Mineralet e mbitokes

Mineralet e mbitokes
Dy akte të artistes Lumturi Blloshmi: vesh muret e galerisë me fletushka promocionale dhe shet një pikturë në këmbim të një koktejli për nder të vizitorëve. Frenezia e konsumit, një shkas për t'u frikësuar estetikisht? Asgjë e dykuptimtë në të quajturin art konceptual të Blloshmit.

Okazion: Qeras Lume Blloshmi. Është fundi i historisë që tregoi mbrëmë artistja me performancën "Okazion - likuidim total!". Historia qëndron te veshja e mureve të një galerie private në Tiranë (Zenit) me fletushka promocionale që e ftojnë konsumatorin drejt qendrave të mëdha tregtare dhe markave të prodhimit.

Mendojini ato që i gjeni te pragu i shtëpisë të shumëfishuara edhe në pragjet e komshinjve, të dhjetëra dhe qindrafishuara në muret e galerisë si pohim i fjalëpërfjalshëm i një realiteti, madje si zëvendësim i një realiteti me ikonat e mallrave që hahen, harxhohen, riblihen. E kështu nga a para.

Historia e performancës është bërë nga thirrjet për tundim për te tregjet e konsumit, elektroshtëpiakeve, teknologjisë së lartë, të produkteve për mirëmbajtjen e shëndetit, shtëpisë, kopshtit. Njoftimet në sfond blu mizërijnë: Praktiker ulje në gjithë mobiljet për veranda; piku i vapës, piku i ofertave; Big Market Bli shqip 28-29 Nëntor, zbulo produktet dhe fito dhuratat; realizo kuzhinën tënde; Uljet e janarit: TV LCD LG 32LH2000, High Definition ishte 58.900 L. bëhet 49.900 L., kurseni 9000 L; Blini me këste të ulta mujore, nga 6 deri në 48 muaj: Frigorifer Altus KFS 240, ngrirës i sipërm, kapaciteti ftohës 248 litra, ngrirje me akull, rafte plastike, opsionit i ndërrimit të anës së derës, ngjyra e bardhë...

Katër vajza u shërbenin vizitorëve të ekspozitës nga një fletë format të bardhë, bosh. Udhërrëfimi i tyre është i qartë: ju ndodheni brenda një realiteti virtual, një hiper-realiteti. Kopshtet njëpërdorimëshe të konsumit që ju ofrohen janë si ky dimension pamor i unifikuar prej propagandës të riprodhimit mekanik, prej informacionit, shifrave, imazhit të objekteve. Në fund të "hapësirës ekspozuese" rri një kanistër me dëngun e gazetave të përditshme shqiptare. Ato janë "suporti në këtë betejë reklamash" komenton kuratori i performancës, galeristi Krenar Zejno. Sigurisht që parë kështu, për mediat, në këtë stad, çdo gjë që thuhet është e nënkuptuar, por ai pirg instalacioni nuk i shton dhe as e thellon konceptin e Blloshmit, përkundrazi e vulgarizon.


Portretet e vizitorëve kishin shprehjen e njeriut që ndihet në shtëpi, të familjarizuar me atë që po sheh, sepse kjo që ai sheh përditë i duket një realitet që s'ka arsye t'i kundërvihet, madje ai e ndjen se e ka nën shërbim. Kjo nuk është shenjë e mirë për dialog në një ekspozitë. Ndoshta prisnin diçka nga fondi i skandaleve konceptuale dhe imazheve të Blloshmit. Nga ekspozitat personale në gjashtë vitet e fundit kujtojmë performancën "Menu Kama Sutra", në Galerinë Kombëtare të Arteve ku me grafika dhe foto ajo bën një ironi mbi kuptimin mishtor që i është dhënë seksualitetit në modernitet; kujtojmë "herezitë politike", një seri tablosh të vogla në mix-media ku figurat politike i satirizon hollë dhe hapur: kokën e politikanit-historian Paskal Milo e vendos në prehrin e Enver Hoxhës; portretin e Fatos Nanon e "dekoron" me portretin e Xhoana Nanos, të rrethuar me shishe pijesh alkoolike; Edi Ramën e koncepton si "Shiva"; kokës së Skënder Gjinushit i pranvë kokën e Marksit etj..

Shpesh Blloshmi përdor sende ready-made. Me dhjetëra bidona Coca-Cola ka ngritur një piramidë në trotuarin përballë Galerisë Kombëtare të Arteve; deri edhe gërshetin e saj të prerë e "ka kryqëzuar" me një brushë në telajo. Vitin e kaluar me ekspozitën "It's a Wonderful Life" ajo instaloi një bufe 12 mijëshe plot me kavanoz të mbushur me bishta cigare. Së fundi ready-made i saj zhduk realitetin krijues, zhduk dorën e artistit dhe dorëzon në një hapësirë ku e vetmja gjë autentike do ishte koncepti për një dominim konsumator social dhe ekonomik. Kjo është prurja për këtë vit e Blloshmit. Duket një aksion i njëanshëm, ku idetë e artistes shkojnë kalimthi.

Publiku i saj mbrëmë ishin miq, artistë, të afërm, dhe miqtë dyshohet të mos llogariten fare si publik. Vetë ekspozita i ngjan atij korrierit të fletushkave që ka përdorur Blloshmi, të cilat njoftojnë familjarin: "Bli që të përfitosh". Kuratori e vlerësoi propozimin e fundit artistik të Blloshmit, mbi të gjitha, për shqetësimin qytetar dhe intelektual që bart. Sipas tij ky tempull ikonik rri mirë në një galeri e stilit gotik. Në fakt, Zenit është një galeri e vogël, intime, e ngrohtë, kurse koncepti i Blloshmit ngrihet mbi frenezinë e konsumit.

Me këtë mjedis ekspozita nuk krijon asnjë lloj kundërvënie, nuk provokon, nuk ngjall dyshim, nuk lëviz, nuk thellon "leximin". Asgjë ambigue, asgjë e dykuptimtë në të quajturin art konceptual i Blloshmit. Dyshimi i saj, si hulumtim në realitetin e përfshirë në rrjedhë të modernitetit, po ta krahasonim me kërkimin e mineralit të çmuar, nuk vjen nga thellësia e tokës. Lajmi që u dha në fund të performancës, ishte ky: Lume Blloshmi ka shitur një tablo, si këmbim për koktejlin që kishte organizuar në një hotel për miqtë në ekspozitë.

"Po të mos shkojmë, do ta hajë kapitali", tha kuratori.

Artistja pat thënë dikur: "Punët e mia nuk janë për të shitur, se janë piktura sociale shoqërore. Ata që kanë pare s'marrin vesh nga Arti, kurse ata që s'kanë...

Biografi


Blloshmi është nga të paktët artistë të brezit të saj që ka guxuar dhe ia ka dalë me sukses të hidhet në artin konceptual. Është edukuar në një shkollë realiste dhe krahas pikturës ka aplikuar instalacionin, performancën, body-artin, fotografinë, videoartin. Lumturi Blloshmi u lind më 1944, në Tiranë. Bija e një ushtaraku që kishte studiuar në Akademinë Ushtarake në Vjenë, nga radha e të parëve që Enver Hoxha i dënoi me vdekje, pa gjyq, vazhdoi të jetonte në Tiranë. Ndoqi liceun dhe Institutin e Lartë të Arteve ku u diplomua më 1968. Për 11 vjet (1974-1985) iu hoq e drejta e ekspozimit (ishte edhe kushërira me të cilën Vilson Blloshmi, poeti i pushkatuar bashkë me Genc Lekën, mbante letërkëmbim).

Vazhdonte të bënte një pikturë realiste ashtu si orientimi i saj në shkollën shqiptare. Nga punët e hershme ruan pak. Kanë humbur. Krijimtaria e saj e ekspozueshme brenda dhe jashtë vendit, nis njëzet vjet pas studimeve, më 1987. Ekspozon rregullisht edhe më me intensitet pas viteve '90 brenda dhe jashtë vendit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama