Milionere me lista

Milionere me lista

Përkrah listave të gjata të ushqimeve me emra të varfërish nevojtarë, në butikët shqiptarë të luksit ekziston një listë famëkeqe edhe më e frikshme: lista e pasanikëve. Veshje firmato dhe mobilie të shtrenjta të papaguara prej muajsh, borxhe marramendëse nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë statusin e milionerit


Në Blackberry-n e saj mbërrin një sms: “Koleksioni i ri i pranverës sapo ka mbërritur në butikun tonë”. Ajo nuk duron sa të shkojë, por telefonon menjëherë pronaren. I thotë t’i bëjë gati disa fustane dhe këpucë në numrin e saj. Nxiton me makinën e fundit Benz C-Class për në butik, takohet me pronaren sikur ta kishte mikeshën e saj më të ngushtë, rrëmben pa i provuar qeset e mbushura me veshje dhe 5 palë këpucë të sezonit dhe largohet. Shifra totale arrin afërsisht në 5.000 euro. Pronarja shkruan emrin e saj në një letër. Vendos shifrën përbri disa shifrave të tjera, që në total arrijnë në 15.000 euro. Lista është e gjatë, ka aq shumë emra të famshmish dhe gra biznesmenësh, sa po t’i mblidhje në një promovim biznesi, do të bëje publicitetin më të madh mediatik. Vetëm se në këtë rast është mirë që njerëzit, aq më tepër mediat, të mos dinë gjë. Sepse pa dashje do të zbulonin të fshehtat e shkëlqimit të tyre. Vetëm disa hapa larg listave nëpër ushqimoret e lagjeve qëndrojnë listat e gjata të “milionerëve borxhlinj” në butikët e shkëlqyeshëm e të shtrenjtë të kryeqytetit. Emra ndërtuesish, prodhuesish, importuesish dhe VIP-ash ruajnë deri në pikën e fundit të overdraft-it aparencën dhe dëshirën për t’u ndier të pasur.


“Më zë dhimbja e kokës kur shoh listën. Ka njerëz që nuk kanë paguar që nga viti i kaluar dhe po të them emrat e tyre, do të habiteni. Janë të pasur ose të paktën kështu thonë, – Alma M., pronarja e një butiku me veshje firmash të shtrenjta tek Blloku, më tregon një shifër: 10.000 euro. – Kaq më ka dikush borxh dhe nuk i ka kthyer ende prej 1 viti”.


Listat e borxhlinjve të luksit nisën në Shqipëri paralel me hapjen e butikëve të shtrenjtë me mallra firmato origjinale. Versioni “Bli sot, paguaj kur t’i kesh” ishte një lloj mënyre për të ruajtur klientelën e sapokrijuar. Kushdo që vendoste të hapte një biznes ku një bluzë pambuku e thjeshtë kushtonte mbi 100 euro, e dinte se klientela e tij e rregullt do të ishte shumë e kufizuar për kushtet ekonomike shqiptare. Ndaj kjo klientelë duhej të ruhej medoemos. “Fillimisht, përveç miqve më të afërt, klientët e tjerë paguanin, vinin shpesh, blinin gjëra të shtrenjta dhe ne likuidoheshim në moment. Kishte raste kur linin kapar dhe pas dy-tre ditësh vinin të merrnin blerjen e tyre dhe të paguanin shumën e plotë”, tregon Elda K., pronarja e një butiku të shtrenjtë në Tiranën e Re.

 

Por gradualisht, miqve të vjetër të pronarëve iu shtuan edhe miqtë e rinj: klientët e pasur. “Sa herë njoftonim për koleksione të reja, ata ishin të parët që vinin dhe me besimin që kishin krijuar, ne i lejonim të merrnin çfarë të donin në shtëpi dhe të paguanin më vonë. Ishte një kërkesë e tyre fillimisht, por që ne nuk mund ta refuzonim, sepse nuk e mendonim kurrë që do të ballafaqoheshim me vonesa disamujore në shlyerjen e pagesave”, vazhdon ajo.


“Kur dikush që ti e di se ka disa kompani me emër në vend, vjen në biznesin tënd, bën blerje fantastike prej disa mijëra eurosh dhe të thotë se do t’i paguaj më vonë, ti beson se do t’i paguajë. Kështu kalon koha dhe papritur kupton se ke muaj që pret pagesën”, tregon Mira Xh., pronarja e një biznesi mobilierie në qendër të Tiranës, e cila përmend shifra marramendëse borxhesh. Dikush i detyrohet prej 8 muajsh 30.000 euro.


Klientët e rregullt të luksit janë lehtësisht të dallueshëm. Ata jetojnë në apartamente luksoze, kanë biznese të mëdha, udhëtojnë shpesh jashtë dhe vishen me veshje të sezonit nga stilistët e mëdhenj. Por nëse nuk ke akses në listat “e zeza” të butikëve, vështirë të dallosh se kush prej tyre ka paguar për ato që ka veshur apo që ka në shtëpi dhe kush vazhdon të rendisë justifikime për vonesa në shlyerje të borxhit.


Janë disa arsye që çojnë klientët e luksit në listat e debitorëve. Arsyeja e parë është “dëshira për t’u dukur”. Në Shqipërinë e varfër të ish-barazisë së imponuar është bërë gati e domosdoshme nevoja për një status të lartë shoqëror. Ka nga ata që jetojnë ende me tregimet e pasurive të gjyshërve të tyre (të marra padrejtësisht nga regjimi komunist), por pa asnjë të ardhur në ditët e sotme; nga ata që shoqërohen me të pasur; si dhe nga ata ish-shumë të varfër të pasuruar shumë shpejt, të cilët kanë nevojë të ndërtojnë ose të rikrijojnë statusin e tyre shoqëror. Vetëm duke treguar se “kanë”, ata vetëkonfirmohen, ndihen më të plotësuar dhe më të pushtetshëm përballë shumicës së varfër. Nëse disa mendojnë se statusin e kanë arritur me një X5 apo me një çantë LV, të tjerë kërkojnë edhe më shumë. Nuk duan të duken thjesht “në gjendje”. Duan të ndihen dhe të duken “milionerë”.


“Njëra e donte me patjetër setin e jastëkëve firmato dhe më thoshte se do t’i paguante pas një muaji. Po përse do të blesh një komplet jastëkësh 400 euro, kur nuk ke me çfarë të paguash?!”, tregon Suela T., pronarja e një butiku me produkte shtëpiake. Dëshira për të fjetur me ëndrra milionerësh kthehet në domosdoshmëri: duhet të hash me pjata milionerësh, të vishesh si milionerët dhe të udhëtosh në makina milionerësh. Dhe në fund të shpërblehesh me mirësjelljen inferiore të atyre që nuk e dinë se pas firmatove në aparencë, fshihet një llogari bankare e boshatisur.
Arsyeja e dytë e listave është sëmundja e blerjes ose, siç njihet botërisht, “shopaholism”. Një sëmundje jo aq e këndshme dhe lehtësisht e kapërcyeshme sa “Shopaholic” e Sophie Kinsella-s. Sepse në gjuhën e psikologëve, blerja pa kufi justifikohet me nevojën për të plotësuar boshllëqe shpirtërore: një martesë e dështuar, mungesë dashurie, ndjenjë e trashëguar inferioriteti dhe pasigurie. Ka raste që shopaholic-ët nuk i veshin kurrë ato që blejnë. Është gati e njëjta formë sëmundjeje si bulimia dhe kleptomania, e cila në vend të luftohet me psikoterapi, përforcohet me blerje të pakontrolluara.


“Më kujtohet që njëherë kisha sjellë një pallto të shtrenjtë. Kushtonte rreth 1.200 euro. Nuk isha e sigurt nëse dikush do ta blinte. Një ditë hyn në butik një vajzë e panjohur. U dashurua pas palltos. Më tha: ‘A mund ta blej me këste mujore?’. M’u duk e habitshme kjo kërkesë, pasi kur t’i mbaronin këstet, do të ishte verë dhe asaj nuk do t’i duhej më palltoja. E refuzova. Pas disa ditësh ajo kthehet prapë me lekë në dorë. Kishte marrë kredi në bankë vetëm për të blerë pallton”, tregon Donika T., pronare në një butik me veshje të shtrenjta për gra. Shumë shpesh këta klientë refuzojnë të bëjnë llogari matematikore mbi shpenzimet, por blejnë pa parë çmimin dhe kur ballafaqohen me totalin, e kanë të pamundur të shlyejnë pagesën ose t’ua thonë shumën partnerëve/prindërve (burimi i tyre financiar).


“Të duket e çuditshme, por disa që vërtet kanë lekë i vonojnë pagesat, sepse e dinë që munden”, tregon Suela. Kjo është kategoria e atyre që kanë pushtet ose famë. Bëjnë blerje të mëdha dhe pastaj refuzojnë të paguajnë, jo sepse nuk kanë me çfarë t’i paguajnë, por sepse kërkojnë të ndihen superiorë ndaj të tjerëve. Madje legjenda urbane thotë se dikur gruaja e një njeriu mjaft të pushtetshëm të politikës shqiptare gati çoi në falimentim dy-tre butikë, sepse nuk paguante asnjëherë për veshjet e shtrenjta që merrte. “Këta njerëz abuzojnë me pushtetin e tyre, aq sa kujtojnë se ne u detyrohemi në këmbim të miqësisë dhe vëmendjes që na ofrojnë. Nëse i refuzon në butikun tënd, ke frikë se do të hakmerren (p.sh. me policinë tatimore) dhe nëse u kërkon lekët, të shohin shtrembër, sikur duan të thonë: ‘Ti më kërkon lekët MUA?! E di ti kush jam UNË?!’”, vazhdon Suela.


Kohët e fundit listave të borxhlinjve u janë shtuar edhe biznesmenët në krizë. Me dhjetëra apartamente të pashitura, biznese të falimentuara apo me humbje të mëdha, kjo kategori e ka të vështirë të pranojnë dështimin. Biznesmenët në krizë shpenzojnë njësoj si më parë që të mos kuptohen, por harrojnë se këto blerje vetëm sa u shkaktojnë dëme.


“Ka klientë me kërkesa nga më të çuditshmet. Një ditë, një ndërtues vjen në dyqanin tim dhe më thotë: ‘Unë blej mobiliet e shtëpisë tek ty (shifra shkonte në 80.000 euro) dhe në këmbim të ofroj një apartament’. Kërkonte të blinte mobilie luksoze nga më të shtrenjtat dhe më ofroi një apartament në një pallat në periferi, i cili nuk po i shitej. Se ç’më duhej mua ajo shtëpi, një zot e merr vesh”. Tregon Elida, administratorja e një dyqani, e cila mobiliet i sjell të gjitha nga Italia.


Të zënë ngushtë me klientë të tillë dhe borxhe marramendëse, pronarët çdo ditë përpiqen të gjejnë një zgjidhje. Por deri tani e vetmja përpjekje është një sms për t’u kujtuar detyrimet. “Kam miq që kanë shumë borxhe tek unë dhe unë detyrohem t’u them shitëseve të mia apo financieres t’i njoftojnë, sepse po t’i marr unë, ata ofendohen. U detyrova të gjeja këtë zgjidhje kur u përballa me një mikeshë, e cila në vend që të ndihej në faj, më bëri mua të ndihesha në faj se përse nuk kisha besim tek ajo”, thotë Alma. Është gati e çuditshme të deshifrosh këtë marrëdhënie mes biznesmenësh. Klientët e luksit – një pjesë e madhe me biznese – e dinë shumë mirë se vonesat në shlyerjen e detyrimeve dëmtojnë butikët, pasi pagesat investohen sërish apo përdoren për të paguar shpenzimet fikse.


“Duke qenë se është një fenomen mjaft i përhapur, borxhet ndaj butikëve janë përligjur. Edhe po të mos dua unë, pronari i një butiku konkurrent lejon vonesa të tilla dhe ky lloj komoditeti i çuditshëm tërheq më shumë klientë. Ndryshe ndodh me bizneset e një pjese të madhe të klientëve tanë. P.sh. asnjë klienti im ndërtues nuk të lejon të porosisësh një apartament pa paguar të paktën 40 %. Aq më pak të të bëjë ulje kur i kërkon një favor. ‘Dakord, nga 1.200 euro m2, për ty po e jap me 1.000 euro m2’, ndërkohë që ti e di fare mirë se kostoja e atij apartamenti është 300 euro m2. Askush s’të fal as 10 lekë, por nga mua presin të jem zemërgjerë”, vazhdon Alma M.


Nëse butikët e mallrave të luksit të hapura prej vitesh e vuajnë fenomenin e listave, më të rinjtë mbajnë shënime dhe e kanë më të lehtë për të krijuar një standard tjetër. Juela D. sapo ka hapur një biznes të vogël, një butik me këpucë të shtrenjta firmato. Në të ka vendosur një ligj: “Askush nuk do të lejohet të vonojë pagesën”. “Më erdhën një ditë në butik dy gra deputetësh, morën disa palë këpucë dhe pas dy muajsh u detyrova t’i merrja vetë disa herë në telefon t’u kërkoja lekët. Që atëherë kam vendosur të mos e bëj më. Më mirë t’i humbas ata klientë, s’kam ç’i dua. Po nisën të mësohen keq, do ta bëjnë përsëri”.


Por, mbi të gjitha arsyet që justifikojnë vonesat në pagesa apo mospagesa, qëndron një pyetje e thjeshtë: A është e moralshme të jesh borxhli? Ne jemi rritur duke ndarë në komunitet sendet tona (frigoriferin, televizorin, telefonin etj.), duke sajuar lloj-lloj lotarish për të blerë një televizor dhe pas komunizmit kemi ndihmuar njëri-tjetrin duke u solidarizuar me pamundësinë ekonomike të atyre që background-in e kishin të njëjtë si ne. Ndaj, në njëfarë mënyre, shprehja “m’i jep kur t’i kesh” na vjen në mënyrë natyrale. Por nëse dikur ne ishim realistë për mundësitë tona, sot duket se jemi në një garë për të gënjyer sa më shumë, për të pretenduar se kemi më shumë nga ç’kemi në të vërtetë. Në perëndim askush nuk udhëton me Benz 50.000-eurosh, nuk ble Christian Dior, nuk jeton në një apartament luksoz në qendër të kryeqytetit nëse nuk ka mundësi t’i paguajë në fund të ditës. Sepse përndryshe (borxhlinjtë shqiptarë të luksit që udhëtojnë jashtë Shqipërisë këtë e dinë shumë mirë) nuk do t’i kishin këto të mira materiale. Dhe ata që nuk kanë, janë shumë të lumtur të jetojnë me veshjet e H&M dhe mobiliet e Ikea-s. Por shumë nga klientët-borxhlinj shqiptarë të luksit plotësohen vetëm kur jetojnë sipas një ëndrre dhe jo sipas llogarisë bankare. Edhe kur e dinë fare mirë se një tekë e tyre dëmton bizneset e butikëve. Pozicioni i borxhliut bëhet edhe më i pamoralshëm kur ai përfiton nga marrëdhënia shoqërore me pronarin e butikut. “Kam shumë vite në këtë biznes dhe kam kuptuar se milionerët e vërtetë – ata që blejnë shtrenjtë, blejnë çfarë duan dhe paguajnë në moment – numërohen me gishta. Madje një pjesë të mirë të tyre nuk i sheh kurrë nëpër revista e televizione dhe shifrat që harxhojnë nuk diskutohen kurrë nëpër parukeri”, thotë Mira Xh.


E kundërta e pseudo-pasanikëve, të cilët bëjnë të pamundurën (edhe duke u futur në borxhe) për të treguar status. Vetëm se gradualisht, kjo përpjekje po u kthehet mbrapsht: vonesat e tepërta në shlyerjen e detyrimeve e bëjnë listën “e zezë” më transparente. Një shfryrje këtu, një ankesë atje nga pronarët e butikëve apo miqtë më të afërt të tyre dhe gradualisht, në Tiranën e vogël,të gjithë mësojnë për kuletat e papërdorura Prada apo Hermes. Dhe nëse ndodh kështu, ç’duhen atëherë 5 palë këpucë firmato kur ecën kokulur me to përpara shikimeve përbuzëse të të tjerëve?!

 


*Autorja është kryeredaktore e revistës “Anabel”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama