Ministria e Financave jep rezultatet e operacionit kundër informalitetit, i cili nisi në fillim të shtatorit. Sipas MF, pjesa më e madhe e sipërmarrësve që kishin neglizhuar për një kohë të gjatë detyrimet ndaj shtetit janë ndërgjegjësuar dhe kanë vijuar regjistrimet dhe pajisjen me kasat fiskale.
Kështu, sipas të dhënave operative, në muajin korrik 2015 janë regjistruar 831 (ose 70.9%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 1 151 (135.1%) më shumë sesa viti 2013.
Muaji gusht ka rritur ritmin e regjistrimeve. Janë regjistruar 4 221 (ose 569.6%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 4 371 (739.6%) më shumë sesa viti 2013.
Gjysma e parë e shtatorit ka vijuar të shtojë numrin e biznesve të regjistruara. Kështu, deri me datën 18 shtator, janë regjistruar 11 055 (ose 826.9%) biznese më shumë sesa shtatorin e plotë të vitit 2014 dhe 11 531 (1339.3%) më shumë sesa viti 2013.
Por ajo që është më e rëndësishme në gjithë punën e bërë për të ndërgjegjësuar subjektet që kanë detyrim ligjor regjistrimin dhe pajisjen me kasë fiskale, është rezultati në xhiron fiskale që deklarojnë subjektet.
Kështu, për periudhën 1 korrik-16 shtator 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, është gati 3-fishuar numri i pajisjeve të reja fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve. Është rritur me rreth 26 milionë (+57%) numri i kuponëve tatimorë të lëshuar prej pajisjeve fiskale, ndërkohë që është shtuar me rreth 33 miliardë lekë (40.4%) sasia e xhiros së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga pajisjet fiskale.
Operacioni kundër informalitetit sa sjellë rezultate dhe në formalizimin e të punësuarve.
Gjatë periudhës 7-18 shator, grupet e përbashkëta kanë ushtruar 36 372 kontrolle tek subjektet dhe kanë konstatuar shkelje tek rreth 11% e tyre. Shkeljet më të mëdha konsistojnë në mospasjen e pajisjes fiskale dhe në mospasjen e faturave për mallin e inventarizuar. Punonjës të padeklaruar janë konstatuar në 574 raste.