së Nasip Naços nga Ministër i Drejtësisë.
"Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit te Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt, ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë.", tha Meta.
Lidhur me pyetjen se z. Naço ka deklaruar në letrën e dorëheqjes se është anashkaluar nga reforma në drejtësi, Meta iu tha gazetarëve se "nuk e di. Ju mund t'i drejtoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e z. Naço. Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij".
Duke folur për emrin që do të zëvendosojë z. Naço në postin e Ministrit të Drejtësisë, Meta tha se, "besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri".
Pyetjes nëse ministri i ri do të ijë nga LSI, Meta iu përgjigj se, "nuk dua të shpreh më shumë dhe nuk do të vij më tek Rogneri të pi kafe sepse e kam të pamundur që të dal pa ju përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu. Besoj se jua dhashë një përgjigje. Ju falënderoj për vëmendjen".
/f.n/