TIRANË14 Nëntor /ATSH/ -Ministria e Jashtme shqiptare dënon sulmet terroriste të ndodhuara një natë më parë në Paris duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe njëherazi solidaritet me popullin francez.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë nëpërmjet një deklarate për mediat, të shtunën shprehet se "Republika e Shqipërise dënon me vendosmëri sulmet terroriste të ndodhura natën e djeshme në Paris, ku humbën jetën dhe u plagosën qindra civilë të pafajshëm.
Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura si pasojë e këtyre akteve barbare kundër lirisë dhe paqes, që synojnë të mbjellin terrorin në zemër të Evropës. Shqipëria bashkohet me dhimbjen e popullit dhe qeverisë franceze në këto momente tepër të vështira, duke uruar shërimin e plotë të të plagosurve dhe tejkalimin sa më parë të kësaj situate. Qëndrojmë në krah të Francës në betejën kundër terrorizmit dhe kujtdo që cënon vlerat tona të perbashketa".
Po ashtu, Ministria e Jashtme e Shqipërisë bën me dije se "Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze. I bëjmë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Francë, të zbatojnë me perpikmëri instruksionet e autoriteve franceze për menaxhimin e situatës. Ambasada e Republikës së Shqipërise në Paris vë në dispozicion për shtetasit tanë, numrat e emergjencës: +33 625 15 96 69 dhe +33 782 44 77 95"./i.v/f.n/