- Kryetari i Kuvendit takon Robert Benjamin, Drejtor Rajonal të NDI-së -
TIRANË, 27 Tetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës në SHBA u prit nga Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Robert Benjamin.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendit, në takim u theksua kontributi i rëndësishëm që NDI-ja luan në Shqipëri dhe bashkëpunimi midis Kuvendit dhe këtij Instituti në fusha të rëndësishme, siç janë transparenca dhe funksionimi i Parlamentit, bashkëpunimi i shkëlqyer me administratën e Kuvendit dhe shkëmbimi i eksperiencave me shërbimet legjislative dhe përmirësimin e funksionimit të tyre.
Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë që ka roli dhe kontributi i NDI-së në përmirësimin e punës së Parlamentit përmes trajnimeve të administratës dhe përmirësimit të kuadrit legjislativ. NDI-ja ka luajtur një rol të veçantë edhe në rritjen e bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të rajonit.
Meta gjithashtu vlerësoi kontributin e dhënë nga Instituti Amerikan përmes projektit të transparencës së Parlamentit ndaj publikut, ku një dokument i rëndësishëm është projekti i hapjes së Parlamentit.
Benjamin vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa shprehu angazhimin e organizatës që përfaqëson për të bashkëpunuar më tej dhe çuar përpara disa procese të rëndësishme, siç janë përfaqësimi i grave në politikë dhe Kuvend, rritja e rolit të Parlamentit në aspektin e kontrollit që duhet të luajë ndaj ekzekutivit, kodi i etikës dhe sjelljes së deputetit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, veçanërisht shërbimit legjislativ, si dhe angazhimi i të rinjve në politikë.
Më tej, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi situatën në rajon, krizën e refugjatëve dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh rajonal në përballimin e këtyre sfidave. Gjatë këtij takimi, kryetari i Kuvendit shoqërohej nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade. /a.s//m.m/