Milani ndahet në barazim me Frozinonen në "San Siro". Kuqezinjtë e Brokit morën një pikë nga ekipi që lufton në vendin e parafundit për t'i shpëtuar rënies nga kategoria. Ndeshja përfundoi me shifrat 3-3, rezultat i cili bëri që vendasit të dilnin mes vërshëllimave të tifozëve në fund të takimit.
Milani ndodhej në disavantazh që nga minuta e 2´. Paganini shënoi golin e parë për miqtë dhe Bardi dyfishoi rezultatin në minutën e 44´.
Kuqezinjtë patën një rast të mirë për të ngushtuar rezultatin në minutën e 49´, por Baloteli nuk shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Karlos Baka realizoi golin e parë për kuqezinjtë një minutë më pas, ndërsa Frozinone u kundërpërgjigj duke shënuar golin e tretë me anë të Dionisit pesë minuta më pas.
Kur dukej se kuqezinjtë do të dorëzoheshin në shtëpi nga modestët e Frozinones, Antoneli realizoi golin e dytë për Milanin në minutën e 74´ dhe Manez barazhoi shifrat në 3-3 në minutat shtesë.
Në këtë ndeshje u aktivizua që në minutat e para edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Arlind Ajeti.