Meta me ekspertet e Venecias Ndryshimet kushtetuese te prodhojne drejtesi te besueshme

TIRANË, 3 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të martën raporterët e Komisionit të Venecias, me të cilët bisedoi mbi ecurinë e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Kreu i Kuvendit, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe ekspertizën e këtij organizmi të ofruar në vite, vuri në dukje rëndësinë e opinionit të tij për të garantuar që propozimet për ndryshime kushtetuese të prodhojnë një sistem drejtësie të besueshëm, të qëndrueshëm, profesional dhe efikas.

Kryeparlamentari Meta theksoi se reforma duhet t'i shërbejë në radhë të parë qytetarëve shqiptarë, të cilët meritojnë të marrin drejtësi e të mos zvarriten më dyerve të gjykatave. Në këtë kuadër, ai vuri në dukje se Kushtetuta e vitit 1998 ishte një arritje madhore për Shqipërinë, e cila fatkeqësisht u deformua prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të pakonsultuara me Komisionin e Venecias dhe të hartuara për qëllime politike afatshkurtëra.

Gjithashtu, kreu i Kuvendit shtoi se gjatë viteve të fundit është abuzuar me standartet e Kushtetutës duke krijuar një sistem i cili karakterizohet nga papërgjegjshmëria dhe mosllogaridhënia.

"Ndaj, nënvizoi Meta, reformimi i sistemit të drejtësisë është i domosdoshëm dhe kyç për të ardhmen e demokracisë shqiptare, me qëllim që qytetarët shqiptarë të kenë një sistem të drejtë, të besueshëm, të përgjegjshëm dhe efektiv në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".

Raporterët e Komisionit të Venecias pasi vlerësuan Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si një arritje historike në të kaluarën, vunë në dukje se Komisioni i Venecias është i gatshëm të ofrojë eksperiencën e ekspertëve të tij me qëllim forcimin e besimit tek sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu në përfundim vlerësimin për rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias duke ripërsëritur bindjen se opinioni i tij do të jetë shumë i rëndësishëm për garantimin e zbatimit të standarteve më të mira ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, në shërbim të qytetarëve shqiptarë. /a.s/a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama