“Diku luhatet në modelime formash të mëdha skulpturore, të rrjedhshme dhe të qeta, në ndonjë rast tjetër i përgjigjet idesë me një plastikë më impresive. Diku tjetër shembulli më shumë i jepet idesë sesa interesit për formën”,- shkruan në shënimin e tij kuratori Vladimir Myrtezaji. Për “Portretet historike” artisti ka filluar të punojë që prej vitit 2007. Autori Vladimir Llakaj (1967), aktualisht punon pedagog në Akademinë e Arteve, për Skulpturë Monumentale.
Zoti Llakaj, përse vendosët të sillni një ekspozitë me “Portrete Historike”?
Dikush mund të mendojë se këto janë figura që i kemi parë apo u ka ikur koha. Por realisht i kemi parë shumë pak dhe nuk u ikën koha kurrë. Patriotizmit nuk i ikën koha, as me Evropën e bashkuar, as me botën e bashkuar. Sepse të gjithë këto figura janë pulsi i shoqërisë ku jetojmë. Unë mendoj se është bashkëkohore të jesh patriot. Ne nuk duhet të kemi frikë nga patriotizmi. Ndoshta duhet të kemi frikë nga nacionalizimi.
Çfarë është patriotizmi për ju?
Patriotizmi është si dashuria për shtëpinë. Nëse nuk ke dashuri për shtëpinë tënde, nuk ke dashuri për vendin tënd. Nuk mund të ndjesh kurrë dashuri as për Evropën e bashkuar dhe as për botën e bashkuar.
Çfarë synoni të prezantoni nëpërmjet tipareve fizike të një personazhi që krijoni?
Me tiparet fizike të një personazhi unë mundohem të prezantoj historinë e tij, psikologjinë dhe karakterin e tij. Ndalem më shumë tek shikimi. Te mënyra sesi ndikon psikologjia në plastikën e portretit, energjia, karakteri personal etj. Prandaj më pëlqen portreti psikologjik. Është një zhanër që më ka pëlqyer gjithmonë. Një shprehje thotë se: “Kur ke parë një grua plakë, portreti i saj është shumë më i bukur sesa të shikosh gjithë Luvrin”. Kështu që unë mendoj se ka njerëz me një psikologji të rrallë dhe kjo gjendet kryesisht tek personazhet e zakonshme.
Vëmë re se tre nga “Portretet Historike” janë në bronz, të tjerat në allçi. Tre prej tyre i përkasin figurës sonë historike Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përse kjo zgjedhje?
Është një studim mbi figurën e Skënderbeut. Mund të bëhet edhe dhjetë herë dhe e realizon vetëm një herë. Unë jam munduar ta shikoj atë në disa etapa të jetës duke e vendosur në kontekste të ndryshme. Për portretin në bronz në formë të rrumbullakët është bërë një studim ndryshe nga të tjerët. Është parë në një moshë të re, kur ka ardhur në Shqipëri. Forma e mjekrës të kujton pak periudhën bizantine. Shpatullat e gjera, i kam sjellë si simbolikë të krishterimit, këtë efekt kam dashur të jap te publiku. Në dy punimet e tjera, Skënderbeun në njërën është me kapelën e dozhëve venecian rreth të 60-ve, ku vjen i prezantuar si një komandant, një mbret i denjë për betejat që bëri.
Një tjetër portret historik është ai iSelam Musait, komandantit të luftës së Vlorës, që ne shumë pak e njohim. Çfarë simbolizon portreti i tij për publikun?
Selam Musai nga Salaria është komandanti i Luftës së Vlorës. Është një hero popullor me dimensione të jashtëzakonshme. Është një nga figurat qendrore të kësaj lufte. Selami te labët njihet si një patriot i flaktë, prandaj jam munduar të tregoj një luftëtar popullor. Këto figura në radhë të parë janë mendimtarë. Sepse unë mendoj se nëse nuk je mendimtar me një botë shpirtërore të madhe nuk mund të organizosh masën.
E vetmja figurë femërore në këtë cikël punimesh është Nënë Tereza...
Figura e Nënë Terezës njihet botërisht dhe pse në Shqipëri mund të njihet shumë herë më pak. Është një njeri i jashtëzakonshëm. Unë jam edukuar pak a shumë me historitë e saj. Portretin e saj e shikoja nëpër dhomat e studentëve, nëpër sallat e studimit etj. Dhe shprehjet e saj i lexoja kudo. Ishte frymëzuese, e jashtëzakonshme për rininë dhe për intelektualët. Më ka impresionuar jashtë mase me dashurinë e pakufishme që rrallë e gjen te qeniet njerëzore.
Portretin e Ismail Qemalit nuk e pamë?
Këtu mungon Ismail Qemali, jo sepse nuk kam punuar për të, por sepse nuk arrita formatin që desha të realizoj. Prandaj besoj se më vonë do të realizoj diçka enkas për të.
Prej disa vitesh jeni dhe pedagog në UA, sa të motivuar janë skulptorët e rinj...
Brezat ndryshojnë. Këta të sotmit kanë informacion më shumë, por janë më pak emocional se sa kemi qenë ne. Por duke pasur informacionin kanë një gjë shumë të rëndësishme. Atë që ne e zëvendësojmë me pasion, këta e zëvendësojnë me informacion. Dhe kjo shkurton kohë në punën e tyre. Të rinjtë janë patriotë, janë artdashës, shtëpidashës.
Pothuajse të gjitha shtatoret që u realizuan në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, duken të jenë njëlloj. Ju çfarë mendoni?
Unë e kam kritikuar mënyrën sesi u organizuan konkurset për këtë 100-vjetor. Sepse pashë që u realizuan keq nga pikëpamja profesionale. Mendimi im është që dëshira e shtetit dhe e njerëzve që duan të bëjnë diçka mund të jetë e madhe. Por kjo është një punë që kërkon një kohë të caktuar fizike. Ndonjëherë puna zgjatet ose shkurtohet nëpërmjet personazheve që t’i zgjedh për t’i realizuar. Kryesorja qëndron tek përzgjedhja e artistëve. Nëse ajo bëhet në mënyrë militantenske, në art ka mbërritur dita e zezë e gjykimit. Një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare për momentin është se shteti në çdo qelizë të vetën është mbushur me militantë dhe jo me profesionistë. Këta janë si një tumor që shkatërrojnë çdo gjë. Nuk lënë të qarkullojë lirshëm ajri, ideja, virtyti etj. Kjo situatë mbyt jo vetëm punën e një artisti, por edhe të një bujku. Kur një gjë e tillë ndodh në art atëherë kjo është e pafalshme.
Çfarë vëmendje i kushtohet punës së artistëve në Shqipëri?
Artit në Shqipëri i kushtohet vëmendje zero, në çdo lloj fushe. Them se nga pikëpamja figurative ka arritur dita gri në art, për të mos thënë e zezë. Arti ecën mbi parametra personal, jo mbi parametra bashkërendimi. Realisht ne kemi mangësi të mëdha në klanizime sociale që ndikojnë në jetën dhe politikën e vendit. Kjo mund të jetë një nga fatkeqësitë më të mëdha që ne si komb jetojmë.