Meta Vota e emigranteve e drejte bazike per tu shprehur per te ardhmen e vendit

- Kreu i Kuvendit takon përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali -

Prononcimi-i-Kryetarit-të-Kuvendit-Ilir-Meta-1-300x200TIRANË, 12 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të hënën, përfaqësues të 40 shoqatave shqiptare që veprojnë në Itali, me të cilët nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, kreu i Kuvendit tha se vota e emigrantëve është një e drejtë bazike që iu mundëson atyre të shprehen për të ardhmen e vendit.

"Shqiptarët në Itali, por dhe kudo në Evropë e botë kanë dhënë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin, progresin dhe integrimin e vendit tonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe në të ardhmen. Ndaj, shpreh vullnetin tim për të drejtën e votës së emigrantëve kudo ku ata jetojnë, që të kenë të drejtë bazike për t'u shprehur për të ardhmen e vendit të tyre, por njëkohësisht edhe për të mbështetur krijimin e gjithë institucioneve që do ta forconin më tej dialogun mes vendit tonë dhe gjithë qytetarëve tanë kudo ku ata janë. Kjo do të rrisë kujdesin tonë ndaj tyre në të gjitha aspektet, sepse mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe ne jemi një vend që ka një emigracion të lartë, ndaj kemi nevojë për ta mbështetur akoma më shumë ketë potencial", u shpreh Meta.

Ndërsa përfaqësuesi i shoqatave shqiptare tha se në aktin e firmosur me kryetarin e Kuvendit përfshihen kërkesat e emigrantëve në Itali, për të qënë pjesë integrale e shoqërisë shqiptare, mes tyre dhe e drejta e votës.
"Marrëveshja përmban dhe prioritete të tjera si ajo e forcimit të identitetit shqiptar përmes promovimit të gjuhës shqipe. Ka ardhur momenti kur institucionet shqiptare duhet të bëjnë një kapërcim cilësor në këtë drejtim, pasi ne jemi një forcë aktive në integrimin e Shqipërisë. Mund të krijohet dhe një ministri Diaspore, ndaj propozimet tona ia paraqitëm kryetarit të Kuvendit, që ai të bëhet përcjellës tek forcat politike shqiptare në parlament", tha përfaqësuesi i emigrantëve.
I pyetur nga gazetarët për situatën e përmbytjeve në qarkun e Fierit dhe Vlorës, Meta u përgjigj se situata është shqetësuese dhe se duhet të bëhet më shumë.
"Kam qënë në lidhje të vazhdueshme me ministrin e Bujqësisë dhe ministrin e Transporteve për situatën, e cila është shqetësuese, ndërsa pritet që dhe në ditët në vijim të ketë mot të vështirë. Shpresojmë që gëzimi i këtij kualifikimi të merituar të kombetares sone te mos çojë deri në një problem real shqetësues për qytetarët tanë në Jug të vendit. Shpresoj qe per kete te merren të gjitha masat", tha Meta. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama