Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha dje se Shqipëria nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të shkatërruar armët kimike.
I ftuar në emisionin “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, Meta tha se Shqipëria nuk mund të marrë përgjegjësi që nuk ia mbajnë supet.
Z. Meta, seriozisht e keni me lajmin më të ri që mund të vijnë armët kimike të Sirisë në Shqipëri?
Ekziston një deklaratë e ministrit të Jashtëm që jemi kontaktuar nga SHBA-të, por nuk ka një vendim. Ne jemi vend anëtar i NATOs. Është një vend i angazhuar për luftën kundër terrorizmit dhe ka dhënë një kontribut të spikatur në këtë drejtim, madje edhe përpara 11 shtatorit. Kjo është një nga arsyet pse jemi anëtar i NATO-s prej disa vitesh. Në jemi aktivë në të gjitha përpjekjet të cilat kanë të bëjnë me paqen, me demontimin, eliminim e armëve kimike e kështu me radhë. Unë nuk mund të flas këtu në emër të qeverisë dhe as të Ministrisë së Jashtme, e cila është pika e parë e kontaktit në raportet midis dy vendeve dhe dy qeverive. Unë mund t’ju them se nuk ekziston një vendim i tillë. Është normale që të kontaktojnë me të gjitha vendet anëtarë të aleancës që mund të kontribuojnë në këtë drejtim, por unë mund t’ju them me bindje të plotë se ky vendim do të jetë transparent, do të jetë në interes të vendit, dhe në fund fare, fjalën e fundit do ta thotë Parlamenti. Kështu që mos të mjaftohemi me gjykime dhe paragjykime të nxituara.
A do t’i pyesni qytetarët për shkatërrimin e armeve kimike në Shqipëri?
Unë nuk jam ekspert as i armatimit, as i çarmatimit, dhe as i mjedisit. Ashtu sikurse ndaj të njëjtin mendim me ju, që nuk kam besim se ne i kemi këto kapacitete, sepse përderisa vende të tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara nuk pranojnë se i kanë këto kapacitete, nuk mund të vazhdojmë më me teorinë që dy luanë ka bota. Absolutisht jo! Por, e kuptoj që kjo situatë është për shkak të lajmeve që dalin nëpër media, diku këtu e diku jashtë, do të vijojë të amplifikojë, por unë kam shumë besim dhe e theksoj çështjen e transparencës, sepse kjo është çështje që mbetet për t’u verifikuar. Nuk ka asnjë arsye që ne të marrim vendime që cenojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, gjeneratave të ardhme, absolutisht jo. Por, nuk kemi pse të nxitojmë me paragjykime dhe fajësime. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka detyrimet e saj, dhe do të marrë ato përgjegjësi që janë në gjendje të mbajnë supet e saj. Nuk mund të marrë përgjegjësi të cilat nuk i mbajnë supet e saj.