“Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” ishte libri që shkrimtari Nasho Jorgaqi promovoi dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës me rastin e 100-vjetorit të lindjes së poetit të madh Migjeni. Promovim i cili mblodhi bashkë njerëz të letrave, historianë e studiues.
Një buqetë kujtimesh, shkruar e treguar nga bashkëkohësit e tij dhe e mbledhur prej vitesh nga shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi.
“Një buqetë modeste” -do ta quajë autori në parathënien e tij- por që mbart vlera të padiskutueshme, sepse me gjithë jetën e tij, e cila u shua shumë shpejt, ai la gjurmë të thella te të gjithë ata që patën fatin ta njohin, të jetojnë e punojnë me të.
Autorët e kujtimeve janë familjarë, shokë të seminarit, ndonjë prej miqve intimë, kolegë, nëpunës dhe nxënës, njerëz të penës, intelektualë të kohës etj. Ajo çka i bashkon është vlerësimi për Migjenin njeri, qytetar e artist.
“Emocionet e Migjenit janë të pashlyeshme për të gjithë, qoftë nga sistemi ynë i edukimit, qoftë nga veprat e tij të mrekullueshme, qoftë nga roli dhe diskutimi që ka ngjallur ai si figurë”, u shpreh Henri Çili, i cili shtoi se ishte i lumtur që UET bëhet mikpritësi i një libri kaq të veçantë në një vit po aq të veçantë siç është 100-vjetori i lindjes së poetit.
Vështruar nga afër, kujtimet shpalosin individualitetin, natyrën dhe karakterin që shfaqet vetvetishëm dhe pa bujë në rrethin ku jeton, punon e krijon.
Studiuesi Moikom Zeqo, i pranishëm në promovim, u shpreh: “Migjeni është shkrimtari pa paraardhës, ai nuk ngjan me askënd. Ai nuk përmend asnjë nga shkrimtarët shqiptarë, duket sikur nuk njeh as traditë. Di të shkruajë shqip. Shqipja e tij mund të jetë më e mrekullueshmja e të gjitha kohërave. Fakti që Migjeni bëri një përshtypje kaq të madhe është unikal. Nuk ka asnjë shkrimtar shqiptar të ketë këtë ndikim te të tjerët. Lasgush Poradeci kishte kopjuar me dorën e tij gjithë veprën e Migjenit”.
Kujtimet kanë ndjesi dokumentare, sepse duke qenë të bashkëkohësve të tij tregojnë qartë sesi në Migjeni gjeti një boshllëk që u mbush në letërsinë shqipe. “Të gjithë njerëzit e ndienin se duhet të vinte një letërsi kaq e fuqishme dhe e madhe sa e Migjenit. Ai nuk qe një shkrimtar vetëm pa paraardhës, por mesa duket është edhe një shkrimtar pa pasardhës”, përfundoi Zeqo.
Mendimet e gjykimet e bashkëkohësve janë të ndryshme, të larmishme, po asnjë nuk e prek thelbin e personalitetit të tij. Është po i njëjti Millosh, i njëjti Migjen. Migjeni njeridashës në dimensionet më humane, qenia shoqërore në veprim, krijuesi dhe intelektuali i një fryme të re, luftëtari i mendimit dhe i fjalës së lirë, mbrojtës i së vërtetës dhe drejtësisë shoqërore, armik i çdo lloj skllavërie shpirtërore apo sociale. Drejtori i shtëpisë botuese “Princi”, i cili e botoi këtë libër, Myftar Gjana, tha: “Migjeni hyri në letërsi si refuzuesi i madh estetik dhe, mesa duket, do të jetojë si i pranuari i madh. Ky libër, i cili përmban shumë gjëra të reja, të padëgjuara, bën një radiogramë edhe shtysave që ka pasur ai për krijimtarinë e vet”. Një vend të veçantë në kujtimet zë historia e krijimit të disa prej shkrimeve të tij, biografia e tyre, jepen rrethanat dhe motivet shoqërore e psikologjike, konteksti kohor dhe vendor, siç hidhet dritë dhe për mënyrën si krijonte, për laboratorin e punës së tij. Nuk lihet jashtë bashkëpunimi që kishte me shtypin e kohës, me disa prej organeve serioze letrare e kulturore. Nga kujtimet zbardhet rruga e vështirë e plot peripeci që bëri përgatitja dhe botimi i të vetmes vepër që la pas, siç është “Vargjet e lira”. Ndalimit dhe persekutimit zyrtar të librit iu kundërvu mirëpritja dhe jehona që i rezervuan qarqet intelektuale dhe rinia e përparuar e kohës. “Vargjet e lira” janë dukuri madhore në letrat shqipe. E njëjta do të ndodhte me skicat letrare, “Novelat e qytetit të veriut”, të cilat ende pa dalë në dritë do të shënonin një kuotë të re ideo-artistike në prozën tonë.
“Ishte rasti i 100-vjetorit të lindjes së Migjenit që më bëri që ato materiale të mbledhura nëpër vite t’i paraqisja. Por lidhja ime me Migjenin është më e thellë. Kontaktin e parë me Migjenin e kam pasur kur isha adoleshent. Më ’44 u botua “Vargjet e lira”. E bleva dhe lexova, megjithëse nuk e kuptova mirë. Kishim në lagjen tonë një nga miqtë më të afërt të Migjenit, i cili ka shkruar edhe kujtime që përfshihen në këtë libër, Jakov Mile, e nëpërmjet prof. Jakovit e njoha ç’ishte ky njeri, i cili më bëri përshtypje që nga emri. Pas lufte do të krijoheshin rrethanat, ku do të kisha fatin -duke punuar në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’- të përfshihesha në punën që u bë për botimin e veprës së Migjenit. Prof. Skënder Luarasi do të përgatiste për herë të parë veprën e plotë në poezi dhe në prozë të Migjenit. Pata fatin të isha redaktor i kësaj vepre. Më pas, kur isha pedagog i letërsisë shqipe në Fakultetin e Histori Filologjisë, 30 vjet me radhë jam marrë me leksione kushtuar jetës dhe veprës së Migjenit.”, u shpreh autori i librit, shkrimtari Nasho Jorgaqi.
Kujtimet lënë mbresë të thellë për jetën kulturore që bënte Migjeni, duke kaluar përtej shkollimit teologjik në kulturën laike. Libri ishte burimi kryesor i formimit të tij mendor e shpirtëror. Por interesat e tij nuk kufizoheshin vetëm te librat, letërsia apo filozofia, por edhe tek artet, veçanërisht muzika. Siç e kujtojnë bashkëkohësit, ai kishte lidhje shpirtërore me muzikën.
Ndërsa jeta sentimentale e Migjenit vjen disi më e kursyer. Përveç dashurisë për motrat, nga të cilat nuk u nda kurrë, ishte edhe dashuria për misteriozen Z.B., për të cilën shkroi një vjershë, por që mbeti tragjikisht në mes. Edhe pse jetuan midis nesh, të paktë ishin ata bashkëkohës të poetit që lanë të shkruara kujtimet, ndaj kjo vepër është jo vetëm një homazh, por një kontribut për kulturën shqipe. “Me tërë këto mbresa dhe venerim që kisha për figurën e tij, nuk e kisha të vështirë që në këtë përvjetor të përgatisja një përmbledhje me kujtime të bashkëkohësve të Migjenit”, përfundoi fjalën e tij Nasho Jorgaqi.