Ai shton se ky është hap i parë i kësaj proteste “derisa të largohen këta njerëz”. Arkeologu Lorenc Bejko e mendon këtë formë proteste si inkurajim dhe nxitje që mund t’i bëhet MTKRS-së për të kryer detyrat që i janë caktuar. Deputeti Auron Tare i quan të ezauruara takimet me zotin Bumçi, përderisa ai vetë i ka raportuar ministrisë dhe Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore rreth 14 dëmtime në zonën e Sarandës dhe “ende askush nuk ka bërë asgjë”. Tare premton se në një konferencë tjetër do të sugjerojë se si mund të zgjidhet kjo situatë, “pasi Onufri nuk është as i PD-së dhe as i PS-së, por është i shqiptarëve”.
Drejtuesi i kësaj proteste Artan Lame e shikon të turpshme që MTKRS-ja del në konferenca pas protestave që bën Forumi. Ai sugjeron që më mirë të dorëzojnë përgjegjësitë dhe t’ia rikthejnë kishës këto objekte. Ndërsa bashkëprotestuesi i tij Shkreli shton se “arsyeja kryesore e protestës është tërheqja e njerëzve përgjegjës për këto dëmtime, duke filluar nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, drejtori i trashëgimisë etj”. Fill pas kësaj proteste, Ministri i Kulturës Aldo Bumçi del në konferencë për të sqaruar opinionin publik për dëmin e pakthyeshëm me artin 4 shekullor të Onufrit në Valsh. Ai thotë se çdo reagim dhe sugjerim e ka ndjekur me shumë vëmendje për të kuptuar qoftë nga kritikat qoftë nga sugjerimet, idetë për një qasje të re në mbrojtjen e monumenteve. Protestën e bërë nga Forumi për Mbrojtjen e trashëgimisë Kulturore e konsideroi një të drejtë civile, që kësaj radhe nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë “pasi është bërë nga persona që nuk kanë nxitur asnjë zhvillim kur kanë pasur poste në MTKRS gjatë pushtetit socialist”.
Për pjesën që protestuesit pohojnë se MTKRS është dorëzuar, e argumenton me fakte dhe me shifra, ku sipas Bumçit vërtetohet më së miri përgjegjësia e vazhdueshme për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Ministri i hyn këtu një krahasim kontributeshpër monumentet në kohët e qeverisjeve socialiste dhe demokrate. “Në vitet 2000- 2005 janë investuar për monumentet e kulturës rreth 480 milionë lekë të reja, kurse në vitet 2006-2012 janë investuar rreth 770 milionë lekë të reja. Pra rreth 290 milionë më tepër. Këto investime janë nga shteti, por dhe nga fonde të destinuara për Shqipërinë, për të cilat qeveria ka vendosur t’ia atribuojë trashëgimisë kulturore.”
Bumçi përmend disa nga projektet si Qendra Pedonale e Shkodrës, rruga e Kalasë së Shkodrës, Kalasë së Lezhës, Kalasë së Prezës, Kalasë së Petrelës, Parkut Arkeologjik Bylis, Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Parkut Arkeologjik të Finiqit dhe Parkut të Butrintit. Nga fondet e lartpërmendura, janë kryer restaurime në afro 70 objekte të kulti, xhami e teqe. “Çfarë tjetër kemi bërë ne për të promovuar këtë trashëgimi?”, shtron pyetjen Bumçi. dhe përgjigjet që janë organizuar ekspozita ikonografike në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozita e Kodikëve në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozita arkeologjike dhe ikonografike në Romë (me e madhja e këtij lloji organizuar nga qeveria shqiptare) në qendër të qytetit, në kompleksin Il Vittoriano, ekspozita ikonografike në Moskë dhe është realizuar marrëveshja me Vatikanin dhe entin e tij Opera Romana Pellegrinagi, për të promovuar trashëgiminë kulturore fetare të vendit nëpërmjet itinerareve turistike.
Kjo ka qenë mbrojta kryesore që ka bërë MTKRS-ja për këto monumente. Dëmtimin e rëndë që ka ndodhur e argumenton si një rast të qëllimshëm për vjedhje, pasi nuk ka pasur një rrëzim të tavanit apo rrënim të ndonjë pjese tjetër. Ministri shtroi mungesën e një roje për të mbrojtur kishën natën. Sipas tij për këtë nuk mund të akuzohet asnjë nga strukturat, as MTRKS-ja dhe as Drejtoritë Rajonale. “Historikisht që nga qeverisja e Zogut e deri sot, nuk ka pasur asnjëherë roje me armë për t’u kujdesur për objektet e kultit. Prandaj gjithnjë është menduar që kjo kosto të shkojë për restaurimin e objekteve sesa për ruajtjen e tyre”, thotë Bumçi. Ministri e quan jashtë mendjes idenë e një kujdestari me armë në kishë, kur bëhen rite dhe aktivitete fetare? Kujdestarin më të mirë Bumçi konsideron komunitetin. Nëse akti vandal në Shën e Premte, kishte qëllim vjedhjen apo qëllime të tjera, ministri ia lë përgjigjen rezultatit të hetimeve.
Ministria tani e tutje ka për të shqyrtuar vendimin nëse në listën e monumenteve do të specifikohen objekte që duhet të ruhen me roje natën duke kërkuar këtu kontributin e pushtetit vendor apo për instalimin e një sistemi modern alarmi, që si njëra si tjetra kushtojnë. Ka diçka që nuk mund të mbulohet në mënyrën se si nuk bashkërendohen punët për trashëgiminë midis institucioneve. Këtë e pranon deri-diku edhe ministri. Marrëdhënia midis MTKRS-së, Drejtorive rajonale dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës është sot e stakuar, në sajë të reformës decentralizuese të vitit 2000, kur në pushtet ka qenë partia socialiste. Nga një pozicion qendror, Instituti i Monumenteve të Kulturës u vu në të njëjtën shkallë me drejtoritë rajonale, të cilat e humbën kësisoj orientimin dhe kontrollin nga një dorë qendrore. Kjo gjë, sipas Bumçit, e ka rënduar situatën e ka disfavorizuar trashëgiminë dhe duhet “korrigjuar”, “pavarësisht se IMKja ende harton projekte, bën kontrolle”.
Në përfundim të sqarimit për opinionin publik, ministri i TKRS-së ka kujtuar se kur u vodhën pikturat e Vangjush Mios në Galerinë e Artit në varësi të Bashkisë Korçë, “vjedhje që nuk erdhi me thyerje apo vandalizëm, por me inventar dhe letra nga punonjës të Bashkisë, pseudo-forumi heshti dhe nuk kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të Bashkisë. Po nuk është kjo mbrojtja jonë. Rritja e fondeve dhe rritja e numrit të objekteve të restauruara vërtetojnë punë tonë. Prandaj protesta e pseudoforumit, është bërë vetëm për kërkesa politike dhe përgjigjen do ta marrin më 23 qershor, ditën e zgjedhjeve”.