Ministri Bushati dhe Shqiperia qe shpelahet nga Deti Adriatik

Ministri Bushati dhe Shqipëria që shpëlahet nga Deti Adriatik

"Shqipëria është një vend në Europën juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, mes koordinatave gjeografike: 38 16´ gjerësi dhe 42 39´ gjatësi."

Kështu fillon përshkrimi i Shqipërisë në faqet e ambasadave tona në botë (gabimi në koordinatat e Shqipërisë është në origjinal). Përshkrimi vazhdon me pohimin e mprehtë se "Shqipëria është pothuajse në mes midis Ekuatorit dhe Polit të Veriut", pastaj me të dhëna mbi gjatësinë e vijës sonë bregdetare, gjatësinë e lumenjve, relievin dhe çdo të dhënë të mundshme gjeografike, pastaj me të dhëna klimaterike.

Është, pak a shumë, informacion i nivelit të një klase gjeografie të shkollës fillore, i kombinuar me informacione elementare historike.

Vende-vende, teksti në anglisht ka gabime të trasha në gramatikë dhe në fjalor, si për shembull kur shprehet se Shqipëria "lahet" apo "shplahet" nga Deti Adriatik --keqpërkthim i shprehjes në shqip "laget nga Deti Adriatik". (Në përgjithësi anglishtja e përdorur në shumicën e tyre është një përkthim fjalë për fjalë i shqipes që në anglisht tingëllon keq dhe mediokër).

Ajo që e bën më qesharake tekstin është se ai gjendet fjalë për fjalë (përfshi, të njejtat gabime ortografike dhe faktike) në qindra faqe në rrjet të agjencive shqiptare të udhëtimit, të restoranteve apo resorteve, të portaleve të informacionit, etj.

Ne arritëm ta gjurmojmë origjinën e tekstit tek faqja e një agjencie turistike, e cila nuk vepron më, hartuar dikur rreth vitit 2001, si përzierje e përshkrimit të Shqipërisë në variantin e vjetër të botimit të mirënjohur CIA World Factbook me tekste patriotike-romantike shqiptare të cilat gjenden nga burime të tjera në rrjet.

Faqet e ambasadave tona, janë pa asnjë dyshim një burimet kryesor informacioni për të huajt, veçanërisht ata që duan të marin një informacion të parë për Shqipërinë. Fatkeqësisht, informacioni që ato ofrojnë është dëshpërimisht mediokër dhe mund të na tregojë si vend të pazhvilluar dhe të pa kulturuar.

Informacioni që ato japin është jo vetëm dytësor e qesharak, por edhe i mangët apo i pasaktë. Për shembull, perveç koordinatave të habuara të vendit, në shumicën e faqeve të ambasadave popullsia e Shqipërisë jepet 3,6 milion banorë (sa ishte vlerësuar se ishte para se të bëhej regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë i 2011-s). Ndërkohë, shumë prej lidhjeve në faqe nuk kanë asnjë përmbajtje nëse shtyp për të hyrë në to.

(Në mënyrë, ironike në asnjë faqe ambasade nuk flitet për bukuritë natyrore të vendit, për lehtësinë me të cilën mund të udhëtohet në Shqipëri, për mikpritjen, për kulturën, etj, të cilat mund të ishin vërtet informacione interesante për një të huaj. Edhe informacionet për mundësitë e investimit në Shqipëri janë një amalgamë fjalish pa shumë lidhje logjike--arnime citimesh të dokumenteve burokratike dhe referenca ligjesh e vendimesh.)

Në fakt, faqet janë paçavure në përmbajtje, në organizim, në stil, madje edhe në aspektin estetik për të cilin Kryeministri deklaroi para ca ditësh për një gazetë zvicerane se kishte marrë përsipër të na emanciponte meqë jemi si popull "të mangët estetikisht".

Në këto kushte, ishte gabim të mësoje, përmes bombardimit me propagandë zyrtare, të lëshimit me krenari të nismës "Colors of Albania" nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, madje për të dytin vit rradhazi.

Me pompozitet të madh, në një ceremoni mondane, ku ishin të pranishëm personazhet e zakonshëm mondanë të kryeqytetit, Ministri Bushati dhe Kryeministri Rama u bënë thirrje shqiptarëve të fotografojnë vendin tonë të mrekullueshëm dhe t'i postojnë fotografitë në rrjet.

Ata premtuan se me fotot më të mira do të bëjmë një botim të veçantë për të promovuar Shqipërinë, si dhe do të organizojnë një ekspozitë që do të shëtisë nëpër botë për të dëshmuar para botës sa e mrekullueshme është Shqipëria.

Është e gjitha një hipokrizi, për të fshehur paaftësinë për të qeverisur. Është e gjitha tregues i vizionit primitiv të kryeministrit Rama i cili po e shkëput përditë qeverinë nga misioni dhe thelbi i saj i vërtetë, për ta shndërruar në një agjenci organizimi spektaklesh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama