Migjeni i panjohur

Migjeni i panjohur
Migjeni i Panjohur? Tingëllon paradoksale? Aspak. Është e vërtetë që ka një popullarizim të pazakontë për të, për emrin e tij. Por studimi i veprës së tij epokale është ende sipërfaqësor, sidomos në rrafshin estetik. Në 100-vjetorin e lindjes së Migjenit, akademizmi zyrtar është flu-indiferent, dekorativ, krejtësisht i kotë dhe i panevojshëm. Migjeni nuk ka asnjë lidhje me këtë akademizëm, as me instrumentet klienteliste të shkrimorëve mediokër, që as e kanë kuptuar ndonjëherë, dhe as do ta kuptojnë, padyshim. Migjeni është si Guliveri mes të ashtuquajturve kritikë xhuxhë, liliputë.

Migjeni është një fenomen madhështor dhe i ndërlikuar, i shumëfishtë i letrave shqipe. Ai është një shkrimtar krejt tjetërlloj, pa paraardhës. Edhe tani mbas 100 vjetësh duket se nuk ka pasardhës. Ai është gati i vetmuar, monumental, por askush si Migjeni nuk ka krijuar një intimitet dhe grishje të jashtëzakonshme. Pa Migjenin, letërsia shqipe do të varfërohej mjerueshëm. Me Migjenin është dhe do të jetë përherë universale, një letërsi urbane e nivelit botëror. Migjeni është shkrimtari ynë më konceptual i modernitetit letrar. Ata që nuk e kuptojnë këtë të vërtetë sot, do ta kuptojnë nesër, ose s’do ta kuptojnë asnjëherë. Aq me keq për ta. Migjeni nuk ka nevoje për apologji të stilit barok, as për lavdi të rreme të “idhujve pa krena“. Ai është i vetëmjaftueshëm, vërtetë i fragmentuar, por që krijon si askush një plotëri. Atij nuk ka ç’t’i bëjë  harresa, as kur është dinake dhe e qëllimshme. Kadareja e ka sqaruar përfundimisht, si askush, këtë të vërtetë madhore në librin e tij përurues për Migjenin. Vetëm tani Migjeni po përjeton leximin e thelbshëm të veprës së tij, një lexim të ri, pikërisht atë lexim që mungonte. Disa estetë të formuar si dr. Anastas Kapurani dhe Idlir Idrizi kanë botuar libra ndryshe, të guximshëm dhe të vërtetë për Migjenin.

Sepse Migjeni është shkrimtari më i pakompromentuar, me një trimëri civile të pashembullt dhe me një art të madh për të thënë të vërtetën. Ai i përket shekujve. I vetëdijshëm. Ai e hap veprën e tij me një “Parathënie të parathënieve“. Vargu i tij i parë është: “Përditë perëndojnë zotat“, pra shkatërron hierarkitë e panevojshme dhe shtrënguese për emancipimin e historisë dhe të artit.

Për një krijues të fuqishëm si Migjeni, arti është i dyfishtë. Për të arti është jo vetëm lëndë artistike, por edhe koncept teorik institucional për vetë artin. Krijimtaria e Migjenit është materie e gjallë dhe e pavdekshme e kulturës shqiptare. Spikat si një nga thesaret më të mëdhenj kombëtarë. Kjo krijimtari me një sens të patjetërsueshëm estetik dhe emancipues, është e pakufizuar nga paragjykimet politike, nga stereotipat e sloganet ideologjizuese të çdo ngjyre qofshin. Në të Migjeni na ka lënë dëshmi të mendimit të tij teorik për artin. Dhe, s'kish se si të ndodhte ndryshe. Si krijues i madh ai nuk mund të heshtte dhe të mos shpallte përpara botës kredon e tij konceptuale, që lidhet me krijimet e tij. Në shumë skica dhe proza të Migjenit lexuesi takon fragmente esesh të vërteta, të guximshme, disa herë të habitshme. Në 14 qershor 1936, Migjeni i dërgon një artikull në formë letre redaksisë së revistës përparimtare të kohës “Bota e Re”.

Ky artikull ka një rëndësi të veçantë për mendimin eseistik kombëtar. Dihet, që këtë lak kohor, në faqet e “Botës së re” u zhvillua një anketë, si dhe një debat për rolin dhe funksionin e artit në shoqëri. Shumë letrarë të kohës si Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Misto Treska, Nonda Bulka e të tjerë shpallën publikisht mendimet e tyre për rolin që duhet të luajë arti në shoqëri, duke theksuar sidomos anën utilitare të tij. Migjeni në shkrimin e vet që i dërgoi revistës, del menjëherë si një kapacitet më i madh se sa bashkëkohësit. Ka një mendim më të lartë dhe të kultivuar, më të thellë dhe është kundër sociologjizmit vulgar, kundër katandisjes së artit në rolin e një mjeti të thjeshtëzuar politik, duke luftuar për pavarësinë relative të artit në shoqëri dhe sidomos për atë që e bën artin, art, d.m.th, për artistiken si koncepti bazë i pazëvendësueshëm i krijimtarisë në llojin e vet. Nga kjo pikëpamje, Migjeni tingëllon jashtëzakonisht aktual sot. Ai ka një koncept demokratik të zhvilluar dhe është kundër skemave politizuese, ideologjizuese, që periudha moniste i krijoi si tabutë kryesore të vetvetes. Për të gjykuar vetë lexuesi po botojmë tekstin e kësaj letre, e cila gjendet në librin “Krijimtaria e Migjenit”, e studiueses Gentruda Entrej, botuar shumë vite më parë. Për fat të keq, ne nuk dimë se ç'u bë dhe ku ndodhet origjinali shqip.

KRYESORJA NË ART ËSHTË ARTISTIKJA

“Me interes i lexova të gjithë artikujt tuaj mbi artin. M’u dukën shumë të nevojshëm, të rëndësishëm dhe shumë bashkëkohorë ‑ veçanërisht orientimi ideor. Na ka mbetur t'i bashkojmë mundësitë e paorientuara të artit të madh. Ndoshta puna qëndron në atë, se në çfarë zhanri dhe sipas çfarë recetash do të shkruhet. Mendoj që kryesorja në gjithë artin është artistikja, që me talent dhe me drejtësi, pa kompromis, të zbulojmë esencën shoqërore, morale e psikologjike të jetës intime, të njerëzve, të marrëdhënieve të tyre, që artin do ta pasuronte shpirtërisht dhe estetikisht. Se është e drejtë, domosdo, që arti duhet të jetë edhe ideor.

Tashmë, është krejt pa interes që lexuesi të lidhet me gjithfarë formulash ideore, që të mos guxojmë, që të ngacmojmë te lexuesi këtë reaksion ideor në mënyrë emocionale, përmes transformimit artistik. Këtu nuk ndihmojnë as mendimet, as qëllimet më të mira, as frazat e larta vetëm mbi ‘dobinë’. Nuk bën që poezia të shikohet vetëm si mjet i propagandës së ideve, madje edhe të atyre më përparimtare, e stili vetëm si instrument i mendimeve. Arti ka nevojë për shndërrime të ndjenjave, të nervave. Dhe ku, përveçse në poezinë e mirë e të fuqishme, t'i hiqet mendja lexuesit për ndërveprime të papritura dhe të fuqishme, duke qëndruar më mirë se sa në argumentet e formuara logjike.

Dhe a mundemi ne, duke kuptuar gjithë këtë, t'ia marrim të drejtën poezisë për zërin që ka gjatë atyre ditëve, kur letërsia zgjidh detyra shoqërore‑kulturore? Përse nuk do të mund të dallonim, për shembull, prapa simboleve mistike të muzës të sfilitur të Rembosë dhe Verlenit, kërkimin e mjeteve shprehëse të vargut, synimin që të mos përshkruhet vetëm karakteri i jashtëm e që me guxim të depërtohet në fshehtësinë e ndjenjave dhe të mendimeve në lidhjet e fshehta midis botës dhe nesh. Përse të mos çmohet orvatja, e impresionizmit dhe e simbolizmit, të përafrohen sferat e gjinive të artit, të pikturës, muzikës dhe poezisë, orvatje e cila i ndihmon aq shumë njerëzimit të zbulojë të renë, faqen më të bukur të kulturës njerëzore? Mos vallë poezia qytetare, sociale nuk ka të drejtë për përkryerjen estetike, apo detyra e saj është të jetë vetëm pllakate?

Satira është purgatori i madh i shoqërisë. Dhe kështu, në ditët tona do mund të pajtoheshim me Hegelin, se ‘paraqitja përmes satirës në mënyrë të qartë lidhet me divergjencat e subjektivitetit dhe parimeve të tij abstrakte me realitetin empirik’, dhe ‘se prandaj ajo nuk e përbën as poezinë e as veprën e vërtetë artistike’... Para së gjithash, një abstraktësi e tillë artistike është karakteristikë për satirën didaktike‑retorike, e cila më duket, ju lutem, e ka thënë fjalën e vet në letërsinë europiane të shekujve XVI‑XVIII, si dhe në letërsinë tonë të Rilindjes.

Përveç kësaj, ajo nuk e lind mendimin e shkrimtarit, ajo është e mbyllur në ‘realitetin empirik’ ‑ në të vjetrën e së shkuarës, duke mos dëshiruar të jepet dhe duke mos pretenduar në madhështinë e vet të humbasë në të shëmtuarën, që shpesh nuk ka pasur aq vetë në jetën dhe në marrëdhëniet njerëzore, po ka qenë e vendosur keq midis synimeve dhe qeverisë, fjalëve dhe veprës, veprimeve reale dhe frazave të bukura. Prandaj, satira është element përbërës i pashmangshëm i çdo arti të vërtetë demokratik, e autorizuar që të vërtetojë të tëra idetë pozitive.

Të dish t'i dëftosh botës, duke i përdorur mjetet më të mira të fantazisë krijuese, vërtetësinë e saj të pasqyruar pa asnjë mashtrim optik ‑ do të thotë, që në mos të ndihmosh në çrrënjosjen e së keqes, gjithsesi të përcaktosh diagnozën e sëmundjes dhe t'i afrosh njerëzimit një shërbim të padiskutueshëm. Ju keni të drejtë plotësisht: ‘ne s'kemi çka të presim dhe në çka të shpresojmë nesër’. Populli ynë po vegjeton në injorancë të tmerrshme, ‘i shtrënguar’ kështu nga fanatizmi jeton i verbër në pikëpamje ideore. Është detyrë jo vetëm e shkrimtarit, po edhe e çdo biri të ndershëm të Shqipërisë, të zgjojë te ai aftësinë për të menduar e për të luftuar për të drejtat e veta. Dhe natyrisht, roli i paçmueshëm në këtë raport i bie publicistikës, që përmes miniaturave të qarta, të shkurtra, të bindshme, t'u japë përgjigje të ngutshme, si jehonë, të gjitha problemeve politike e shoqërore, nga zgjidhja e të cilave varet e ardhshmja e gjithë kombit e para së gjithash ‑ e popullit”.

PESË LETRA TË PANJOHURA TË MIGJENIT

Në vitin 1973, Universiteti i Leningradit (sot Petërburg) boton librin e Gertruda Entrej, të quajtur “Krijimtaria e Migjenit”. Ky libër i rëndësishëm, i pari për llojin e vet për nga analiza e plotë në rrafshin eseistik për Migjenin tonë, për fat të keq, u injorua dhe nuk u mor në konsideratë nga studiuesit shqiptarë. Kjo gjendje në “aut” e librit, jo vetëm që qe absurde, po veç të tjerave bllokoi disa fakte shumë të rëndësishme dhe unikale të krijimtarisë origjinale të Migjenit, që i citon vetëm Entrej. Gertruda Entrej ka qenë edhe profesore në Universitetin e Tiranës për shumë vjet, si dhe mikja intime e Ollga Luarasit, motrës së Migjenit. Në librin e letrave origjinale, si dhe të ditarëve të Migjenit, për fat të keq këto citime jepen të përkthyera në rusisht dhe jo sipas faksimileve në shqip. Megjithatë, duhet thënë se problemi i autenticitetit të tyre, që është vënë herë-herë edhe në dyshim, është në të vërtetë një problem që gjithashtu nuk duhet trajtuar nga pozita e negacionit të plotë. Përkundrazi, Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti që para 27 vjetësh në një përmbledhje antologjike të quajtur “Kritika letrare”, kanë përfshirë edhe një letër të Migjenit dërguar revistës “Bota e re”, ku ai bën një rezyme të koncepteve të tij për artin dhe rolin e tij në shoqëri, duke mos e mohuar autenticitetin e shkrimit, duke e botuar atë. Me të njëjtin qëndrim dhe predispozitë unë po shpalos tani fragmentet e pesë letrave të Migjenit, që citohen në librin e Entrejt.

 Letrat i dërgohen në harkun kohor 1936‑1937, mikut  të ngushtë të Migjenit, dëshmorit të ardhshëm të Luftës Antifashiste, Jordan Misjes. Misja ka qenë bashkënxënës me Migjenin dhe Manastir, një intelektual i formuar, piktor, njeri i ideve të reja, ka shumë fotografi me Migjenin si dhe lidhje të vazhdueshme me të, aq sa mbas vdekjes së Migjenit, një pjesë e dorëshkrimeve të shkrimtarit ruhej në shtëpinë e Jordan Misjes, dhe për fat të keq, mbas masakrimit të Jordanit nga fashistët u dogjën edhe dorëshkrimet e Migjenit, të lëna atij. Këtu, pa dashur të bëj një analizë plotësuese dhe duke pasur parasysh vetëm ekspozimin ‘ad literam’ të letrave të Migjenit, mendoj se është në dobi të opinionit publik shqiptar njohja me këto dëshmi, të njërit nga figurat më të fuqishme dhe më të papërsëritshme të kulturës shqiptare.

Fragmentet e letrave po i jap sipas rendit kronologjik

‑ 16 shkurt 1936: “Njeriu është kuintesenca e gjithë asaj që jeton në tokë”.

- 8 mars 1936: “Sipas Niçes, liberalizmi në politikë do të thotë të shkosh pas vullnetit të dobësuar të plebeit, pa folur këtu për instinktet e ulëta të turmës, dhe mua më duket që këto gjëra (është fjala për deklaratat e qeverisë liberale të Mehdi Frashërit, që sapo kish hipur në fuqi ‑ shënim i Gertruda Entrejt) janë thjesht lëmosha të mjera, që qeveria i bën popullit në mënyrë që të maskojë atë që është kryesore”.

‑ 20 maj 1936: “Mjedisi, ose siç i thonë francezët ‘Le milieu’ - dhe në këtë kuptim përfshihet tërësia e normave dhe lidhjeve historike, shoqërore, fetare, etike, mbi të cilat shtrihet kuptimi i qytetërimit të këtij apo atij kombi dhe të cilat na rrënjosen ne që nga fëmijëria e hershme ‑ është i tillë, që përfaqëson një cenzë të rreptë të sjelljes njerëzore, që përcakton, gjë që tani është për të ardhur keq, jo vetëm veprimet, por bile edhe mendimet e njeriut... Kam ndjerë një kënaqësi të madhe nga ‘Historia e një qyteti’ dhe ‘Zotërinjtë Gollovianë’ të satirikut rus, N. Shçedrimit. Problemet serioze dhe politike, që ai ngre këtu në mënyrë të qartë, duke përdorur fantazinë dhe groteskun ai i ruan në atë mënyrë, që motivimi real i veprimeve dhe nxitjeve njerëzore t'i përcaktojë. Lexon dhe habitesh, përshkruhet mënyra ruse e jetesës dhe sa shumë politikë ka në të. Është për të ardhur keq që ne nuk e njohim letërsinë ruse, shumë aluzione mendjemprehta dhe serioze mbeten të pakuptuara. Gorki, sipas mendimit tim, në shumë gjëra është trashëgues i Shçedrinit, si në pamfletet e periudhës së Samarës si dhe në librin ‘Tregime ruse’. Kurse Tolstoi është më i hollë. Në pamjen e jashtme te ai gjithçka është e qetë, deri në vogëlsitë ‘reale’, por sa qartësi, thellësi dhe njohje të psikologjisë njerëzore ka prapa tyre. Jam i joshur nga letërsia ruse dhe në mënyrë të veçantë nga krijimtaria e kësaj tresheje. Rilexoj, mendoj, kuptoj dhe çdo herë gjej nga ndonjë gjë të re. Eh, sa shumë mungon satira në jetën tonë të shkretë! Po të marrësh e t’i hysh jetës në imtësi ‘nga poshtë lart’ sipas shembullit të këtyre rusëve të mëdhenj, ndoshta do të bëhej më e pasur”.

‑ 2 janar 1937: “Në vitet e fundit, letërsia jonë është shumë e njëanshme dhe këtu me vend është që të kujtojmë ‘Etydin mbi Bejlin’ të Balzakut. Ai e shikon letërsinë e Rilindjes si ‘letërsinë e ideve’, kurse romantizmin ‘si letërsinë e figurave’. Letërsia jonë tani është ekstremi më i keq i njërës dhe i tjetrës: Ose ka shumë figura, ndërsa idetë nuk duken, ose ka ide pa art. Pse ne të mos i bashkojmë të gjitha këto, duke marrë nga iluministët francezë pjesëmarrjen aktive të autorit të veprimeve, në mënyrë që ai të hapë përpara lexuesve perspektiva të mëdha, çka e lejon vetëm situata e dhënë e subjekteve. Sa e mirë është p.sh. ‘Kjo nuk është përrallë’, e Deni Didërosë? Nuk e di për të tjerët, por unë personalisht do të doja ta konsideroja veten nxënës të francezëve”.

‑ 16 mars 1937: “Megjithëse është e rëndë ta pranojmë, o shokë, por të gjitha këto zhvillime të freskëta demokratike, të cilat në mënyrë të ndershme dhe frymëzuese i arritën iniciatorët e rinisë të ‘Botës së re’, u shembën nga një fund tragjik. Kërcënimi i fashizmit është bërë një gjë aq reale, saqë është vështirë të besosh e të shpresosh në mundësinë e një farë ndryshimi për më mirë”.

Siç kuptohet në këto fragmente nga pesë letra të Migjenit, kanë ide tepër interesante dhe sinoptike për botëkuptimin dhe artin e tij. Aktualiteti i tyre është një kategori dinamike, që natyrisht nuk duhet parë ‘in extremis’, një tautologji, ndonëse edhe tautologji shpesh në histori ka dhe do të ketë. Këto letra që unë po i bëj të njohura për lexuesin shqiptar i kam përkthyer nga libri i Gertruda Entrejt. Unë i kam dërguar një letër autores në 1990-n, ku i kërkoja të dhëna plotësuese për letrat e Migjenit. Ajo jetonte ende, ishte e interesuar si gjithmonë për Shqipërinë, me dërgoi lajm se, me gjithë gjendjen shëndetësore jo të mirë, dëshironte të bënte një vizitë në vendin tonë. Entrej, pa dyshim, do të na sqaronte edhe për aspekte të tjera të krijimtarisë së Migjenit, që ajo i dinte nga e motra e shkrimtarit. Në 2004-n shkova në Sant Petërburg, në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filologjisë, ku kishte dhënë kursin e gjuhës shqipe Prof. Gertruda Entrej. Aty mësova lajmin tragjik se Entrej kishte vdekur …dy ditë më parë arritjes time. Nuk e takova dot.

U interesova pranë ambasadës shqiptare në Moskë që të bëheshin përpjekje zyrtare për t’u njohur me dokumentet dhe dorëshkrimet në familjen e Gertrudës. Por, deri me sot nuk është bërë asgjë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama