TIRANE, 8 Tetor/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, aleat i mazhorancës qeverisëse.
Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, Meta dhe Idrizi zhvilluan së bashku një drekë në një restorant në kryeqytet.
Në përfundim të takimit prej dy orësh, kryeparlamentari Meta në një prononcim për mediat tha se gjatë këtij takimi është diskutuar për Kuvendin dhe për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Meta deklaroi se takimet e tij me aleatin e koalicionit qeverisës, PDIU-në, janë në harmoni të plotë me kryeministrin, Edi Rama.
"Me Shpëtim Idrizin ishte një drekë e zakonshme. Jemi në harmoni të plotë me Kryeministrin Edi Rama. Diskutuam për Kuvendin dhe ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe sot jemi për të parë një kombëtare të suksesshme.Do të marr vajzën e vogël dhe do të iki në Elbasan", u shpreh Meta pas takimit.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Idrizi tha se "sot duhet të jemi të bashkuar. Sot është dita për të meduar si të fitojmë ndeshjen"
Një ditë më parë, PDIU u bë pjesë e qeverisë duke u përfaqësuar në nivel zv.ministri të Jashtëm./a.gegvataj/