Meta ndryshoi ministrat si te ishte pronar i nje pjese te qeverise

'Meta ndryshoi ministrat si te ishte pronar i nje pjese te qeverise'
“Pas 2005 kemi një PD konformiste”, kështu përgjigjet deputeti Mark Marku kur e pyet për zhurmën që shkaktuan deklaratat e tij kritike ndaj partisë ku bën pjesë. Marku shprehet se brenda PD, por edhe partive të tjera, ka një tendencë konformizmi ndaj linjës zyrtare partiake, që shkaktohet edhe nga frika e moskandidimit në listat e deputetëve. Ai flet gjithashtu edhe për kritikat e ambasadorit danez dhe për zgjerimin e debatuar të rrugës së Elbasanit

Zoti Marku, u bënë dy javë qëkurse jeni shfaqur në media me një numër qëndrimesh e vërejtjesh, të cilat duket se kanë trazuar ujrat e qeta të maxhorancës. Si e keni përcjellë reagimin e opinionit publik ndaj këtij pozicioni të pazakontë për një deputet të Partisë Demokratike?

Nga sa kam arritur të kuptoj, kam krijuar idenë se qëndrimet e mia nuk kanë kaluar pa interesin dhe vëmendjen e opinionit publik. Paradoksalisht, kam vënë re edhe një lloj habie. Mendoj se në pjesën më të madhe kjo habi lidhet me faktin se qëndrime të tilla ndeshen gjithnjë e më rrallë jo vetëm në PD, por edhe formacionet e tjera politike shqiptare. Ka një konformizëm të dukshëm brenda partive shqiptare dhe mendoj se ky konformizëm është bërë edhe më i thekshëm me sistemin proporcional për shkak të frikës së përfshirjes së deputetëve apo aspirantëve për deputetë në listat e kandidatëve të partive. Personalisht e konsideroj këtë gjendje konformizmi si të dëmshme për PD-në dhe kam dashur ta thyej me vetëdije. Nuk e kuptoj, pse edhe 20 vjet pas rënies së komunizmit, të thuash atë që mendon na qenka akt i pazakontë, apo aq më keq i guximshëm. Mendoj se në vetvete edhe ky është një problem, madje shumë i madh. 
 
Ka pasur një numër prej kolegëve tuaj, të cilët kanë shpejtuar të minimizojnë problemet që ju ngrini. Ndërkohë që instancat e larta të partisë kanë qëndruar në heshtje. Si i komentoni këto dy qasje?

Ka disa ligjësi të hapësirës publike që disa deputetë apo politikanë fatkeqësisht nuk i njohin. Dhjetë, njëzet, njëqind apo njëmijë zëra që i kunëdërvihen një zëri kritik, nuk mund ta delegjitimojnë kritikën e tij, përkundrazi e bëjnë më të besueshme. Kritikën e një individi e legjitimon apo delegjitimon vetëm raporti i saj me vërtetësinë e problematikës që merr përsipër të trajtojë. Ajo varet shumë edhe nga perceptimi që ka publiku për shqetësimet e ngritura. Nëse artikulimi i tyre e përmbush pritjen e publikut, ose i shpreh shqetësimet e tij, atëherë relativizimi i kritikës është i pamundur madje, as me heshtje.
 
Sa e saktë është teza se një PD tradicionalisht e qetë dhe një PS tradicionalisht e trazuar, janë dy situata që kanë të bëjnë me një kulturë të hershme politike që këto forca kanë trashëguar, që nga dita e parë e krijimit të tyre? Cilën nga këto dy sjellje të ndryshme konsideroni më normale?

Nuk më duket shumë e vërtetë, pasi në periudha të caktuara edhe PD, ka qenë një parti e trazuar. Grupe apo individë brenda PD-së janë shprehur që në muajt e parë të themelimit të kësaj force politike madje kanë tentuar të krijojnë fraksione, janë larguar, kanë krijuar parti e më pas janë kthyer. Pas daljes në opozitë, PD u homogjenizua dhe u shndërrua në një parti të disiplinuar dhe në një periudhë të mëvonshme fraksionet apo individët e larguar filluan të kthehen. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2005 fryma kritike brenda PD-së u dobësua ndjeshëm, edhe pse ka patur raste përjashtuese si ai i Ngjelës apo Mustafajt. Me largimin e tyre, por edhe të ndonjë tjetri, PD u shndërrua në një parti konformiste dhe kjo natyrisht shpjegohet disi edhe me gjendjen konfliktuale politike. Të kuptohemi, ajo që në kushte të zakonshme quhet kritikë, në një situatë konfliktuale quhet dezertim apo tradhëti. Ky është mentaliteti politik mbizotërues.

PS, në fazën e saj fillestare,  për të hequr damkën e një partie staliniste e nxiti, debatin brenda rradhëve të saj. Kthimi në pushtet, diversifikimi i interesave dhe forcimi i klaneve e bëri luftën politike brenda llojit shumë të ashpër dhe kjo normalisht krijonte edhe një klimë të brendshme më plurale. Po të llogarisim këtu edhe talentin e Nanos si kryetar partie për t’i administruar situata të tilla, kjo kuptohet më qartë. Megjithatë me ardhjen e Ramës në PS, kjo parti është bërë gjithnjë e më shumë e uniformizuar dhe konformiste. Shto këtu edhe listat…         
 
Një pyetje që lind nga problemet që ju ngrini, është e ajo e një rithemelimi të PD. Duke qenë se kjo parti ndër vite ka marrë gradualisht imazhin dhe vulën e kreut të saj Berisha, a mendoni se një PD e ndryshme me Berishën kryetar, është një ekuacion realist dhe i mundshëm?

Është e vërtetë se PD është identifikuar me Berishën, pasi ai e drejton këtë parti që prej themelimit të saj, por, në thelb problemi i rithemelimit nuk e ve në diskutim statusin e liderit edhe pse mund ta ridimensionojë rolin e liderit dhe t’i ndryshojë raportet e brendshme mes tij dhe strukturave apo individëve.  UMP, e djathta popullore franceze, është themeluar dy herë, dhe nëse në rastin e parë rithemelimi e ka sjellë në pushtet kryetarin e kësaj partie, Shirakun, rithemelimi i dytë i ka mundësuar marrjen e një mandati tjetër. Berluskoni në Itali sapo ka shpallur se do të bëjë rithemelimin e katërt të partisë, në tentativën për të fituar zgjedhjet. Pozita e Berishës në PD është aq e fortë, sa praktikisht nuk mendoj se me një rikonceptim të PD-së kjo pozitë mund të dobësohet.

Një akt rithemelimi, normalisht e transformon rrënjësisht PD-në, krijon rasporte dhe hapësira të reja brenda PD-së, por nuk ia heq asetet apo burimet njerëzore me vlerë që ka kjo parti. Si do që të jetë puna, kjo formë e organizimit të PD-së, këto marrëdhënie të brendshme dhe problemet e rënda të krijuara në nivelin e përfaqësimit mendoj se po e çojnë PD-në drejt një situate stanjacioni. Dhe stanjacion do të thotë humbje.
 
Ilir Meta riformatoi pjesërisht qeverinë, pak ditë më parë, me shumë gjasë për shkak të një konflikti të brendshëm me njërin nga ish-ministrat e tij. Sa frustruese është një sjellje e tillë, e cila ju detyron, ju si forcë kryesore e shumicës, që t'i bindeni problematikave të një aleati të vogël si LSI?

E kam përshëndetur që në fillim koalicionin me LSI-në, por mendoj se mënyra se si kjo forcë politike reagon në raport me qeverinë është jo normale. LSI e ndryshoi  “pjesën e vet” të qeverisë sikur të ishte pronar i një pjese të qeverisë dhe jo sikur të ishte në koalicion. Ndryshimet në qeveri e kanë një logjikë dhe asnjë formacion politik nuk sillet kështu me koalicionin ku bën pjesë.

Sa për pjesën e pushtetit që ka përfituar nga kontrata e koalicionit tashmë dihen pasojat. Niveli i përfaqësimit të PD-së në pushtet dhe i administrimit të pushtetit prej saj është cenuar ndjeshëm.
 
A duhet të shkojë PD në koalicion me LSI në zgjedhjet e ardhshme? Nëse po, a ka diçka qëe do të duhet të ndryshonte në këtë bashkëpunim?

Po, mundet, por kontrata me të, do të duhej të ishte më në përputhje me forcën reale të secilës parti dhe mentaliteti i bashkëqeverisjes duhet të ndryshojë plotësisht.
 
Ambasadori danez Ankjaer Jensen deklaroi në këtë revistë, në numrin e shkuar, se dyshon që Shqipërinë do ta çojnë në BE kriminelët. E kishte fjalën për klasën politike. Si e komentoni këtë deklaratë? Në të njëjtën intervistë ai shpreh shqetësimin se vendi ynë nuk po e zhduk dot gjurmën e Enver Hoxhës, duke u shprehur edhe një herë për hapjen e dosjeve të së kaluarës. Komenti juaj?

Deklaratat e ambasadorit danez janë të patolerueshme për një diplomat, por megjithatë duhen analizuar, pasi ai që flet më ashpër jo domosdoshmërisht nuk duhet marrë në konsideratë. Ambasadori danez duket ka qenë shumë i pakënaqur nga gjendja e korrupsionit në Shqipëri dhe mos pajtimi i tij me këtë gjendje natyrisht buron edhe prej faktit se ai vjen nga Danimarka, një vend me nivel shumë të ulët korrupsioni. Edhe pse nuk duhet t’i marrim si fakte opinionet e tij, prapëseprapë është mirë që të mendojmë për atë se çfarë e ka bërë një ambasador të bëjë akuza kaq të rënda. Për sa u përket dosjeve, mendoj se ka plotësisht të drejtë, pasi mos hapja e tyre i mban ende peng ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit dhe nga ana tjetër mos shapja e tyre i mban ende në këmbë dhe të forta strukturat e ish-Sigurimit famëkeq të diktaturës. Ish-Sigurimi i Shtetit pushon praktikisht dhe realisht së funksionuari me hapjen e dosjeve.    
 
A do të ishte mirë që të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, nëse humbet sërish statusi i vendit kandidat në tetor?

Nuk mendoj se zgjedhjet e parakohshme do ta zgjidhnin problemin e marrjes së statusit, ose do ta përshpejtonin atë. Marrjen e statusit (nëse nuk merret në Tetor), do ta përshpejtonte cilësia e zgjedhjeve të ardhshme, jo koha e bërjes së tyre
 
Duke qenë se jeni prezent në atë pjesë të Tiranës, çfarë mendoni për vijimin e projektit të zgjerimit të rrugës së Elbasanit nga ana e bashkisë, duke insistuar në mosbërjen e transparencës për dokumentacionin e nevojshëm që kërkon një ndërmarrje e tillë, e cila po dëmton rëndë Parkun e Liqenit?

Edhe pse nuk jam urbanist, kam reaguar për problemin e krijuar, pasi e para jam shumë i ndjeshëm ndaj dy pjesëve të Tiranës: Parkut të Liqenit Artificial dhe pjesës së bulevardit Dëshmorët e Kombit, sepse sipas mendimit tim janë pjesët më me vlerë të Tiranës, e dyta sepse mendoj që vendime të tilla që sjellin ndryshime të rëndësishme në qytet, nuk duhet të bëhen me ngut dhe mbi të gjitha duhet të jenë transparente (e kemi sulmuar për vite e vite Ramën si kryebashkiak, pikërisht për arrogancën me të cilën i ka bërë ndryshimet në kryeqytet) dhe së treti sepse nuk më duket se sakrifikimi i asaj pjese të parkut është i justifikuar, me përmirësimet që pëson trafiku i kryeqytetit dhe rrjedhimisht edhe jeta e qytetarëve të Tiranës.
 
A mendoni se vera e ardhshme do t'ju gjejë kandidat për një madat të dytë parlamentar?

Edhe pse angazhimi im në politikë është serioz, asnjëherë nuk i kam lejuar vetes kufizime që burojnë prej kandidimit apo moskandidimit. Angazhimin politik e vlerësoj, po aq sa edhe angazhimet e tjera që kam pasur në jetë, por nuk e konsideroj politikën si mjet mbijetese, apo si instrument për përfitime. Është njëra nga format e aktivitetit intelektual të individit, jo e vetmja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama