Michigan Nena shqiptare fiton te drejten per te qendruar edhe nje vit ne SHBA

Michigan: Nena shqiptare fiton te drejten per te qendruar edhe nje vit ne SHBA

Mërgimtarja nga Shqipëria Çile Precetaj që ka qenë në qendër të vëmendjes së medias këto ditë arriti dy fitore të rëndësishme sot, bën të ditur “Free Press” në Detroit. Autoritetet e emigracionit i kanë dhënë vit leje qendrimi në SHBA si dhe ia kanë hequr prangën elektronike monitoruese nga këmba, të cilën ka qenë e detyruar ta mbante që të mos fshihej nga policia.

“Tani mund të shoqëroj djalin tim në eskursionin që do të bëjë në Ohio”, tha e lumtur për gazetën nëna e tre fëmijëve. Monitoruesi elektronik në një nga kaviljet i shqetësonte veçanërisht fëmijët.
Betejën e saj për të qendruar në SHBA e kemi përshkruar më parë në gazetën “Illyria”.


E marta duhej të ishte dita e saj e fundit në SHBA. Mirëpo ajo vendosi ta sfidojë urdhërin. Vëmendja që i kushtoi media lokale, luajti rol në sensibilizimin e çështjes. Ngjarja mobilizoi edhe një numër veprimtarësh në komunitet që nxitën njëri-tjetrin për trë ndërhyrë pranë politikanëve që njihnin apo që mund t’u gjendej numri.


Është vështirë të gjykosh se sa ndikim real kanë në punën e institucionit të zbatimit të ligjit pranë autoriteteve të emigracionit, politikanët e një shteti, megjithatë, asnjëherë nuk është e tepërt çfarë ndihme e ndërhyrje në situata të tilla.


Çështja ishte sidomos skandaloze sepse gruaja shqiptare nuk ishte as e rrezikshme për shoqërinë e as ndonjë rast që kërkonte zgjidhje urgjente. Rastësisht të enjten, në një nismë që nuk kishte lidhje me këtë punë 28 kongresistë i shkruan një letër të sertë presidentit Obama kundër deportimeve në prag të ligjit të legalizimit të emigrantëve pa dokumente.


Si fillim, urdhëri për deportimin e Çile Precetajt, u pezullua, me pretekstin se do të rishqyrtohej edhe një herë çështja e saj. Ndërsa, sot (ditën e premte), i telefonuan nga autoritetet e emigracionit, që i kërkuan që të paraqitej në zyrën e tyre në Detroit për t’ia hequr monitoruesin elektronik nga këmba.


Asaj i erdhi gjithashtu një letër zyrtare, me të cilën njoftohej se kërkesa e saj për të pezulluar deportimin ishte aprovuar për një vit. Kjo është edhe koha, maksimale që mund të jepet në raste të tilla.
Procesi mund të riciklohet me sukses, nëse ekziston vullneti i mirë i autoriteteve. Në përfundim të këtij viti, avokati mund të aplikojë për një tjetër kërkesë pezullimi dh eta përsërisë procesin në vijim. Në një farë mënyre, shkruan gazeta e njohur e qytetit Detroit, ajo nuk duhet të ketë më problem me këtë punë sa kohë që respekton kushtet e qeverisë dhe zbaton ligjet.


Megjithatë, duhet nënvizuar se ky zgjidhje është vetëm në teori një punë e mbaruar. Pezullimi i deportimit nuk të jep asnjë status. Ajo nuk mund të dalë nga SHBA, nuk mund të gëzojë të drejtat e qytetarëve etj. As nuk është e garantuar se çdo të ndodhë më vonë me klimën politike që ndikon në punën e emigracionit.

Llogjika e thjeshtë e do që ndërkohë, politikanët në Washington do të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund kësaj gjendje anormale të 11 milionë njerëzve pa dokumente në këtë vend. Ata që kontribuojnë në shoqëri në vend që të jetojnë në kurriz të saj, duhen ndihmuar që të legalizohen dhe të mos jetojnë më me frikë në këtë vend që njihet si vend i lirisë.

Nga ana financiare, nga ana e sigurisë, nga ana e shëndetit publik si dhe nga ana morale, kjo situatë nuk mund të vazhdojë siç është.

Politikanët që kërkojnë vendosjen e disa parakushteve kanë arsye legjitime, por ato nuk janë arsye per ta ngrirë procesin. Dhe mbi të gjitha asgjë nuk justifikon koston e dëbimit nga vendi të qytetarëve model të këtij vendi.

Vetëm nëse ligji për emigracionin ndryshon, atëhere Çile Precetaj e të tjera si ajo kanë shpresë ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë jetën e tyre.

Por nëna shqiptare nga Michigan, ku ndodhet një nga përqendrimet më të mëdha, të shqiptarëve, nuk po mendon për perspektivën tani. Ajo është e lumtur që dëbimi është ndalur e që jeta mund të rikthehet siç ishte.

“Nuk dua asgjë tjetër, përveçse të qendroj këtu, të rris fëmijët dhe të jetoj një jetë normale”, tha ajo për gazetarët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama