Mungon zyrtarizimi por Vinçenco Montela i afrohet gjithnjë e më shumë pankinës së Milanit. Të gjitha gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe administratori i përgjithshëm i kuqezinjve, Adriano Galiani, që në orët e para të mëngjesit ka organizuar një takim me menaxherin e "Aeroplanino" për të mbyllur sa më shpejt gjithçka.
Montela është gati të marrë drejtimin e Milanit, ka dhënë pëlqimin e tij për kushtet që kanë ofruar kuqezinjtë. Por problem mbetet kontrata që ka me Sampdorian.
Presidenti i klubit të Sampdorias, Ferrero, kërkon si dëmshpërblim 1,1 milion euro për të prishur kontratën me të, të njëjtën shifër që pagoi për ta marrë nga Fiorentina vetëm një vit më parë.
Milani kërkon që të paguajë një shifër më të ulët dhe kjo është pengesa e vetme për firmën dhe zyrtarizmin e marrëveshjes mes palëve, që mund të vijë në orët në vazhdim.