Migjeni pa te fshehta

Migjeni pa te fshehta
Të vërtetat më kundërthënëse janë pohuar gjatë dy dekadave të fundme. Sipas hartuesve të teksteve shkollore, dy prej problemeve më të ndërlikuara të jetës së tij vetjake janë ortodoksia dhe sëmundja. Për sëmundjen pak a shumë dihet se çfarë ka ndodhur. Ndërsa ortodoksia mbetet një pikëpyetje: askush nuk e di se çfarë kanë në mendje autorët.

Në vitin 1944, në numrin e tretë të revistës “Kritika”, Arshi Pipa, atëherë një i posadiplomuar, shkruante se “Vargjet e lira” Migjeni i dorëzoi për shtyp në tipografinë “Gutemberg”, pastaj befas urdhëroi që vëllimi të mos qarkullonte, sepse ishte i papërfunduar. Vëllimi, sipas A. Pipës, ishte shtypur në një mijë kopje dhe mbeti në magazinat e “Gutemberg”-ut jo për shkak të ndonjë urdhri ndalues, por për shkak të vullnetit të Migjenit vetë. Pipa vijon e thotë se “Vargjet e lira” njiheshin prej botimit në të përmuajshmet e kohës, madje ai saktëson se në të njëjtin numër të “Kritikës”, e para revistë me profil studimet letrare, ku bashkëpunonte dhe M. Kuteli, ishte radhitur për botim dhe një punim i dorëzuar prej tij.

“Vargjet e lira” patën një botim në vitin 1944. Megjithëse i konsideruar si poet i privilegjuar prej shkencës letrare bolshevike, “Vargjet e lira” të Migjenit nuk njohën botim tjetër deri në vitin 1954. Ishte Gjovalin Luka, një prej veprimtarëve të grupit komunist të Shkodrës, i ardhur prej krahut perëndimor të Comintern-it, që u kujdes për këtë botim, i cili konsiderohet më i ploti deri më sot, shprehës i vullnetit të autorit vetë. Megjithëse Gjovalin Luka besonte dhe paraqiste të dhëna që Migjeni kishte pasur lidhje me grupin komunist të Shkodrës, çka politikës kulturore-letrare dhe botuese të kohës i interesonte mjaft, fati i këtij botimi ishte përsëri i mbrapshtë. Pas një bisede me E. Hoxhën vetëm një vit më pas Gjovalin Luka u dënua politikisht si karrierist dhe i pasinqertë. Vëllimi i poezive dhe prozave të Migjenit u hoq sërish nga qarkullimi, një fakt i mohuar përgjatë më shumë se katër dekadave. Nuk u mor vesh kurrë një arsye e vërtetë e dënimit të tij.

Migjeni do të njihej prej shumë brezash përmes botimit të vitit 1958, përgatitur dhe realizuar nga një prej jetëshkruesve më të besueshëm të Migjenit, Skënder Luarasi, kjo edhe për shkak të lidhjeve familjare. Por, sikurse kanë vërejtur studiues dhe dashamirës të letërsisë së poetit, që këtë vit do të mbushte 100 vjet, këtij vëllimi i mungojnë disa prej poezive të fundme (“kangëve të fundit”). Një botim me kritere filologjike dhe tekstologjike ende mungon.

Nga këto fakte të thjeshta mund të kuptohet se disa të vërteta të thëna për Migjenin disi vihen në diskutim. Së pari, a duhet besuar A. Pipa, që Migjeni e ndaloi vetë qarkullimin e librit të tij të vetëm? Apo duhet besuar ajo që është shkruar në historitë e letërsisë shqipe deri më 1990-n, që “Vargjet e lira” i ndaloi censura e rreptë e mbretërisë? Në anën tjetër, shtrohet pyetja e pashmangshme: Pse komunistët e ndaluan botimin e vitit 1954, a ishte një argument i mjaftueshëm qëndrimi ideologjik i Gjovalin Lukës? Në fund të fundit, kjo pyetje mund të shtrohet edhe në formën: A e kanë ndaluar ose a e kanë censuruar komunistët librin e Migjenit?

Shumë pyetje shtohen duke lexuar kujtimet e pabotuara të Avdulla Çangës, një prej miqve më të afërm të poetit, dorëzuar muzeut historik të qytetit të Pukës përmes mikut të tij S. Zogu, një kopje të të cilave kemi pasur rastin t’i këshillojmë në dorëshkrim. Sipas kujtimeve të A. Çangës, Migjenin nuk e internoi Ministria e Arsimit e mbretërisë, as mbreti vetë a mëkëmbësit e tij, por kishte kërkuar vetë të emërohej në një shkollë periferike, me klimë malore, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Për këtë ka edhe dëshmi arkivistike, duke përshirë një kërkesë të poetit, ku i parashtrohet ministrisë superiore situata shëndetësore e tij dhe i kërkohet pikërisht sa kujton miku i tij. Ky është një prej atyre fakteve të thjeshta që dëshmon se jetëshkrimi i Migjenit është paraqitur shtrembër për dekada me radhë, duke qenë se ai nuk ishte i internuar në Pukë, i larguar për shkak të rrezikshmërisë, por i sistemuar në një shkollë komunale ku mund të gjente edhe klimë të përshtatshme për shëndetin.

Dy të vërteta janë të paqortueshme. Gjatë gjithë periudhës bolshevike me Migjenin u bënë manipulime, deri për ta paraqitur si një avant-garde të letërsisë revolucionare, për të mos thënë të realizmit socialist. Për këtë do të mjaftonin “ndreqjet” gramatikore që u janë bërë metaforave të tij: shkrimi me të madhe i njësive përbërëse të idiomave të tilla si “Njeriu i Ri”, “Epokë e Re”, “Kohë e Re”, “Shekulli i Ri”, duke nënkuptuar me to komunizmin. Por nga të njëjtit interpretues të jetës dhe veprës së Migjenit nuk është preferuar të flitet për mundësinë që ai të kishte pasur lidhje të organizuar me komunistët e Shkodrës, ku jetonte, ose me komunistët e Korçës (duke qenë se te “Bota e re” publikoi rregullisht letërsi dhe publicistikë). Ndërsa gjatë dy dekadave të fundme, një hakmarrje e padenjë dhe e pamerituar iu kthye si shpërblim poetit të “Vargjeve të lira” në epokën e lirisë.

Thënë në një mënyrë më të thjeshtë, qëndrimet ndaj pyetjes nëse Migjeni kishte lidhje me grupin komunist të Shkodrës, ku vepronin ndërkaq Z. Mala, Gj. Luka, Q. Stafa, V. Shanto dhe të tjerë, janë ndarë më dysh: Poezia “Një natë pa gjumë” i kushtohet Afërdita Shahinit, veprimtare pak a shumë e njohur e këtij grupi, apo Andrea Stefit, edhe ky i lidhur me komunistët, por më vonë i cilësuar “trockist” (A. Pipa). Këtë konfuzion e nxitën dhe inicialet e emrit dhe mbiemrit, që Migjeni i shënjoi në hyrje të poezisë “Një natë pa gjumë”: A. S. Në dy dekadat e fundme pikëpyetjeve të posashqiptuara u është shtuar edhe një e tretë: nëse ishte vërtet dedikimi për Afërdita Shahinin, a ishte ky një dedikim programatik, angazhues, apo ishte thjesht një shprehje ndjenje e lashtë njerëzore, siç ndodh rëndom me njeriun dhe poezinë? Një pikëpyetje e tillë ka dalë dhe nuk ka marrë përgjigje dhe për “zonjushën Bojka”, paraqitur me inicialet Z. B., për të cilën kërkuesit kanë mendime të ndryshme.

Dyshimtarët e mundësisë së një lidhjeje harmonike dhe mirëkuptimi midis Migjenit dhe grupit të komunistëve të Shkodrës gjejnë pikërisht te poezia “Trajtat e mbinjeriut”, me nëntitull “Dithyramb Nietsche-an”, një replikë mospajtuese e poetit. Me të drejtë është konsideruar se “Corvus”, autori i kujtimeve për këtë episod, pseudonim i Andrea Stefit, më shumë ka konfirmuar me kohën e re pikëpamjen e vet se ka dëshmuar një provë.

Është e tepërt të përmendet se për Migjenin ka dalë edhe pyetja për përkatësinë e identitetit të tij etnik. Ndërsa në periudhën bolshevike injorohej thuajse deri në përjashtim mundësia që Migjeni të kishte përdorur në komunikim serbishten, në dy dekadat e fundme ka më shumë përqendrim te gjuha e përdorur nga poeti në komunikimin familjar. Dhe kjo është parë jashtë kontekstit historik, duke abstraguar faktin që në vendin e tij të origjinës, në Rekë të Dibrës, popullsia mbahej në besimin pravosllav, dhe kjo do të thoshte se sllavishtja ishte gjuhë liturgjie e do të linte gjurmë në formimin e njeriut. Është parë kryesisht e lidhur me letërkëmbimin, një pjesë e të cilit mbetet ende i pabotuar, por dhe me ndonjë preferencë të njësuar të tij, si porosia për librin “Nečista krv” - “Gjaku i papastër”, roman i Bora Stanković-it nga Vranja. Pyetja themelore, që do ta zgjidhte problemin: ç’fenomen letrar-estetik është Migjeni, cilës letërsi i takon, mbetet ende pa një përgjigje bindëse. Nuk munguan në dy dekadat e fundme që në vlerësimin e Migjenit të shfaqet dhe vrazhdësia e paragjykimit të tjetrit, sidomos të fqinjit.

Migjeni, ndërkaq, pret 100-vjetorin e vet me indiferencë: me një shtëpi muze të shkatërruar tërësisht, me një rrudhje të dukshme në tekstet shkollore, me një vëmendje të shpërqendruar prej vlerave të padiskutueshme të letërsisë së tij, si shthurja e vjershërimit tradicional dhe e miteve të së shkuarës dhe të orientuar drejt problemesh dytësore dhe tretësore. E kanë bërë revolucionar e parakomunist, por jo me lidhje të organizuar në jetën e grupeve komuniste; ateist, antimonarkist, antiklerik; ndërsa në kohët e reja po e shtrëngojnë fort gati-gati si pa vend në traditën letrare të Shkodrës duke qenë jashtë “shkollës jezuite” dhe “shkollës françeskane”, megjithëse vetë njeriu që i përdori i pari këto terma, E. Koliqi, qysh në mesin e viteve 1930 e çmoi si poet premtues.

Autori i “Vargjeve të lira”, siç ka shkruar A. Pipa, shqiptoi në veprën e tij mitin e Perëndimit. Jo si një mit romantik, si në poezitë e Naimit, por si një vokacion epokal. Askush nuk mund të thotë me siguri nëse dy Shqipëritë e gjysmës së dytë të shekullit të 20 e në vijim ishin vërtet ëndrra e poetit. Por me siguri mund të thuhet se ende shqiptarët nuk e kanë lexuar mirë Migjenin. Dhe me sa duket dhe ky jubile do të kalojë pa ndonjë të re të shënjuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama