Microsoft Ofron plot 44.6 miliarde dollare Yahoo-ne

Në fillim të javës, "Yahoo" bëri të ditur se do të shpenzonte edhe 300 milionë dollarë shtesë këtë vit, në një përpjekje për të rifreskuar kompaninë. Ajo është përpjekur vitet e fundit të hyjë në garë me "Google"-in, që gjithashtu ka qenë një konkurrent i "Microsoftit". Në një konferencë për shtyp, Kevin Xhonson nga "Microsoft", tha se kombinimi i dy kompanive do të krijonte një njësi që do të konkurronte më me forcë me "Google"-in. "Sot, tregu për kërkime dhe publikime online po dominohet gjithnjë e më shumë nga një aktor i vetëm", tha ai duke shtuar se një situatë e tillë duhet të ndryshojë. "Yahoo" konfirmoi ndërkohë se kishte marrë një ofertë të pazakontë dhe tha se bordi drejtues i kompanisë do të vlerësonte propozimin me kujdes dhe në mbështetje të planeve strategjike të "Yahoo"-së e se do të ndjekë rrugën më efikase për të rritur vlerën e aksioneve të saj. Nëse "Yahoo" pranon ofertën, autoritetet e konkurrencës si në SHBA ashtu edhe në BE, ka shumë gjasa që të investigojnë detajet e kësaj shkrirjeje.

Drejtori i përgjithshëm i "Yahoo"-së, Xherri Jang, pati lajmëruar së fundmi se do të shkurtoheshin rreth 1 mijë vende pune si pjesë e një plani ristrukturues. Ndërkohë, "Microsofti" ka sqaruar se aksionerët e "Yahoo"-së mund të zgjedhin të marrin para në dorë apo aksione në kompani. Kuotimi i "Yahoo"-së në bursë ka rënë me 46 për qind që nga tetori. Por, pas publikimit të lajmit të ofertës së bërë nga "Microsoft", u regjistrua menjëherë një rritje prej 51.2 përqindësh.

"Në fund të fundit, kjo ‘martesë‘ është detyruar nga rritja e ‘Google‘-it, që është shndërruar në një konkurrent serioz për të dyja kompanitë, ‘Microsoftin‘, si kompani softuerësh dhe ‘Yahoo‘-në si portal interneti", thonë ekspertët. "Microsoft", në fakt, është përpjekur të nisë bisedimet një vit më parë, por ishte tërhequr, pasi "Yahoo"-ja kishte qenë e bindur se një riorganizim i saj do ta fuqizonte atë. "Ka kaluar një vit dhe situata nuk ka ndryshuar", thuhet në letrën-ofertë të "Microsoftit". Gjithsesi, ka pasur edhe shqetësime në lidhje me çmimin që "Microsoft" ka ofruar. Shumë ekspertë mendojnë se shifra është e ekzagjeruar, trullosëse dhe për më tepër ekziston edhe skepticizëm në lidhje me faktin se edhe një bashkim "Microsoft-Yahoo" nuk do të mund të linte pas "Google"-in. Por, gjithsesi, ka edhe analistë entuziastë mbi këtë ofertë. Sipas këtyre të fundit, kjo shkrirje konsolidon tregun dhe vë "Google"-in përballë "Microsoftit". Si pasojë, të dyja këto kompani do të bënin një konkurrencë të fortë.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama