Domosdo nuk kaloi pa tërhequr vëmendjen e opinionit publik vendës, e ma do mendja edhe atij të huaj, por aq ishte ‘lajmi’… nuk zgjati çudia as tri ditë!
E thënë drejtpërdrejt, nuk ka asnjë dyshim se këto të dhëna janë impresionuese, por edhe shokuese në disa drejtime dhe nuk ka sesi të mos kishin nevojë për një meditim pa marrë përsipër investigime, hamendësime e gjëra të tjera të kësaj natyre.
Në Shqipëri, të paktën formalisht, funksionojnë organe kompetente sikurse është Autoriteti i Deklarimit të Pasurive, që edhe mund të jepte një sqarim… Se ky autoritet merret nganjëherë me njerëz që është qesharake të harxhohet koha për ‘investigim pasurish’, burimi i tyre, origjina etj. Po ashtu është prokuroria, ShISh-i e në fund të fundit vetë qeveria.
Por edhe pse kanë kaluar disa ditë e çudia nuk zgjati as tri ditë, dy a tri gjëra janë të rëndësishme të vihen në dukje.
Së pari, dhe që personalisht më bën përshtypje, është që disa dhjetëra persona (55) kanë në dorë gjysmën e pasurisë së këtij vendi, kur më shumë se gjysma e popullit shqiptar prej 3 milionësh jetojnë në një varfëri të tejskajshme; mezi arrijnë të mbajnë familjet e tyre me gjërat më minimale të jetesës. Shkurt, jetojnë edhe me listë…
Edhe ajo pjesë e popullsisë, ku po përfshij edhe veten time, bëjmë një jetë modeste, domosdo pa vila në bregdet, pa vetura, pa, pa, pa…. si këto lukse. E pastaj, domosdo t’i harrojmë udhëtimet e ‘magjishme’ në Dubai, Brazil apo Kubë. Madje, do të shtoja se edhe udhëtimet turistike brenda vendit i masim në fije të perit. E këto janë pjesa me e madhe e intelektualëve…që po e quajmë shtresa e mesme. E shumta që bëjmë është të mblidhemi ndonjëherë e të ngremë ndonjë gotë…
U tregova ndoshta pa takt duke përmendur këtë pjesë të popullsisë ku ndoshta jam edhe unë, por ajo pjesë që përmenda më sipër – më shumë se gjysma (e këtu më dhëmb shpirti për pensionistët) që lukse të tilla u duken si në film.
Kjo është njëra anë e medaljes. Sepse nuk ka asgjë të keqe të bëhesh i pasur; bravo u qoftë atyre që punojnë e fitojnë, se në fund të fundit ky është kapitalizmi, ku diferencimet klasore nuk shmangen kurrë. Por edhe në vendet më demokratike kapitaliste nuk ka ngjarë që për më pak se dy dekada të krijosh pasuri marramendëse, që shpesh kur rastis t’i bisedojmë me ndonjë mik e mbyllim diskutimin duke thënë kjo është ‘mrekullia shqiptare’…
Por a është kështu e vërteta e mundshme, që me të vërtetë të bëhesh miliarder e milioner për dy dekada në mënyrë të ligjshme? Sa do të dëshiroja t’u besoja autoriteteve kompetente, por jo, nuk u besoj se jemi të gjithë dëshmitarë çfarë ka ngjarë e po ngjet. E ndërton ai tjetri për dy muaj jo vile, por oaz në Gjirin e Lalzit, Syrin e Kaltër, kap gati tërë bregdetin e vendit me hotele e fshatra turistike. E ka shumë prej këtyre magnatëve të Shqipërisë që nuk kanë punuar një ditë, nuk kanë librezë pune as zanat e shkollë…Jo, shkollë mund të kenë, se nuk është zor të bëhesh edhe doktor shkencash në Shqipëri, ku flet paraja, jo dija.
“Shqipëria lë pas shumicën e vendeve të rajonit për nga numri i milionerëve që kanë një pasuri prej më shumë se 30 milionë eurosh”, po citoj gjithnjë raportin ndërkombëtar e më tej sipas tij – 55 persona zotërojnë 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Këto shifra, e thënë troç, nuk të ngjallin krenari. Përkundrazi, njeriu i ndershëm shqiptar e thotë pa ndrojtje tashmë: këto nuk janë pasuri me djersë. Në të kundërt është djersa e popullit të thjeshtë, është pasuria e tij, asetet kombëtare që duhen ndarë në mënyrë të drejtë, biznesi i ndershëm pa evazion fiskal, pa korrupsion të paparë, pa shfrytëzim poshtërues të shqiptarit të thjeshtë.
E në mbyllje nuk mund të mos vë në dukje se asnjë politikan, forcë politike nuk është shprehur për këto të dhëna të fundit, që na i servirin gjithmonë ndërkombëtarët. Komenti është i tepërt, sepse e kanë edhe ata pjesën e tortës në këtë mesele, që nuk mund të quhet kapitalizëm i pastër, konkurrues dhe aq më pak i ndershëm! Ndershmëria duket ka marrë fund për disa në Shqipëri, por jo te populli.