Tiranë, 26 Tetor/ATSH/-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe institucioni që ajo drejton, i janë bashkuar fushatës sensibilizuese në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit.
Duke folur në një aktivitet që Ministria e Mbrojtjes zhvilloi në këtë kuadër, Kodheli u bëri thirrje të gjitha grave të shtojnë kujdesin ndaj vetes duke kryer kontrollet e nevojshme periodike, si mënyra më e mirë për parandalimin e sëmundjes.
"Askush nuk është i imunizuar nga kjo lloj sëmundje, i çfarë do lloj shtrese sociale qoftë. Jo domosdoshmërisht kush ka më shumë të ardhura mund t'i shpëtojë vdekjes, ka vetëm një arsye që na bën ne të jemi më të sigurta për të ardhmen tonë, shkuarja rregullisht, në kohën e duhur dhe në moshën e duhur te mjeku për të bërë mamografinë, paptestin dhe të gjitha checkup-et e tjera dhe në këtë mënyrë parandalojmë sa më shpejt që të jetë e mundur një sëmundje të shekullit, siç janë sëmundjet tumorale", theksoi ministrja.
Ajo i krahasoi gratë shqiptare me Nënë Terezën, për shkak të mundit, të energjive, devotshmërisë, përkushtimit, sakrificës e zemërgjërësisë që demostrojnë në raport me të tjerët.
Në këtë veprimtari morën pjesë gra dhe vajza ushtarake, punonjëse civile të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Akademisë së Forcave të Armatosura, si dhe të strukturave të tjera të garnizonit "Skënderbej".
Ishte e pranishme deputetja, Klodiana Spahiu, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Nazmi Cahani dhe përfaqësues nga Instituti i Shërbimit Publik etj./b.k/ /a.g/