Për veprimtarinë e tij, u burgos disa herë nga qeveritarët osmanë bashkë me vëllezërit, që njëkohësisht ishin veprimtarë të shoqërive patriotike dhe nismave me karakter kombëtar. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, largohet në Amerikë, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Gjatë kësaj kohe ishte i dërguar i bashkësisë shqiptare të Amerikës, së bashku me pesë delegatë të tjerë, pranë Konferencës së Paqes në Paris. Grameno vdiq në Korçë, më 5 shkurt 1931, i mbyllur në vetvete dhe i rënë nga shëndeti e pija.
Mihal Grameno, me krijimtarinë e tij publicistike, përbën një hallkë të rëndësishme. Ai mbetet një nga patriotët tanë, që mori pjesë aktive me pushkë e me penë në lëvizjen kombëtare e demokratike shqiptare gjatë viteve 1905-1930.
Ka hyrë në historinë e letërsisë shqiptare si një nga themeluesit e prozës tregimtare e të dramaturgjisë, si një nga shkrimtarët që i hapi rrugë dramës e novelës sonë, që futi në letërsi jetën shqiptare, përfaqësuesit e shtresave të varfra, luftën e tyre kundër pushtuesit.
Vepra e tij letrare ka zënë një vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ajo u bë objekt studimi në kuadrin e hartimit të teksteve mësimore për shkollën shqipe të pasçlirimit. Në veprën “Historia e letërsisë shqipe”, përgatitur nga Instituti i Historisë e Gjuhësisë në Tiranë, më 1959, për herë të parë përmendet emri i Gramenos, si një prej autorëve të publicistikës sonë të së kaluarës, dhe pas saj edhe ajo e vitit 1983*.
Në studimin e publicistikës së Gramenos, me vlerë të veçantë qëndron studimi i Vangjush Zallëmit, ku vihen në dukje jo vetëm vlerat ideore, por edhe ato artistike dhe letrare. Aty autori flet edhe për fejtonet dhe pamfletet e Gramenos, të botuar në shtypin e kohës, e sidomos në gazetat që drejtoi: “Lidhja orthodhokse” dhe “Koha”. Gjithashtu, për t’u vlerësuar, është edhe puna studimore e Piro Takos në dekadat e fundit të shekullit që lamë pas. Ai ka meritën se përmblodhi një pjesë të mirë të veprës së Gramenos dhe e ribotoi atë në vëllime më vete. Veprimtaria publicistike e Mihal Gramenos ndahet në katër etapa:
1) Etapa e parë: Krijimtaria publicistike, që përfshin harkun kohor të viteve 1905-1912, ku përqendrohen lëvizjet për çlirim kombëtar
2) Etapa e dytë: Përfshin shkrime publicistike të viteve 1913-1920, boshtin e së cilës e përbën problemi i ruajtjes së tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe ai i rifitimit të pavarësisë së humbur gjatë kohës së pushtimit të ushtrive ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore
3) Etapa e tretë: Përfshin veprimtarinë publicistike të viteve 1921-1924, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe konsolidimi i tij
4) Etapa e katërt: Përfshin shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos.
Si figurë letrare, Mihal Grameno u bë i njohur që më 1903, me vjershën “Vdekja”, një krijim që përshkohet nga ndjenja e lartë patriotike, por që ka ndonjë të metë artistike si dhe gjuhësore. Këtë fakt e përmend edhe historiani i letërsisë sonë, Robert Elsie në tekstin e tij. Prej penës së Gramenos kanë dalë disa vepra shumë interesante dhe që shpejt u bënë popullore, duke i dhënë autorit të tyre meritën e shkrimtarit-hero, e frymëzuar kjo edhe nga vetë jeta e veprimtaria e tij, derisa mbërriti koha kur emri i Gramenos ishte sinonimi i luftëtarit të shquar që e lidhi jetën me pushkën e me penën.
Veprat e shkruara nga Gramenoja janë: “Mallkimi i gjuhës shqipe”, subjekti vendoset në Korçën e 1886-s dhe satirizon përpjekjet e grekëve për mposhtjen morale dhe kulturore të shqiptarëve; “Vdekja e Piros”, tragjedi me temë historike që trajton figurën e mbretit Piro; “E puthura”, një histori dashurie mes individësh të klasave shoqërore të ndryshme; “Oxhaku”, me subjekt të vendosur në vitin 1821, kur djali i një beu dashuron një vajzë të thjeshtë fshatare, ndjenjë kjo që kalon shumë peripeci; “Var’ i pagëzimit” merr shkas nga një histori e vërtetë që ka ngjarë në fshatin Vithkuq, gjatë dy shekujve më parë, kur një familje me ndjenja kombëtare u shua krejt për arsye se prifti grekoman nuk pranoi të pagëzojë në shqip fëmijën e sapolindur; “Kryengritja Shqiptare” është vëllimi që tregoi sesi mund të sistemohen dhe shkruhen kujtimet e individëve që kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur rol në lëvizjen kombëtare, shembull i cili u ndoq më pas nga Nikolla Ivanaj, në botimin e kujtimeve të tij më 1943 (vëll. I) e 1945 (vëll. II) “Historija e Shqipëniës–Vuejtjet e veprimet e mija”, etj.; gjithashtu Grameno përmblodhi në vëllimin “Këngëtore Shqipe Plagët”, një morì këngësh patriotike. Në Arkivin Qendror të Shtetit (A.Q.SH) në Tiranë, në fondin e Mihal Gramenos, ndodhet dhe dorëshkrimi i një novele të shkruar prej tij, me titull “Saideja ëngjëllore”, e cila nuk është botuar deri më sot dhe po punohet për këtë.
Nga veprat e Gramenos, po shkëputim një prej tyre për ta trajtuar shkurtimisht këtu: “Var’ i pagëzimit”, botuar fillimisht në Selanik më 1909, në shtypshkronjën “Mrothësija” të Kristo Luarasit. Subjekti i “Romani dramaktik” (siç e ka quajtur Grameno) është vendosur në Vithkuqin e vitit 1751, kur në këtë vend ngjau një tragjedi e tmerrshme. Me pak fjalë, përmbajtja e pjesës është kjo: dy të rinj dashurohen dhe vendosin të martohen. Pas dy vjetësh të martesës së tyre, lind pasardhësi djalë i kësaj familjeje. Sipas zakonit të kohës, “ndrikulla” siç na thotë Grameno, duhej të çonte në Mitropoli ditën e diel, foshnjën e sapolindur për ta pagëzuar. Ky veprim do të shuajë një familje të tërë, pasi komploti që vendosi prifti i Mitropolisë bashkë me Dhespotin, ishte i tillë që familja duhet të hiqte dorë nga ndjenjat kombëtare dhe nga të përhapurit e gjuhës shqipe dhe ta zëvendësonte këtë me gjuhën “e bekuar” greke.
“Tani vëllezër, duhet të mendohemi mirë që me ç’farë udhë edhe mënyrë të zëmë, me të cilat të mundim t’i sjellim në udhë të drejtë duke kuvenduar vetëm të bekuarën gjuhë të Perëndisë, greqishten, e të harrojnë këtë gjuhë të mallkuar që kuvëndojnë!” (faqe 15 – sipas botimit të v. 1909), u tha Dhespoti priftërinjve të tjerë të Mitropolisë. Në momentin kur ndrikulla shkon bashkë me foshnjën pranë priftit për të kryer ritin e pagëzimit, ky i fundit nuk pranon ta kryejë këtë veprim, pasi gruaja nuk dinte greqisht dhe madje para tij denjoi të mbrojë gjuhën shqipe, duke thënë se: “Këtë gjuhë uratë, e kemi mësuar duke thëthirë qumështin e mëmave, e me këtë do të vdesim, e jo Sh-juaj (shkëlqesia-shën. im) ta mallëkoni?!” (f. 27). Këto fjalë duket se e zemëruan shumë priftin me ndjenja grekomane, i cili nuk pranoi të pagëzojë fëmijën nëse familja e tij nuk heq dorë nga shqipja. Të njëjtën përgjigje, gruaja merr edhe para Dhespotit e kështu, nëpër të ftohtin e asaj dite janari, kthehet në shtëpi.
Por, rrugës fëmija kishte ngrirë dhe kishte vdekur. Kur mori vesh këtë dramë, duke mbajtur në krahë foshnjën, vdiq edhe nëna e saj, babai u trondit dhe u largua nga shtëpia ndërsa prindët e këtij të fundit, vdiqën atë ditë. “Të këtillë fund mori këjo dram’ e tmeruar për të kënaqur fen’ e Krishtit!”(f. 32), – shkruan Grameno, në fund të pjesës së parë të romanit. Në pjesën e dytë autori tregon jetën e personazhit të mbetur gjallë nga familja, e cila përshkruhet shumë kujdesshëm dhe me ndjenjë nga autori. Ai jetonte i vetëm në një pyll të thellë dhe çdo 13 janar, data e ngjarjes së tmerrshme, ai shkonte te “Varri i pagëzimit”. Pas 50 vjetësh të kësaj historie, vdiq dhe ky i fundit. “... koha dhe lëndina hodhë harimnë për mi ‘Var të Pagëzimit’!”- shkruan Gramenoja në fund të librit.
Stili plot thjeshtësi dhe ndjenjë njëkohësisht i Gramenos, admirohet edhe sot prej lexuesit. Tregimi i ngjarjeve, pajisja e pjesës me detaje interesante, si dhe përshkrime, i japin një farë vlere artistike krijimit të Gramenos, një shije që të bën të mendosh e të lexosh midis rreshtash. Ai u përpoq që, me disa momente të caktuara historike, të japë analogji në krijimet e tij, si p.sh. shkrimi dhe botimi i veprës në fjalë gjatë kohës kur propaganda greke kishte mprehur hushtat kundër gjuhës shqipe dhe veprimtarëve të lëvizjes për çlirim kombëtar (e kësaj kohe është vrasja prapa shpine e patriotit Spiro Kosturi në Selanik).
Për t’u përgjigjur këtyre pretendimeve të pabaza, si dhe për të ndërgjegjësuar opinionin si dhe veprimtarët, Gramenoja shkroi e botoi shumë, kështu që edhe niveli jo aq i lartë artistik i krijimeve të tij duhet parë nën këtë dritë zhvillimi.
Gjithsesi, Mihal Grameno mbetet një nga zërat e veçantë në letërsinë shqipe, për nga modeli që ndoqi, format e reja që dha e kultivoi në këtë letërsi, për prodhimtarinë e tij në pothuaj çdo zhanër, duke nisur nga poezia, novela, pamfleti, romani, drama, komedia, kujtimet etj.