“Urime çiftit”! Kjo ka qenë targa e mjetit, nga ku dyshohet se është telekomanduar mina që hodhi në erë makinën e emigrantit të ardhur nga Belgjika, me 8 shtator në mes të ditës dhe në mes të Tiranës. Grupi i hetimit ka mundur të mbledhë të dhëna në lidhje me mjetin e dyshuar që ka ndjekur Petrit Markun që nga Durrësi e deri tek rreth rrotullimi i “Doganës”, vend ku edhe ka ndodhur shpërthimi. Referuar të dhënave hetimore bëhet me dije se dyshimi mbi mjetin e ‘çuditshëm’ që kishte targë urimi për një çift, ku brenda saj nuk kishte nuse ka bërë që emigranti të devijojë rrugën për disa metra, por pa e ditur se çfarë mund të kishte poshtë mjetit të vet.
Ekspertët e Krimeve të Rënda, të cilët vijojnë me hetimin e ngjarjes së rëndë që prej katër muajsh, vijojnë të jenë në kërkim të atij mjeti, pasi sipas të dhënave janë kaluar me qindra mjete të tilla nëpër skanerin e hetimit, por pa mundur të lokalizojnë makinën me të cilën kanë udhëtuar atentatorët e mirditorit. Gjithashtu të njëjtat burime, bëjnë me dije se sasia e lëndës si dhe mekanizmi i përdorur nga autorët ka qenë thuajse vdekjeprurës për të gjithë personat që janë gjendur në makinën e Markut, por burimet qartësojnë se fati i tyre ka qenë pikërisht nipi i Petritit. I mituri (djali i motrës së shënjestrës), pak para shpërthimit, ka dëgjuar erën e barutit dhe i ka kërkuar dajës të hapte xhamat e makinës. Sipas ekspertëve, ka qenë pikërisht ky momenti shpëtimtar për jetën e emigrantit si dhe për mos lëndimin e fëmijës, nënës së tij dhe mikes hungareze të Petrit Markut.
Hetimet
Atentati me minë te telekomanduar që gjymtoi Petrit Markun, pasditen e 8 shtatorit në mes Tiranës ka bërë që grupi i hetimit të mbledhë informacion në lidhje me mjetin që ku dyshohet të jetë komanduar shpërthimi. Sipas të dhënave të grupit hetimor, janë kërkuar pamje filmike për gjatë gjithë rrugës që nga Durrësi dhe deri në Tiranë për të bërë të mundur identifikimin e mjetit me urimin për “çiftin”. Gjithashtu, janë kërkuar edhe pamje filmike të disa hoteleve dhe bizneseve në afërsi të vendit ku pretendohet se mund të jetë vendosur bomba, por sipas të dhënave, në venddyshimet e ngritura nga ana e të dëmtuarit dhe njerëzve të tij nuk është hasur asnjë gjurmë e atentatorëve.
Gjithashtu, grupi i hetimit ka poseduar pamje edhe nga vendqëndrimet e makinës edhe para se të nisej për në Durrës, ndërkohë që ngjashmëritë me atentate të tjera të bujshme, që kanë sjellë viktima, bën që të dyshohet se grupi është jo vetëm shumë profesionist në mos lënie gjurmësh, por dyshimet shkojnë deri atje sa të pretendohet se janë i njëjti grup kriminal që ka vepruar thuajse në të gjitha ngjarjet e këtij lloji në dekadën e fundit. Petrit Marku, i cili i akuzua, u gjykua dhe u dënua për vrasjen e një të njohurit të tij, 15 vite më parë, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Shqipëri për pushime, ndërsa kërkimet e policisë në këtë hakmarrje, ranë poshtë menjëherë. Burimet bëjnë me dije, se nga dëshmitë e grumbulluara, nuk është bërë e mundur të zbulohet asnjë detaj i rëndësishëm që mund të çojë tek ndonjë konflikt i mbartur tjetër i 43-vjeçarit, i cili nga ai shpërthim humbi të dy këmbët. Ai ka lënë spitalin ushtarak ku mori mjekimet e para dhe mësohet se kurimi i tij ka vazhduar në një spital jashtë vendi.
Atentati
Pasditen e 8 shtatorit, në rrugën e Durrësit, në zonën e Laprakës, një mjet hidhet në erë. Ishte ora rreth 5.30 e pasdites kur mjeti benz do të shpërthente në sytë e qindra personave, ndërsa për fatin e madh të tyre, njerëzit arritën të dilnin të gjallë nga makina. Kalimtar të rastit afrohen për të dhënë ndihmën dy grave, djalit të vogël dhe drejtuesit të mjetit i cili kishte marrë goditje fatale në të dy këmbët. Policia, si thuasje përherë, sapo mësoi emrin e të plagosurit, u nxitua dhe e dërgoi shkakun e atij akti terrorist në një vrasje të shumë viteve më parë, për të cilën kishte bërë burg Petrit Marku. U shoqëruan shumë persona, ndërsa RENEA blindoi Laçin dhe Mirditën, duke rendur pas njerëzve të familjes së viktimës së atëhershme. Hetimet intensive për të bërë të mundur gjetjen e gjurmëve të atentatorëve, ranë thuajse brenda 24 orëve, kur policia nuk arriti të fiksonte asnjë person të dyshuar nga 18 të shoqëruarit, të cilët u sollën me mjetet e rënda të skuadrave speciale. Ngjarja-horror, ku mbeti i gjymtuar 43 vjeçari, u zbeh shpejt, pasi një mori atentatesh të tilla pasuan shpërthimin në Laprakë, ku më i rëndi ishte kundër një efektivi policie në mes të qytetit të Shkodrës dhe në mes të një parku fëmijësh.