Lajmi mund të ndryshojë jetën e miliona njerëzve, të paktën të atyre 15-20 për qind të popullsisë së vendeve perëndimore që do të çlirohen kur të mësojnë se dhimbja e kokës mund të parandalohet. Jo vetëm duke ndjekur rreptësisht disa rregulla për ushqyerjen e mirë dhe stilin e jetesës, por edhe me ilaçet e përshtatshme.
Këtë e tregojnë studimet e ndryshme të shfaqura në javët e fundit, që nga njëra anë konfirmojnë efektet pozitive të kategorive të ndryshme të ilaçeve, dhe nga ana tjetër demonstrojnë efikasitetin e molekulave të reja që duken shumë premtuese në fushën e parandalimit të sëmundjes. Nevoja për të nisur një terapi farmakologjike parandaluese, në pamje të parë mund të duket si një ide jo e duhur për të luftuar shqetësimin, por nuk është kështu. Sepse dhimbja e kokës, në shumë raste, bëhet shpesh një handikap i rëndësishëm, pengon atë që e ka prekur të bëjë një jetë normale dhe të shtyn drejt përdorimit të pakëshilluar të ilaçeve që përfundon duke e bërë sëmundjen kronike. Sipas ekspertëve, dhimbja e kokës, nëse përsëritet dhe është e shpeshtë, duhet përballur me një mjekim të përshtatshëm, i cili para së gjithash nis duke marrë parasysh shkakun e sëmundjes.
Sepse shpesh dhimbja e kokës, është një shqetësim kalimtar, ndoshta për shkaqe që dihen dhe lehtësisht të identifikueshme. Para se të shndërrohet në një dhimbje që të prek shumë shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme duhet kuruar që të mos dalë jashtë kontrollit. “Ekzistojnë kritere specifike për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një formë që mund të shndërrohet në kronikë dhe që është e rëndë, apo që shqetësimi mund të zgjidhet me modifikimin e stilit të jetesës, duke vepruar mbi faktorët e jashtëm që mund ta shkaktojnë”, thotë Tamara Pringsheim, e departamentit të neurologjisë në Universitetin e Calgary-t në Kanada, njëkohësisht autore e një grupi studimesh të bëra në vitet e fundit mbi veprimin parandalues të ilaçeve dhe të botuara në “Canadian Medical Association Journal”. Për të vlerësuar dhimbjen e kokës vlerësohen tre parametra: kohëzgjatja, frekuenca dhe intensiteti i çdo krize. Për këtë duhet një vizitë neurologjike që i jep mjekut elementet e nevojshme nëse dhimbja është efekti dytësor i ndonjë sëmundjeje tjetër apo nëse nuk ka shkaqe të dukshme. Kur është e nevojshme neurologu përshkruan ekzaktësisht skanerin dhe më pas rezonancën manjetike.
“I kërkojmë pacientit të nisë menjëherë të mbajë një ditar të detajuar. Në vizitën e parë nuk jepen kurrë ilaçe, madje është e detyrueshme t’i kërkojmë pacientit që të pushojë së marri ilaçet që pi zakonisht, sepse terapitë shpesh të ndjekura në mënyrë jo racionale, mund të kenë efekte të padëshirueshme me pasoja shumë të mëdha”. Hapi i parë i një mjeku të mirë është që t’i kërkojë të sëmurit të korrigjojë disa sjellje të rrezikshme si puna, gjumi, ushqimi. Biseda me neurologun dhe ditari ku janë mbajtur shënimet japin të dhënat e para: shumë kafe, ndriçimi i gabuar, ushqyerja jo korrekte, apo shkaqe të natyrës mjekësore, të gjitha elemente që studime të ndryshme tregojnë se janë faktorë të rrezikshëm që duhen modifikuar në mënyrë të menjëhershme.
Kështu, nëse ndryshimi i stilit të jetesës nuk ka sjellë asnjë përmirësim, atëherë duhet menduar për ilaçet. Ka edhe nga ata që meqë nuk duan të shkojnë tek ilaçet u zënë besë elementeve të tilla, si magnezi. Shpesh dhimbja e kokës ka lidhje me mungesën e magnezit. Sidoqoftë, kjo është një zgjedhje e detyruar për gratë shtatzëna, sepse nuk i bën keq as fëmijës. Si alternativë e magnezit, gjithmonë në fushën farmaceutike janë riboflavina, apo koenzima Q10 efektet anësore të së cilave janë thuajse të papërfillshme. Por kur dhimbja është e padurueshme dhe nuk mund të parandalohet dhe shpesh u drejtohemi analgjezikëve, në doza të mëdha dhe shpeshtësi të lartë, ekspertët nuk kanë dyshime për faktin se është më mirë të nisësh mjekimin me ilaçe. Sepse ashtu siç ka treguar studimi i fundit i Pringsheim, ilaçe që kanë treguar se janë efikase, ka shumë.
Si për alternativë neurologët u drejtohen antidepresivëve të ndryshëm si amitriptilina, një ilaç i vjetër, por shumë fikas, sidomos nëse përdoret në doza të vogla, ndryshe nga sa përdoret për trajtimin e depresionit. Përveç ilaçeve që veprojnë në sistemin nervor, të dobishëm mund të jenë edhe ata që veprojnë për tensionin e gjakut si beta bllokuesit (propanololi sidomos, flunarizina. Zgjedhja është shumë e gjerë, por nuk ka rregull për të vendosur cili është ilaçi më i mirë për rastin specifik. “U them gjithmonë pacientëve të mi: të gjesh terapinë është njëlloj si të gjesh modelin e duhur të xhinseve. Është e vështirë, por jo e pamundur”, tregon Pringsheim.
Në çdo rast, vazhdon më tej neurologia, kush nuk dëshiron ta nisë menjëherë me ilaçe agresive, hapi i parë mund të jetë ai me preparate vitaminash apo ilaçe të lehta me shumë pak efekte anësore. Është një rrugë e gjatë dhe duhen rreth gjashtë muaj për të vlerësuar rezultatet e arritura dhe për të vendosur se si të vendosësh. “Një terapi është ajo që redukton përgjysmë numrin, shpeshtësinë dhe intensitetin e krizave.
Kur arrihet ky objektiv, lajmi i mirë është gjithmonë në mënyrë graduale të dalësh nga terapia që ka funksionuar. Për disa është e mundur, për të tjerë ulja e dozës së ilaçeve korrespondon me rritjen e numrit të krizave, ndaj është më mirë të vazhdosh me kurat”. Shpesh ndodh që ilaçi i zgjedhur nuk funksionon, ndoshta sepse nuk janë marrë në konsideratë sëmundjet apo shqetësimet e tjera. Në këtë rast, shpjegon akoma eksperti, riniset nga e para derisa të gjendet rruga e duhur e shpëtimit. Por duke qenë se ilaçet e reja në këtë fushë nuk po mungojnë, mënyrat për të gjetur mjekimin e duhur janë të mundshme.
Për shembull flitet për molekulat e reja, të afta për të bllokuar veprimin e një neurotransmetuesi që aktivizohet gjatë dhimbjes. Jo vetëm kaq. Një tjetër ilaç i quajtur telgagepant duket se do të bëjë revolucion: në Amerikë janë duke u diskutuar problemet e fundit para se të hidhet në treg. Mbeten akoma shumë gjëra për t’u sqaruar, sipas studimeve të neurologëve suedezë telgagepant mund të jetë një mjet shpëtimi për të gjithë ata që nuk gjejnë qetësi me ilaçet e zakonshme.