TIRANË, 30 Tetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në SHBA zhvilloi një takim të veçantë me kongresmenin, Robert Pittenger, kryetar i Task-forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, kongresmeni amerikan e falenderoi kryeparlamentarin për pjesëmarrjen në konferencën parlamentare të Inteligjencës dhe Sigurisë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme si lufta kundër terrorizmit dhe ISIS, kërcënimet kibernetike dhe pastrimi i parave, me fokus krimin e organizuar dhe terrorizmin global.
Kryetari i Kuvendit e ftoi kongresmenin amerikan që konferenca e ardhshme të zhvillohet në Shqipëri ç'ka u mirëprit nga kryetari i Task-Forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale. "Gjithë këta elementë janë faktorë të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar ekstremizmin islamik. Ne kemi gjetur një partner shumë të rëndësishëm tek Shqipëria dhe një mik shumë të madh. Ev lerësojmë dhe ju falenderojmë shumë që jeni sot këtu dhe shpresojmë që forumi tjetër në pranverën e ardhshme të zhvillohet në Europë. Nëse do të kemi mundësi do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ky forum të bëhet në Tiranë. Të shpresojmë që edhe të tjerët do t'i bashkohen kësaj nisme dhe kësaj axhende, por ftesa juaj është shumë e mirëpritur dhe e respektuar", tha Pittenger.
Gjithashtu, kryetari i Kuvendit u takua dhe me lideren e demokratëve në Kongres, znj. Nancy Pelosi, ku ecuria e reformave në Shqipëri ishte një nga temat qendrore të bisedës. Ndërkohë që rreziku i terrorizmit dhe krizës së refugjatëve nga Siria ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin mes z. Meta dhe shefes së grupit të demokratëve në Kongresin Amerikan.
Gjatë bashkebisedimit u prek dhe tema e kontributit të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe operacioneve paqeruajtëse ku Shqipëria bën pjesë. /a.s/ /a.ke/