Z. Lafe, siç ndodh rëndom në kapërcyell vitesh bëhet një analizë mbi punën e kryer. Si rezulton ky bilanc në fushën e monumenteve të kulturës?
Gjatë vitit të kaluar Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS vijoi t’i kushtojë vëmendje të veçantë investimeve lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të cilat përveçse janë pjesë e trashëgimisë botërore të njerëzimit (UNESCO), përbëjnë një vlerë të papërsëritshme të historisë dhe traditës tonë arkitektonike. Nëpërmjet një projekti të financuar nga qeveria nëpërmjet UNESCO-s, u mundësua restaurimi i një sërë shtëpish karakteristike (monumente kulture të kategorisë së I-rë) që rrezikoheshin së tepërmi. Disa prej ndërhyrjeve më të spikatura janë restaurimet në fasada të Qendrës Historike të Shkodrës e Korçës, kompleksi mesjetar “Rrënojat e Tragjasit të vjetër”, hidroizolimi i plotë i mjediseve të Kalasë së Gjirokastrës, kompleksi islamik i Xhermëhallës në Delvinë, Kulla e Sahatit në Tiranë si dhe në Kullën e Gjon Markagjonit në Shkodër. Pa harruar edhe ndërhyrjet restauruese pranë objekteve të rëndësishme arkeologjike dhe muzeve. Rehabilitimi Mozaikut të Tiranës, tek i cili ishte ndërhyrë që në vitin 1974, ashtu edhe fillimi i projektit për përmirësimin e pavijoneve të Muzeut Arkeologjik të Durrësit dëshmojnë vetëdijen e përgjegjësinë e politikave të MTKRS në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes të trashëgimisë kulturore. Në mënyrë që vendgërmimet e parqet arkeologjike të shndërrohen jo vetëm në qendra kërkimore për arkeologët, por edhe “muze të hapura në natyrë”, gjatë vitit të kaluar u ndërmor edhe shtrimi i një pjese të rrugës për në Parkun Arkeologjik të Antigonesë (rruga Gjirokastër - fshati Asim Zenel), si dhe u përfundua plotësisht rruga për në Parkun Arkeologjik të Finiqit, pranë Delvinës dhe Sarandës. Strategjia për rijetësimin e monumenteve të kulturës u shoqërua me organizimin dhe mbështetjen e një sërë aktivitetesh kulturore në afërsi të tyre, të tillë si Ritet pagane (Apolloni); Ekspozita e pikturës dhe lojërat popullore (Amantia), Takimi Ndërkombëtar i Teatrove Mesdhetarë (Butrint) etj.
Çfarë problemesh kemi mbyllur dhe çfarë na shqetëson ende në këtë drejtim?
Ndër problemet që mund të konsiderohen të zgjidhura në një masë të madhe, në raport me vitin që lamë pas, mund të përmend përfundimin e vendosjes se sinjalistikës për monumentet e kulturës në rrugët nacionale dhe parqet arkeologjike. Sinjalistika, e cila do të vijojë të vendoset edhe në destinacione të tjera është një element që përbën vlerë të shtuar të turizmit dhe plotëson e zgjeron hartën e vizitueshmërisë.
Nga ana tjetër mbeten ende shqetësuese për ne dhe për të gjithë opinionin publik, një sërë problemesh që janë të mbartura dhe kërkojnë një rrugëzgjidhje sa më të shpejtë. Sërish vazhdojnë përpjekjet për ndërtime pa leje pranë zonave mbrojtëse të parqeve arkeologjike dhe monumenteve të kulturës. Një pjesë e komunitetit vendas që banon pranë këtyre monumente ka një ndërgjegjësim të pakët lidhur me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e tyre. Këtyre vështirësive të mësipërme shpesh i bashkëngjiten edhe reagimet e ngathëta të organeve kompetente për parandalimin e fenomenit të ndërtimeve pa leje pranë këtyre objekteve me rëndësi për trashëgiminë tonë kulturore.
Janë bërë publike disa raste, kur monumente të ndryshme janë dëmtuar, por deri më tani nuk shikojmë asnjë masë kundër personave përgjegjës. Rasti i shkatërrimit të Murit Romak në Finiq është një rast flagrant...
Përsa i përket këtij fenomeni, MTKRS është njoftuar herë pas here me shkresa të veçanta nga ana e institucioneve të saj të varësisë nëpër qarqet e ndryshme të vendit, si dhe ka bashkëpunuar ngushtë edhe me institucione të tjera shtetërore. Ashtu siç e përcakton edhe legjislacioni në fuqi, për trashëgiminë kulturore, ne kemi njoftuar menjëherë dhe në mënyrë energjike të gjitha organet përgjegjëse, të cilat janë të ngarkuara me ligj për parandalimin, apo edhe dënimin e shkeljeve të tilla, siç janë Inspektorati Ndërtimor Kombëtar, ai në nivel bashkie dhe komune, prefekturat apo ministritë përkatëse. Në vijim të këtij shqetësimi ju informoj se MTKRS ka trajtuar me vëmendje çdo ankesë, apo vërejtje edhe të individëve të veçantë, lidhur me rrezikun që u kanosej monumenteve të kulturës. Rasti më i fundit është ankesa e emigrantëve shqiptarë në Greqi, banorë të fshatrave Livinë dhe Velahovë të Sarandës për pasojat e rreziqeve të mundshme që kërcënojnë monumentet e kulturës në zonat e tyre. Në këto momente janë tre çështje penale të hapura për dëmtime monumentesh kulture dhe zonash arkeologjike në Tiranë, Krujë dhe Durrës, si dhe janë në proces përgatitje edhe disa të tjera në Sarandë e Lezhë. Këto janë masat ekstreme që MTKRS po ndërmerr, me qëllim mbrojtjen e integruar të trashëgimisë sonë kulturore.
Më konkretisht për çfarë monumentesh bëhet fjalë?
Duke qenë se një pjesë janë në fillim të procedurave nga prokuroria, nuk do të doja të pengoja hetimin përkatës. Gjithsesi po ju bëj me dije për një rast, te Kinema “Millenium 2”, për një ndërtim pa leje nga “IDA Shpk”. Që në dt.6.4.2009, sapo u konstatua fillimi i ndërtimit u dërgua shkresa e Drejtorisë Rajonale, Tiranë me nr.84.6.4.2009, Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, i cili për kompetencë ia përcolli Inspektoratit Urbanistik të Bashkisë Tiranë, dhe me shkresën nr.3910 dt.6.5.2009 ishin konstatuar ndërtime me kubaturë betoni.
U nxor vendimi (nr.2966) për prishje objekti, dt.16.4.2009, por nga Inspektorati i Bashkisë Tiranë nuk u veprua më tej. Në zbatim të detyrave funksionale dhe legjislacionit në fuqi, filloi kallëzimi penal ndaj Inspektoratit Urbanistik të Bashkisë Tiranë. Të ngjashme janë edhe rastet e tjera, por ky është më i hershmi.
Është folur edhe për dëmtime monumentesh, për shkak të ndërtimit të rrugëve të reja, si Tuma e Bajkajt, apo gurorja antike. Si është e mundur që nuk është marrë parasysh vendndodhja e tyre? Nuk ka rakordim punësh mes ministrive të Kulturës dhe Transportit? Si do të zgjidhet ky problem?
Është e vërtetë që për shkak të ndërtimit të rrugëve nga ana MTPPT ka pasur disa dëmtime të kufizuara në zona arkeologjike që shtrihen përgjatë tyre. Por MTKRS ka reaguar menjëherë rast pas rasti, duke kërkuar bashkëpunim në nivel institucional, përmes ngritjes së grupeve të përbashkëta të punës me ekspertë. Në këtë aspekt këta ekspertë kanë konstatuar se në Bajkaj nuk ka dëmtime të asnjë lloji, ndërsa ato që janë konstatuar në Shkallë do të ritrajtohen nga subjekti dëmtues, i cili edhe është gjobitur maksimalisht nga ana e MTKRS. Gjithashtu një bashkëpunim i mirë po përvijohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve në raste të tjera, nisur edhe nga problematikat e krijuara, siç është rruga e Butrintit dhe rruga Fier-Levan pranë Apollonisë. Në rastin e Butrintit, MTKRS ndërpreu fillimin e punimeve, rishikoi projektin, dhe pas dy takimesh maratonë të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, lejoi fillimin e tyre me kushte specifike për mbrojtjen e potencialit arkeologjik në disa hot-spots, si dhe trajtimin estetik të rrugës për impakt minimal ndaj peizazhit. Kjo rrugë e ritrajtuar dhe rinovuar do të evitojë maksimalisht aksidentet si dhe vonesat e konstatuara, të cilat pengojnë turistët të vizitojnë me komoditet qytetin antik dhe rrethinat e tij. Në rastin e Apollonisë është vendosur më në fund me firmën që do të ndërtojë rrugën edhe traseja më perëndimore, përtej kufijve të zonës së mbrojtur të parkut arkeologjik të Apollonisë, e cila garanton mbajtjen e distancës së sigurisë së kësaj vepre publike, duke lejuar në të njëjtën kohë akses më të mirë dhe më të sigurt të vizitorëve në Apolloni.
Ky vit në frontin e trashëgimisë:
Vënia në efiçencë të plotë të parqeve arkeologjike dhe rikonceptimi i strukturave të muzeve kombëtare, në funksion të turizmit kulturor, restaurimi dhe rijetëzimi i monumenteve të kategorisë së parë dhe objekteve të kultit nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, konsolidimi i mëtejshëm i planeve të menaxhimit të tre qendrave të shpallura pasuri botërore të njerëzimit (Butrint, Gjirokastër, Berat). Mbrojtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore muzikore në gjithë komponentët dhe gjinitë e saj. Lufta ndaj trafikimit të vlerave kulturore, si dhe dëmtimit të trashëgimisë arkeologjike e arkitektonike. Rishikimi i zonifikimit dhe hartimi i rregulloreve mbi administrimin e zonës arkeologjike të qytetit të Shkodrës, Krujës, Elbasanit, Beratit, Vlorës dhe Sarandës. Sensibilizimi i publikut për trashëgiminë arkeologjike dhe organizimi i trajnimeve për arkeologjinë e shpëtimit dhe konservimin arkeologjik. Këto janë disa nga objektivat e MTKRS për v itin 2010.
Alma MIleNga : Gazeta Panorama