Migjeni perkujtohet ne mjerim

Migjeni perkujtohet ne mjerim

“Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok,  o vlla... Të lutem, pak dritë në kët natë  kur shpirti vuen, kur të dhemb e s'di ç'të  dhemb, e syni gjum nuk ka, urren nuk  din ç'urren, don e s'din se ç'don. Pak dritë! O burrë! O hero' ngado që  të jesh…Burrë që shkatrron edhe që  ndërton sërish! Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, se do çmendem në  kët natë pa gjumë dhe pa pishë”. Pak  dritë kërkonte Migjeni, por dhe në këtë  përvjetor ai u përkujtua në mjerim. Takimi u zhvillua në Akademinë e Shkencave,  por organizimi i aktivitetit linte shumë  për të dëshiruar. Mos vallë Migjeni në  këtë 102-vjetor të lindjes meritonte  më shumë vëmendje, apo medoemos  duhet të përkujtohej ashtu..., sa për të  thënë u mblodhëm për Migjenin.

 

Salla ishte plot, por… por kjo nuk mjaftoi.  Kryetarët e shoqatave letrare; avokatë,  e shkrimtarë apo dhe këngëtarët tradicionalë të këngëve popullore; me çifteli,  apo me këpucë të larta mbi12 cm kënduan në nderim të tij dhe këngë për kurbetin. U lexuan poezitë e tij. Ndoshta e  vetmja zgjedhje e mirë ishte se var-gjet e para ishin nga “Poema e mjerim-it”, sepse realisht në atë situatë vetëm  mjerimi mund të të vinte ndërmend. Pas  recitimit të vargjeve të para ishte programuar që të prezantohej dhe një dokumentar, por ç’ti bësh, asgjë prej gjëje  nuk u mor vesh. Në sallë interferonte zëri, njerëzit filluan të qeshin nën buzë  duke thënë “aman e fikni atë dokumentar, nuk po dëgjojmë asgjë”. “Ç’të bësh, teknologjia e sotme i ka këto”, u justifikua njëri andej nga podiumi. E kështu u  munduan përsëri ta rivendosnin videon, por asgjë nuk u kuptua as kësaj here. 

 

“Kështu i kanë këto punë. Kur kërkon të  bësh diçka pa u përgatitur më mirë mos  i hyj fare”, thoshin njerëz që kishin ardhur për të dëgjuar diçka rreth jetës dhe  veprës letrare të Migjenit. Më pas kryetarët e shoqatave filluan herë njëri e  herë tjetri të flisnin për të. Njëri çirrej  e bërtiste, e tjetri lexonte pa iu marrë  vesh nëse e kishte për veprimtarinë e  Migjenit letrën që lexonte apo diç donte të thoshte për biografinë e tij. Për të  dalë nga situata, kishte marrë dhe vajzën me vete, që të recitonte një poezi.  Të paktën ajo u dëgjua dhe u duartrokit  nga publiku, aq sa dhe prezantuesja e  aktivitetit, e “emocionuar” nga zëri i saj  tha se “vargjet e Migjenit, ngjakan më  bukur të recituara prej teje”. Me siguri,  nëse do të kishte qenë Migjeni aty, duke  parë deri këtu aktivitetin do të kishte  dëshiruar, që të mos ia uronin fare këtë  datë lindje. Por mes këtyre personave,  kishte dhe studiues të letërsisë si Behar Gjoka, apo artistë si Reshat Arbana dhe Skënder Sallaku.

 

Gjatë fjalës  së tij, ndër të tjera Gjoka tha se ‘nuk  ka asnjë problem nëse kushdo flet për  Migjenin, sepse tek ai ka hapësirë për  këdo. Por dhe pse mund të themi se ai  është poeti i mjerimit, i rinisë, i ringjalljes, ne ende nuk e kemi rrokur’. I  ftuari tjetër ishte Reshat Arbana, i cili  kishte zgjedhur të recitonte disa vargje të Gjergj Fishtës, vargje nëpërmjet  të cilave shprehej qartazi shqetësimi  se shkrimtarët janë lënë në harresë.  Në fjalën e tij ai tha se ‘është mirë që  Ministria e Arsimit, t’i ruajë dhe t’i regjistrojë vargjet e Migjenit, sepse është  e vetmja mënyrë që t’i trashëgojë  brezi i ardhshëm, kështu këto vargje  nuk harrohen. Nëse në libër duhet të  shkundësh bibliotekën, në CD ata e kanë më të lehtë të dëgjojnë vargjet e  Fishtës, Mjedës, Migjenit e gjithë atyre  që kanë lënë diçka me vlerë’.

 

E kështu Migjeni do të na shoqërojë për vite të  tëra, ndoshta pa e kuptuar se vargjet e  tij janë tregues i pastër i gjendjes sonë,  i gjendjes që përditë ndeshim në rrugë,  në spitale, në parlament e kudo tjetër ku  flitet shqip. Mjerimi në veprën e tij kthehet në një antivlerë universale që bren  njerëzimin dhe për këtë ngelet aktuale.  Gjithsesi takimi me vargjet e Migjenit mbetet realist, jo vetëm për mesazhin  që gjejmë brenda tyre, por dhe për të  treguar se ato janë të pakohshme.  Bio Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) lindi (më  13 tetor 1911-1938) në Shkodër në një  familje ortodokse.

 

Arsimin fillor e mori  në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga viti 1923 deri  më 1925 u shkollua në Tivar. Njihet si  poet dhe prozator i viteve 1930. Për  epokën ishte një zë krejtësisht novator  prandaj nga brendia, forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte  i madh. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të  viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si: "Bukën tonë të  përditshme falna sot", "Bukuria që vret",  "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit",  "A don qymyr zotni ?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. Ndikimi i  Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare qe i ndjeshëm në vitet kur shkroi.

“Migjeni do të jetë përherë prijësi i letërsisë moderne shqipe”

Në kohën e Zogut, por dhe nën  regjimin e Enver Hoxhës Migjeni u  la pas dore.  Gjithsesi ai nuk i shërbeu asnjë ideologjie, sepse vargjet e tij i përkasin trajtave të mbinjeriut. “Universi i Migjenit është i mjaftueshëm,  por duhet të jemi të kujdesshëm ta  ndjejmë, ta prekim dhe ta shohim  atë magji letrare, që ai e ndërtoi  në një kohë pa kohë”, tha dje studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka. Përse  Migjeni u censurua nga pushteti i  Mbretit Zog? Përse punës së tij nuk  iu lejua botimi? Sipas studiuesit, kjo  nuk është arritur të shpjegohet. “Më  vonë dhe fitimtarët e komunizmit u  munduan padrejtësisht ta përdornin  Migjenin dhe ta quanin poet të ideologjisë, por nuk ia arritën dot”. Sipas  Behar Gjokës, ai është i vetmi poet i  letërsisë shqipe që në 46 poezi të tijat, nuk ka asnjë varg që t’i bjerë në  tokë, nuk ka asnjë fjalë që të mos ketë buçimën dhe tingullin e shpirtit  të tij të madhërishëm. “Migjenin komunistët donin ta përdorën prej  disa vjetësh, aq sa më vonë e lanë  në harresë. Në vitin 2006 dhe pse  në demokraci, Ministria e Arsimit  e la vetëm në një orë gjithë krijimtarinë e tij letrare, por megjithatë  për një gjë jam i sigurt se do të  kalojnë jo 100 vjet, por shekuj dhe  Migjeni do të jetë përherë prijësi i  letërsisë moderne shqipe”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama