Minaret si lindi amendamenti qe turperon Zvicren

Minaret, si lindi amendamenti që turpëron Zvicrën
Si pasojë, më 29 nëntorin e kaluar u organizua një referendum, në përfundim të të cilit u miratua amendamenti kushtetues me një pjesëmarrje 57.7%. Ndërkohë kësaj iniciative iu kundërvunë vetëm 4 nga 26 kantonet, pjesa më e madhe e të cilëve frankofolës. Ndërkohë në Zvicër ekzistojnë 4 minare që i janë bashkangjitur xhamive të Zyrihut, Gjenevës, Winterthur dhe Wangen bei Olten. Këto minare nuk do të preken nga ndryshimi i ligjit. Për sa i përket çështjes së minareve ajo e pati zanafillën në një bashki të vogël që ndodhet në veri të Zvicrës, në vitin 2005. Përplasja ndodhi mes një shoqate kulturore turke në Wangen bei Olten, e cila kishte aplikuar për një leje ndërtimi për një minare 6 metra të lartë në çatinë e qendrës së komunitetit islamik.

Por ky projekt, që në hapat e parë u përball me kundërshtinë e banorëve të zonës që organizuan një grup të posaçëm për të parandaluar ndërtimin e minares. Si pasojë edhe Komisioni i Planifikimit Urban nuk e pranoi kërkesën e shoqatës. Kjo bëri që aplikuesit t‘i drejtoheshin Departamentit të Drejtësisë. Ky departament i dha të drejtë kërkesës së shoqatës. Por ndërkohë, tashmë e shndërruar në një sfidë të vërtetë, çështja e minares vazhdoi në instancat më të larta. Banorët e çuan atë në Gjykatën Administrative të kantonit të Solothurn-it, por dështuan. Si pasojë minarja u lartua në çatinë e xhamisë në korrik të vitit 2009. Ndërkohë nga viti 2006 deri më 2008-ën, anëtarët e Partisë Popullore Zvicerane dhe Unioni Federal Demokratik ndërmorën një sërë iniciativash kantonale për të ndaluar lartësimin e mëtejshëm të minareve në Zvicër. Në vitin 2007 u lançua nisma popullore kundër minareve me propozimin konkret të amendamentit të nenit 72 të Kushtetutës Federale të Zvicrës. Amendamenti duhet të cilësonte specifikisht ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër.

 Në Zvicër, nismat popullore nuk shikohen juridikisht dhe mund të ndryshojnë edhe Kushtetutën federale. Promotorët e kësaj nisme kishin 18 muaj për të mbledhur të paktën 100 mijë firma. Nëse do të arrinin sukses, atëherë kjo iniciativë do të shndërrohej në një referendum kombëtar. Në Zvicër, iniciativa të tilla kantonale dhe federale janë të zakonshme, ndaj në këtë vend çdo vit ka referendume. Në përfundim të kësaj përpjekjeje u organizua edhe referendumi i 29 nëntorit që pati një rezultat, ndaj të cilit dolën kundër jo vetëm qeveria zvicerane por pjesa më e madhe e faktorit ndërkombëtar.

Vetë qeveria federale ka qenë kundër ndalimit të ndërtimit të minareve, por nuk mund të ndalonte një iniciativë që ishte ndërmarrë në përputhje me rregullat, por që nga ana tjetër shkelte të drejtat e njeriut të garantuara gjithashtu me Kushtetutë si dhe binte në kontradiktë me thelbin e vlerave që mbart Kushtetuta Federale. Sipas qeverisë, një ndalim i ndërtimit të minareve do të krijonte një situatë më të tensionuar mes popullsive me etni dhe fe të ndryshme në Zvicër dhe se një masë e tillë nuk do të ndalonte aspak në parandalimin e përhapjes së fundamentalizmit islamik. Ndaj një mase të tillë u ngritën edhe përfaqësuesit e feve të tjetra, përfshi edhe peshkopët katolikë të cilët e cilësuan si një shkak për prishjen e dialogut ndërfetar.


Reagimet

Erdogan: "Islamofobia është një krim kundër njerëzimit, ashtu si edhe antisemitizmi"

Që në momentin që është marrë vesh rezultati i referendumit në Zvicër, reagimet kanë qenë të menjëhershme. Të shumtë kanë qenë krerët e shteteve dhe qëndrimet zyrtare kundër rezultatit, por veçanërisht i ashpër ka qenë ai i Kryeministrit turk. Në Zvicër jetojnë mbi 100 mijë turq dhe kjo e ka bërë situatën të ndjeshme. Sipas Erdoganit, vota e Zvicrës është "shenjë e rritjes së racizmit dhe qëndrimit fashist në Europë". Sipas tij, islamofobia është një "krim kundër njerëzimit", ashtu si dhe antisemitizmi. Edhe Presidenti Abdullah Gul e kritikoi referendumin në të cilin pjesa më e madhe e qytetarëve e mbështeti ndryshimin kushtetues duke e quajtur votën "fatkeqësi" për popullin e Zvicrës. Sipas tij, një votë e tillë tregonte se sa larg ka shkuar islamofobia në botën perëndimore. Rezultati u dënua edhe nga komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, i cili në një deklaratë tha se ndalimi ishte "diskriminues, tepër përçarës dhe mbi të gjitha një hap i gabuar i Zvicrës që mund të bjerë ndesh me detyrimet e vendit ndaj të drejtave të njeriut". Ndërsa ministrja e Jashtme zvicerane, Micheline Calmy-Rey, tha se ndalimi paraqiste një kërcënim për sigurinë e vendit. Sipas saj tashmë ekzistonte rreziku i përgjigjes së provokimit me një tjetër provokim dhe kjo mund të sillte lindjen e ekstremizmit. Në Kajro, myftiu i Egjiptit, Ali Gomaa, autoriteti më i lartë i shtetit tha se ndalesa ishte një sulm ndaj lirisë së fesë dhe një tentativë për të lënduar ndjenjat e komunitetit islamik në Zvicër dhe jashtë tij. Ai i bëri thirrje

Komunitetit Mysliman që të vazhdonte betejën ligjore për rrëzimin e këtij qëndrimi.

Shtypi

Edhe media europiane ka qenë e ashpër ndaj rezultatit të referendumit në Zvicër. Frika më e madhe, sipas saj, është kundërpërgjigjja ndaj një mase të tillë që do ta fuste situatën në një rreth vicioz pa rrugëdalje. Referendumi ishte një sinjal i gabuar që i çohet botës islame dhe çka është më e rrezikshme është krijimi i një precedenti në Europë. Gazetat europiane kanë kritikuar edhe llojin demokracisë që aplikohet në Zvicër, që i jep mundësinë njeriut të thjeshtë që të vendosë për çështje që janë të një rëndësie të madhe. Ka pasur edhe nga ato gazeta që e kanë cilësuar pozitiv rezultatin e referendumit për shkak se prej përfundimit të tij mund të nisë një debat i mirëfilltë për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën në paqe. Ja disa nga reagimet për referendumin:

"Sueddeutsche Zeitung"

"Referendumi ishte shkatërrimtar për Zvicrën. Një ndryshim i tillë kushtetues nuk ekziston askund tjetër në Europë. Në 6 fjalët e amendamentit: "ndalohet ndërtimi i minareve me Kushtetutë" dhunohet liria e fesë dhe ndalimi i diskriminimit. Njëherazi është dhunuar edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung"

Zvicra është një vend demokratik, tolerant dhe kozmopolitan, por me votën e fundit kanë dalë në pah tipare të tjera të vendit që dëshmojnë frikë, fanatizëm dhe dëshirë për t‘u vetizoluar.

"Spiegel" 

Vota do të dëmtojë kredibilitetin e Zvicrës, si ndërmjetës në sytë e vendeve myslimane dhe, mbi të gjitha do të shkaktojë një dëm të madh në marrëdhëniet e Zvicrës me myslimanët që jetojnë në këtë vend, pasi ky amendament promovon izolimin nga pjesa tjetër e shoqërisë.

"Politiken" 

Sinjali është dërguar. Tashmë ekziston një vend në Europë që shprehet hapur se nuk dëshiron që të tolerojë simbolet e një feje të madhe.

"Milliyet"

Kjo është një shenjë e shndërrimit të masave në masa autoritare dhe një shembull se sa shpejt një demokraci mund të shndërrohet në autoritarizëm.

"El Pais" 

"Rreziku aktual është manipulimi i një shqetësimi njerëzor nga ana e partive të ekstremit të djathtë. Gjuha e tyre e helmët nuk ka të bëjë fare as me integrimin, as me demokracinë.

"Paris-Normandie"

Askush nuk mund të garantojë sot nëse një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur edhe në Francë. Në demokracinë tonë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli janë ata që duhet të marrin në dorë fatet e vendit dhe të bëjnë ndryshimet për çështjet madhore të Kushtetutës.

"Neue Zurcher Zeitung"

Minaret janë simbol për situatën kërcënuese në të cilën ndodhet identiteti ynë edhe ndalimi i ndërtimit të tyre nuk është shenjë e mirë. Dëmi që i bëhet reputacionit të Zvicrës është i pashmangshëm.

Imazhi

Vota,pa dyshim që do ta ndryshojë imazhin e Zvicrës jashtë vendit. Vendi alpin, që është prezantuar deri më sot si neutral dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut nuk do të krenohet më me këtë cilësi, tashmë të njollosur. Zvicra është vendi i Kryqit të Kuq dhe i Konventës së të Drejtave të Njeriut të Gjenevës, por tanimë modeli i supozuar i demokracisë ka dhunuar të drejtat e njeriut dhe lirinë e fesë dhe ka mbështetur diskriminimin ndaj një grupi të caktuar vetëm mbi bazën e fesë. Vota do të ketë pasoja serioze. Ajo nuk do të frenojë problemet lidhur me emigracionin në Zvicër, por do të sjellë probleme të reja për në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Bankat zvicerane dhe ekonomia e këtij vendi, që kanë lidhje të ngushta me ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës, përfshi edhe botën arabe, do të vuajnë pasojat. Madje mund të ketë dëme edhe në industrinë turistike të vendit. Dhe problemet nuk marrin fund këtu.

Viti i kaluar ka qenë një vit i vështirë për ekonominë e Zvicrës me goditjen që mori ligji gati mitik i sekretit bankar. Si pasojë banka më e madhe e vendit UBS thuajse u shndërrua në një viktimë të kësaj krize dhe u dëmtua shumë nga akuzat për aktivitet të paligjshëm. Edhe arresti i regjisorit të famshëm Roman Polanski nuk ishte një reklamë pozitive. Fakti që qytetarët zviceranë janë shndërruar në diskriminues të një feje të caktuar,në një mënyrë që dhunon të drejtat e njeriut është një dëm shumë i madh ndaj reputacionit të vendit. Me gjithë ligjin e ri, minaret ka shanse që të vazhdojnë të ndërtohen në Zvicër. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, sipas të gjitha gjasave do të marrë çështjen për shqyrtim dhe ka të ngjarë që të verë re një shkelje të të drejtave të njeriut në vendimin e Zvicrës. Por sido që të shkojë puna e minareve dëmi tashmë është bërë. Shqetësimi ndaj sjelljeve të caktuara ndaj myslimanëve dhe islamit nuk është një çështje që është kufizuar vetëm në Zvicër. Debatet e minareve janë bërë edhe në Danimarkë dhe Gjermani, por po ashtu janë debatuar në Francë edhe veshjet e shamitë e kokës të vajzave myslimane dhe në Hollandë politikanët anti-myslimanë janë goxha të suksesshëm.

Deri më sot politikanët e qendrës në të gjithë Evropën kanë dështuar në gjetjen e përgjigjeve të duhura ndaj këtyre shqetësimeve gjithmonë e në rritje. Duke u nisur nga të gjitha këto fakte nuk do të ishim të saktë nëse do ta kufizonim fenomenin në një vend të vetëm, tek Zvicra, në këtë rast. Ajo që ka ndodhur është edhe shprehje e dështimit të elitës politike liberale që nuk ka mundur të gjejë zgjidhjet e duhura për emigrantët myslimanë. Kjo gjithsesi është një çështje që ka të bëjë me një pjesë të madhe të popullsisë zvicerane dhe do të ishte një gabim i madh nëse do ti lejohej populistëve të krahut të djathtë që të merrnin në kontroll frenat e debatit. Përndryshe nuk do të duhet të çuditeshim nëse do të merreshin masa të tilla si ajo e referendumit të fundit në Zvicër, dhe këtë herë edhe në vende të tjera të Evropës.

 

 

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama